IKD: Kosova pa Strategji kundër Korrupsion

Lajme

IKD: Kosova pa Strategji kundër Korrupsion

Më: 10 janar 2024 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të NED dhe RBF të mërkurën ka publikuar analizën “Kosova pa Strategji kundër Korrupsion (Dështimi i Qeverisë për miratimin e Strategjisë kundër Korrupsion dhe Komentet e IKD-së lidhur me Draft Strategjinë kundër Korrupsion).

Luftimi i korrupsionit ka qenë njëra prej premtimeve kryesore me të cilat ka ardhë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. “Drejtësi dhe Punësim” ishte sllogani kryesor i kësaj partie gjatë fushatës elektorale. Kur Qeveria Kurti II po bënë tri vite që nga ardhja në pushtet, reformat e mëdha si Vetingu në Sistemin e Drejtësisë, Reforma në sistemin prokurorial, reforma në drejtësinë civile përmes miratimit të Kodit Civil etj, ende nuk janë jetësuar.

Edhe përkundër faktit se Qeveria Kurti II luftimin e korrupsionit e kishte proklamuar si qëllimin kryesor, në fundin e vitit të tretë të qeverisjes, Kosova ende nuk ka një Strategji për Luftimin e Korrupsionit dhe publiku ende nuk e ka të qartë se cila do të jetë rruga që Qeveria do të ndjek në raport me luftimin e korrupsionit në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që kjo qeveri ka në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Mungesa e kësaj Strategjie për një kohë kaq të gjatë dhe dështimi i grupit punues për të hartuar një dokument të bazuar në ligjin e aplikueshëm në Kosovë, dhe i cili dokument nuk ndërhyn në pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të pavarura, ndërton bindjen se vet qeveria dhe grupi punues kanë probleme serioze për të kuptuar kompetencat e tyre dhe për të përmbushur obligimet që dalin nga Programi i Qeverisë për luftimin e korrupsionit.

Ligji Nr.08/L-017 për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka hyrë në fuqi në Gusht të vitit 2022. Strategjia shtetërore dhe plani i veprimit kundër korrupsionit në përputhje me nenin 24 të këtij Ligjit hartohet dhe miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Përderisa, zbatimin e Strategjisë kundër korrupsionit, e monitoron Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 22 shkurt 2023 kishte marrë vendim për themelimin e strukturave për hartimin e Strategjisë Shtetërore dhe Planit të Veprimit kundër korrupsionit. Kjo strukturë përbëhej prej Komisionit Ministror, Koordinatorit dhe Grupit punues. Me ç’rast grupi punues përbëhej prej akterëve të rëndësishëm shtetëror, duke përfshirë dhe agjencitë e pavarura dhe institucionet tjera sipas nevojës. Ky grup punues, sipas këtij vendimi, duhej ta draftonte këtë Strategji deri më 1 dhjetor 2023.

Përgjatë kohës sa është hartuar Draft Strategjia Kombëtare kundër Korrupsionit dhe Plani i Veprimit 2023-2026 (Tutje: Draft Strategjia) IKD ka marrë pjesë në të gjitha takimet ku është ftuar si dhe ka dërguar edhe komentet me shkrim, duke synuar dhënien e kontributit drejt hartimit të një Strategjie që i përgjigjet nevojës për luftimin e korrupsionit. Përkundër kësaj, narrativi i Draft Strategjisë u bë i njohur për IKD vetëm në takimin e datës 7 nëntor 2023, gjatë të cilit takim, fillimisht, u tha se ishte i takimi i fundit lidhur me këtë Draft Strategji. IKD dha komentet e saj në këtë takim dhe të njëjtat i procedoj edhe me shkrim. IKD nuk morri asnjëherë përgjigje mbi mënyrën e trajtimit të këtyre komenteve.

Fatkeqësisht, as pas datës 1 dhjetor 2023, kur sipas vendimit të Qeverisë Strategjia do duhej të hartohej, përgjigje nuk pranoi as publiku se pse nuk mjaftuan mbi 9 muaj që të hartohej dhe finalizohej kjo Strategji, edhe përkundër faktit se miratimi i kësaj Strategjie mbetet obligim ligjor.

Në këtë dokument, IKD paraqet komentet e saja në Draft Strategji, të cilat i’a ka dërguar me shkrim Zyrës së Kryeministrit, për të cilat komente IKD asnjëherë nuk ka marrë informata kthyese mbi mënyrën e trajtimit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat