Arrestohen 12 zyrtarë të ATK-së dhe një pronar biznesi

Lajme

Arrestohen 12 zyrtarë të ATK-së dhe një pronar biznesi

Më: 9 janar 2024 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se 13 persona janë arrestuar të martën në Prizren dhe Podujevë pas një aksioni të policisë.

Sipas Prokurorisë, 12 prej të arrestuarve janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një tjetër, pronar i një biznesi.

Në komunikatë thuhet se të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.

“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.

Sipas njoftimit Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore.

Më tej thuhet se gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

"Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast", thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat