E thonë analistët serbë: Serbia e ka njohur de fakto Kosovën

Lajme

E thonë analistët serbë: Serbia e ka njohur de fakto Kosovën

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 09:37
Foto ilustrim

Analistët në Beograd thonë se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo e Ohrit nënkuptojnë se Serbia e ka njohur Kosovën si shtet, por që këtë duhet ta pranojnë edhe institucionet e Serbisë.

Ata përmendin njohjen e dokumenteve dhe një sërë çështjesh tjera, por thonë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po nguron ta pranojë.

Nga Serbia kërkohet dhënia e rezultateve në raport me Kosovën, që është njohja de facto.

Sipas njohëseve të zhvillimeve, raporti vjetor i Komisionit Evropian ku kërkohet nga Serbia që t’i përmbushë obligimet në dialog, është në njëfarë mënyre thirrja për ta njohur sovranitetin e Kosovës.

Dushan Janjiq, analist politik nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, ka thënë se ofrimi i njohjes de fakto të Kosovës nga Serbia është në kuadër të marrëveshjes së Ohrit.

“Në thelb, kjo do të thotë se Serbia e pranon se në realitet ekziston Republika e Kosovës dhe jo e ashtuquajtura Kosovë, madje as ajo me yll. Në kuptimin juridik dhe diplomatik, kjo nënkupton, siç shkruhet në marrëveshjen e shkurtit, pezullimi i veprimeve për pengimin e njohjes së Kosovës dhe krijimin e pengesave për Kosovën në organizatat ndërkombëtare”, tha për televizionin publik Dushan Janjiq.

Edhe pse Beogradi zyrtar refuzon që me marrëveshjet e arritura e ka pranuar de fakto Kosovën, për analistët kjo nënkupton një gjendje faktike dhe të qartë, por që në Serbi po manipulohet.

“Presidenti i Serbisë tha se i pranoi marrëveshjet pa nënshkrim, a do të thotë kjo se një fjalë e dhënë në komunikimin zyrtar të një lideri dhe një politikani nuk do të thotë asgjë. Marrëveshjet nënkuptojnë që Serbia nuk do ta pengojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Me marrëveshjet e Brukselit, të gjitha institucionet realisht e kanë njohur Kosovën, pasi hyrja e përfaqësuesve serbë në institucione, pastaj njohja e dokumenteve, çfarë është kjo nëse nuk është njohje”, tha gazetari Rade Radovanoviq.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një nga kërkesat kryesore për Serbinë në rrugën e saj evropiane. Në Beograd vlerësohet se nga Serbia kërkohet që t`i zbatojë marrëveshjet edhe nëse nuk janë  nënshkruar dhe se Perëndimi nuk do të pranojë vonesa për shkak të zgjedhjeve apo kushteve të tjera. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat