Jasharaj: Mosshpërndarja e teksteve mund të shkaktojë probleme në fillimin e vitit shkollor

Lajme

Jasharaj: Mosshpërndarja e teksteve mund të shkaktojë probleme në fillimin e vitit shkollor

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 15:51
Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASKK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se shkollat në gjithë vendin janë përgatitur që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator, por që sipas tij, shqetësuese mbetet çështja e shpërndarjes së teksteve shkollore pasi mund të ketë vonesa. 

Jasharaj ka thënë se shqetësuese është deklarata e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci pasi siç u shpreh ai tekstet shkollore duket se do të vonohen.

“Nga ajo që kemi dëgjuar është që nga ana teknike është bërë një angazhim për tu përgatitur për vitin shkollor. Ajo që i gëzon prindërit është që më në fund nuk do të fillojmë me greva, por do të fillojmë me mësimin. Por shqetësim për të gjithë punëtorët e arsimit është deklarata e Nagavcit për tekstet shkollore që duket se do të vonohen, e që është gjë e keqe”, tha Jasharaj për Telegrafin.

Tutje ai tha se ministrja Nagavci po ashtu kishte thënë që nuk do të ketë tekste të reja shkollore për klasat nga e 6-ta deri në të 9-tën, e cila sipas tij është tejet shqetësuese.

“Më e keqe dhe më e madhe se kjo është deklarata e saj se do të kemi tekste të reja, nga klasa 1 deri në 5, por klasat nga e 6-ta deri në të 9-tën do të jenë të detyruar të punojnë me ato tekste të vitit të kaluar.

E kjo nuk është e drejtë dhe nuk është mirë. Nëse Qeveria Kurti nuk ka mjete për të ndarë për laptop, së paku duhet që të ndajë mjete për të gjithë nxënësit të kenë tekste të reja shkollore, ngase tekstet e përdorura vjet janë të dëmtuara dhe të nënvizuara. E kjo do të jetë një zhgënjim për fëmijët tanë, e nxënësit nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të. Uroj që të mos kemi shkolla që do të kenë problem me ujë të pijshëm dhe shkolla jo të rinovuara”, ka thënë Jasharaj.

Ai po ashtu shprehu shqetësimin e tij se Qeveria e Kosovës, përkatësisht MASHT-i nuk kanë dialoguar me SBASHK-un para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Para fillimit shkollor gjithmonë MASHT-i i ka thirr, sindikatat e arsimit, drejtoritë arsimore, SBASHK-un dhe Këshillin e Prindërve dhe bashkërisht ta bëjmë një analizë para fillimit të vitit shkollor, e kjo nuk po ndodh”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat