Lutfi Haziri përlotet në emision

Lajme

Lutfi Haziri përlotet në emision

Më: 16 tetor 2022 Në ora: 12:08
Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri nuk i ka përmbajtur lotët teksa i janë publikuar dy fotografi nga arkiva.

Në njërën prej tyre, ai shihet bashkë me vajzën e tij, Këngën, teksa atë foto ia kishin dërguar sa kishte qenë në qeli si i burgosur politik.

Për këtë ngjarje, bashkëshortja e tij, Mika tha se kjo foto është nga të paktat që i kanë mbetur për shkak se të tjerat ua kishin marrë pushteti i atëhershëm i Jugosllavisë.

“Në fotografinë e parë është Kënga kur ka qenë e vogël dhe e kam bërë unë, është fotografi që është ndër të paktat që na kanë mbetur sepse gjatë burgosjes së Lutës të gjitha fotografitë dhe kasetën e parë, edhe ato që i kam pasur na i kanë marrë pushteti i Serbisë”.

“Kjo është fotoja e vetme që kemi diskutuar, kjo foto është gjetur. Është fotoja e vetme që ia kanë dhënë Lutës, ndoshta për me i bë presion dhe i kanë thënë ‘shikoje edhe një herë këtë foto se vajzën tënde më s’e sheh’. Kjo foto na kthen në ëndërr të keq, na kthen për një kahje tjetër”, tha ajo.

Ndërkohë, ish-kryetari i Gjilanit foli edhe për vështirësitë dhe rreziqet që kishin qenë atëkohë për shkak të regjimit serb.

Madje, ai tregoi edhe për vdekjen e disa prej shokëve të tij nga ai sistem, që kishin përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike.

“Në fotografinë e dytë, është babi im, i cili ka ndërruar jetë para 7 vitesh. Është hero i  Kosovës për krejt atë kontribut dhe angazhim që e ka bërë në emigracion, por edhe trashëgimtar i të parëve tonë që kanë qenë kryengritës. Unë jam gjenerata e katër që përfaqësoj këtë angazhim familjar në kuadër të kauzave politike”, u shpreh Haziri.

Krejt në fund, rasti i cili e emocionoi Hazirin gjatë emisionit, ndërsa u përlot, theksoi se ishte shumë i vështirë.

“Rasti është i vështirë duke përfshirë edhe shokët e mi, që kanë vdekur për shkak që s’i kanë përballuar burgjet. Ndoshta për herë të parë një thyerje morale, por është e vërtetë, këtë fotografi ma kanë pru kur kam qenë në qeli. Kam qenë i izoluar. Ka qenë një situatë, kur ne kemi përballuar edhe duke shpresuar në të njëjtën kohë”, tha Haziri gjatë intervistës në Libero.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat