Serbët e veriut nuk i paguajnë as tatimet dhe lejet ndërtimore

Lajme

Serbët e veriut nuk i paguajnë as tatimet dhe lejet ndërtimore

Më: 2 shtator 2022 Në ora: 16:40
Mitrovica

Pos milionave që shteti i Kosovës i humb për pagesën e rrymës së qytetarëve serbë të veriut, humbje e madhe po konsiderohet edhe mos pagesa e tatimeve komunale në këtë pjesë të Kosovës.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, qytetarët serbë në veri të Kosovës, në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, nuk paguajnë as për tatim në pronë, leje të ndërtimit, pronat e dhënat në shfrytëzim dhe asnjë shërbim tjetër publik.

“Gjatë vitit 2021 sikurse edhe në vitet e mëparshme, komunat: Mitrovica e Veriut, Zveçani vazhdojnë të mos mbledhin të hyra nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, pronat e dhëna në shfrytëzim si dhe nuk kanë hartuar rregullore të brendshme për taksat, tarifat dhe ngarkesat e qytetarëve për shërbimet e përfituara publike”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës, niveli i mbledhjes së të hyrave vetanake është shumë i ulët.

“Kjo ka ndodhur pasi që komunat ende nuk i zbatojnë ligjet dhe nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për arkëtimin e të hyrave nga këto veprimtari që kanë ndikim të rëndësishëm në nivelin e buxhetit të komunës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të sigurojë vendosjen e mekanizmave për zbatimin e ligjeve për këto komuna.

“Inkasimi i këtyre të hyrave do të mundësonte realizimin e më shumë projekteve, rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të komunave përkatëse”, thuhet tutje në këtë raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat