Serbët e Kosovës do të dërgohen me autobusë për të votuar në qytetet serbe

Lajme

Serbët e Kosovës do të dërgohen me autobusë për të votuar në qytetet serbe

Më: 31 mars 2022 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Votuesit serbë nga Kosova do ta kenë mundësinë që të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në Tutin, Rashkë, Kurshumli dhe Vranjë.

Transporti për në Serbi për serbët që jetojnë në Kosovë është planifikuar të bëhet me autobusë.

Sipas komisionit organizativ, në pikëkalimet kufitare dy deri në tre autobusë do të kalojnë në të njëjtën kohë, shkruan Blic.rs.

Qytetarët serbë nga komunat veriore si dhe ata që jetojnë në Istog, Vushtrri, Skenderaj, Klinë, Pejë e Rahovec do ta kenë mundësinë të votojnë në Rashkë dhe në Tutin.

Ndërkaq ata nga Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Lipjani, Ferizaji do të votojnë në Kurshumli si dhe ata nga Shtërpca, Novobërda, Vitia, Gjilani, Kamenica do të mund të votojnë në Vranjë.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe i kanë ftuar votuesit që përmes transportit të organizuar të marrin pjesë në votime. Sipas policisë së Kosovës në Graçanicë, qytetarët nuk do të lejohen që të shpërfaqin flamuj apo slogane në autobusë.

Vetëm pak muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt, 2008, Serbia organizoi zgjedhjet parlamentare në mjediset me shumicë serbe në Kosovë. Në këto zgjedhje, të cilat u mbajtën më 11 maj, 2008, sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë, të drejtën e votës në vendvotimet në Kosovë e shfrytëzuan rreth 90 mijë qytetarë të Serbisë.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës u mbajtën më 2012, më 2014 dhe më 2016. Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor, 2020.

Ndërkaq më 22 mars, zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat