Kryekuvendari Krasniqi priti përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës

Lajme

Kryekuvendari Krasniqi priti përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës

Më: 15 mars 2011 Në ora: 17:42

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim përfaqësuesit e Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës, në përbërje: Ramë Alihajdaraj, Shaban Kajtazi,Hasan Berisha dhe Shefqet Mustafa. Me këtë rast u bisedua rreth pozitës sociale të pensionistëve, për nivelin e ulët të mbështetjes financiare nga Buxheti i Kosovës, si dhe për Ligjin për pensionet. Ky delegacion ngriti shqetësimin për përmbajtjen e Projektligjit për pensionet, i cili ende nuk është dorëzuar nga sponzoruesi në Kuvend, duke kërkuar që të dëgjohet zëri i tyre gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji në komisionet përkatëse të Kuvendit.

Kryekuvendari Krasniqi u premtoi përfaqësuesve të pensionistëve se atyre do t’ iu mundësohet pjesëmarrja në mbledhjet e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në seancat e dëgjimeve publike dhe në gjithë fazën e amendamentimit të Projektligjit për pensionet. Kreu i legjislativit garantoi këtë delegacion se vërejtjet e tyre do të merren parasysh para miratimit përfundimtar të Projektligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat