Shehu, gjashtë muaj letërkëmbime me autorin bask

Kultura

Shehu, gjashtë muaj letërkëmbime me autorin bask

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 07:48

Qyteti bask, San Sebastiano do të ketë stafetën e kryeqytetit të kulturës evropiane në 2016. Përmes shkrimtarëve, është ndërtuar një program ekskluziv për të komunikuar kulturat e Evropës me atë baske. Janë 8 shkrimtarë evropianë të përzgjedhur, që do të kenë letërkëmbime me tetë autorë baskë, ku raportet e shkrimtarit me jetën dhe qytetin, do të finalizohen në libër për secilin autor, që do të botohen në tri gjuhë. Nga Shqipëria dhe shqipja, organizatorët baskë kanë përzgjedhur shkrimtarin Bashkim Shehu

Bashkim Shehu është nga autorët e rrallë që në një kohë intensive, ka arritur të ndërhyjë në urat e kulturës siç është ajo me Spanjën. Gjuha e këmbyer ka tërhequr vëmendjen në një rreth me të gjerë, se sa një mjeshtër përkthimi. Pak ditë më parë, i pranishëm në Tiranë, Shehu ka prezantuar librin më të ri “Perandori ose syri i erërave”, me autor Baltasar Porcel, duke u bërë përkthyesi i parë në shqip. Ky projekt e risolli në Tiranë, por në fakt, Shehu na njeh dhe me një proces të vlerësuar të rëndësishëm për të, e sidomos për një kulturë që për 2016-ën do të jetë në vëmendjen e Evropës.

Një projekt ku shkrimtari shqiptar është përfshirë si autor evropian, për të finalizuar programin e qytetit San Sebastian, një qytet bask që merr stafetën e festimit duke u shndërruar në kryeqytet të kulturës evropiane për vitin 2016. Në kuadër të kësaj, organizatorët, tregon Shehu, kanë ndërtuar projektin ku do të botohen një seri librash, midis autorëve baskë dhe atyre evropianë.

Bëhet fjalë për libërtha letërkëmbimi midis dy autorëve, një shkrimtar evropian me një bask, që do të botohen në disa gjuhë. “Më kërkuan organizatorët e kësaj serie, kolane librash. Ata më kontaktuan dhe sigurisht që e pranova idenë e këtij projekti me shumë dëshirë”, -thotë Shehu. Projekti përfshin 16 autorë, ku tetë prej tyre do të jenë baskë dhe tetë të tjerë nga vende të tjera europiane. Shehu tregon se ka nisur puna për veprën e re, dhe autori bask që do të ndërtojë koherencën e një perspektive shkrimtari dhe qyteti, është Bernardo Atxaga.

Nga ky autor në shqip kemi romanin “Shtëpia e tetë”, botuar në 2015, për të cilin përkthyesi garanton se është një kryevepër. “Po, jemi në proces të punës për këtë projekt, dhe do të përmbajë probleme të ndryshme të krijimtarisë, letërsisë, të raportit midis letërsisë dhe jetës, atë që ka jetuar shkrimtari dhe asaj që shkruan. Libri që unë kam në dorë, do të jetë në shqip, spanjisht dhe gjuhën baske”.

Çfarë rëndësie merr ky projekt për vendin që e inicion? Njohja dhe vendosja e shkrimtarëve përballë njëri-tjetrit në një kontekst qytetar, çfarë prodhojnë mendimet e një shkrimtari në qëndrime dhe shqetësime që i takojnë të sotmes, por në mundësi të përfshirjes edhe të të shkuarës. Shehu thotë se kjo kolanë është në proces, dhe deri në qershor do të jenë duke këmbyer letrat, ndërsa në vjeshtë pritet të finalizohet libri.

Tani për tani, idetë apo temat për të cilat autorët përveçse të përcaktuara, në letërkëmbimet e tyre do të jenë të tërhequr dhe nga çështje që mes tyre mund kenë interes, për shembull Shehu thotë se do ishte i gatshëm dhe ndoshta do të ndodhë, t’i përgjigjet edhe për diktaturën. “Ky është një letërkëmbim i lirë midis dy shkrimtarësh dhe në një korrespondencë të tillë dalin shumë gjëra, dhe sigurisht ka interes edhe për diktaturën”.

Programi sipas organizatorëve të qytetit bask, kanë vendosur ta mbyllin letërkëmbimin sipas një afati të caktuar që është menduar qershori. Ky libër do të jetë në shqip, dhe deri në prag vere, Shehu do rrëfejë edhe për shqiptarët një raport jo të lehtë, siç është kjo e shkrimtarit me qytetin, jetën!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat