Një vepër me interesime trikahore

Kultura

Një vepër me interesime trikahore

Më: 26 qershor 2015 Në ora: 17:47

Në librin e ri, “T r i n i – studime, recensione, bibliografi”, studiuesi Sinan Gashi është marrë me studimet letrare, recensione dhe bibliografi. Në këtë vepër, autori Gashi, është marrë me personalitete të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare e të huaj, përkatësisht me veprat e tyre që sillen gjithsesi rreth dhe për fatin e shqiptarëve, si: Mithat Frashëri, Stavro Thoma Frashëri, Veis Sejko, Ferid Vokopola, Isuf Luzaj, Vasfi Samim Visoka, Josif Bagëri, George Fred Williams, Hamit Kokalari, Mirash Ivanaj, Shefqet Bykykbashi, Nexhmie Zajmi, Fazli Greiçevci, Lazër Radi, Teki Dërvishi, Xhevat Jashari, Halil Gashi e tjerë. Po ashtu është botuar edhe studimi i gjatë “Zhvillimi historik i romanit shqiptar në Kosovë 1955-1975”.

Nga këto studime mësojmë shumë gjëra që nga shekulli i kaluar e deri në ditët e sotme, duke prekur tema historike dhe letrare, për të cilat janë ditur fare pak ose aspak, duke qenë tema dhe disa personalitete të injoruara deri më sot.

Pjesa e dytë përmban mbi 52 recensione shkruar për veprat e S. Gashit, si nga dr. M. Hysa, T. Dërvishi, dr. Milazim Krasniqi, dr. E. Kryeziu, dr. M. Shatri, dr. B. Gërveshi - Zylfiu, Dom. N. Gjergji, P. Buzhala, S. Zogaj, M. Gojani e shumë të tjerë. Ata vlerësojnë në mënyra të ndryshme veprat teke të Gashit, duke i cilësuar me peshë, qoftë për përkushtimin, qoftë edhe për mënyrat e rralla të shkrimit. Shumë nga ato interesime të këtij studiuesi, merren si veçanti dhe rrallësi në studimet tona e më gjerë.

Ndërsa që në pjesën e tretë jepet bibliografia e mbi 500 zërave në periodik dhe 33 veprave të plota të shkruar për një gjysmë shekulli nga Sinan Gashi.
Edhe kësaj radhe hasen shkrime të rralla, tepër me interes, veçmas për historinë e letërsisë shqiptare.
Vepra ka 616 faqe, është botim i autorit, 2015./Bota Sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat