Kur ArgjiroFest shkrin modernen dhe rapsodin në qytetin e gurtë

Kultura

Kur ArgjiroFest shkrin modernen dhe rapsodin në qytetin e gurtë

Më: 19 maj 2015 Në ora: 07:26

U mbyll me sukses nën një atmosferë të jashtëzakonshme edicioni i 10-të i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2015.

7 ditë e 7 net të këtij festivali i dhanë jetë dhe ngritën në qytetin e gurtë kështjellën e Trashëgimisë Jomateriale, së cilës Ministria e Kulturës i kushton një rëndësi shumë të madhe jo vetëm si vlerë kombëtare, jo vetëm si pasuri shpirtërore e popullit dhe kombit, por edhe si një pjesë shumë e rëndësishme e kulturës universale në rajon dhe Europë. Ky thesar i jashtëzakonshëm me larminë e folklorit në perlat muzikore, poetike, instrumentale, zakonore, pa folur për kostumet e rralla për nga densiteti dhe historia, u shpalos si rrallëherë me madhështinë e vet, me origjinalitetin dhe cilësinë më të plotë.

Puna për organizimin e festivalit ka filluar që në krye të vitit 2014, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Koordinatori kryesor është Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike.

Në një maratonë të trashëgimisë jomateriale në 12 qarqe, me kontakte, takime, vëzhgime, audicione dhe koncerte të komunave dhe bashkive morën pjesë rreth 7230 bartës të folklorit, ndër të cilët rreth 1600 fëmijë e të rinj, të cilët kaluan në përzgjedhjen e fazës së parë të komisioneve të ngritura pranë qarqeve, që i sollën koncertet nga komunat e bashkitë në nivel qarku.

Komisioni përzgjedhës i festivalit, i përbërë nga përfaqësues të Qendrës së Veprimtarive Folklorike, Ministrisë së Kulturës, studiues të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si dhe nga grupi i realizimit artistik me në krye Drejtorin artistik të Festivalit, Profesor Thoma Gaqi dhe regjisorin Bledar Laço, ndoqën nga afër dhe në terren të 12 koncertet folklorike në rang qarku që u zhvilluan në të gjithë Shqipërinë.

Në këtë fazë morën pjesë 1756 bartës të folklorit, nga të cilët rreth 530 fëmijë e të rinj, si dhe rreth 400 gra e vajza.

Nga data 10 deri 16 maj, më shumë se 1700 konkurrues në të gjitha gjinitë dhe nga të gjitha krahinat si dhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë në garën e madhe të Folklorit. Më shumë se 100 kostume u rindërtuan sipas teknikave të artizanatit autentik nga Ministria e Kulturës dhe u prezantuan në skenën e Folklorit. Mbi 15 të ftuar specialë gjallëruan netët e festivalit dhe gjithë qytetin e Gjirokastrës.

Gjithashtu, festivalin e përshëndetën grupe të ftuara nga arbëreshët e Italisë, shqiptarët e SHBA-së, Zvicrës, Turqisë, me rreth 100 artistë, të cilët sollën zërin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare.

Gjithë qyteti u kthye në një skenë më të madhe sesa skena e dedikuar, ku 24 orë ndodhën pa ndërprerje ngjarje kulturore që përfshinë qytetin; mijëra vizitorë vendas e të huaj në skenën e hapur të sheshit “Fantazia”, në Qafën e Pazarit, në shtëpitë-muze, në sheshin e Odeonit dhe në kala.

Juria

Kryetari i jurisë, kompozitori Zef Çoba
Prof.Dr. Afërdita Onuzi
Prof.Dr. Agron Xhagolli
Drejtor i TKOB, Ilir Kerni
Kompozitori dhe profesor Hajg Zaharian
Pas shumë dilemash dhe diskutimesh, juria vendosi çmimet si më poshtë:

Çmimi i parë: Qarku Tiranë
Çmimi i dytë: Qarku Berat
Çmimi i dytë: Qarku Korçë
Çmimi i tretë: Qarku Lezhë
Çmimi i tretë: Mali i Zi
Rapsodi më i mirë: Turk Mustafa, Qarku Shkodër
Orkestrina më e mirë e Veriut: Ansambli Mati, Qarku Dibër
Orkestrina më e mirë e Jugut: Orkestrina e Qarkut Korçë
Këngëtari më i mirë: Egzona Salaj, Mali i Zi
Interpretimi më i mirë në valle: Valle dasme lunxhiote, Qarku Gjirokastër
Valltari më i mirë: Shefki Bekteshi, Ansambli Drita e Dervenit
Shkup, Instrumentisti më i mire: Zhani Struga, Qarku Korçë
Paraqitja më e mirë e veshjeve popullore: Qarku Lezhë
Teksti popullor më i vjetër: “Llaxoret”, Qarku Tiranë

Në Festival u nderuan në mënyrë të posaçme figura me kontribute në folklorin shqiptar. Çmimi i veçantë i Karrierës iu dha Lefter Çipës. Me çmime të Karrierës u nderuan edhe mjaft përfaqësues të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. E duke qenë që konkurrenca ishte e fortë dhe pjesëmarrja lumturisht e gjerë e bënë të vështirë ndarjen e çmimeve dhe juria vendosi gjithashtu të japë çmime inkurajuese për disa bartës të folklorit që u shquan për nivel të lartë, për vërtetësi dhe origjinalitet në prurjet e tyre.

Çmime inkurajuese

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës zhvillohet një herë në pesë vjet. Ai është monumenti më i madh i Trashëgimisë Jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion, por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, njësoj siç ruajmë e mbrojmë kalatë dhe parqet arkeologjike! Festivali Folklorik i Gjirokastrës është monument kulture dhe si i tillë duhet të mbrohet nga shteti dhe nga e gjithë shoqëria. Ai është i vetmi monument kulture ku marrin pjesë e përfaqësohen, në një mënyrë apo në një tjetër të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Folklorike, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, në vijim do të organizojnë Tryezën Post-Festival me karakter studimor, për të nxjerrë në pah elementët që u shquan në këtë festival dhe për të krijuar një terren të favorshëm studimor për Folklorin shqiptar. Edicioni i 11-të i Festivalit Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në vitin 2020./Mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat