​“Rrethi i Kujtesës” në 39 fotografi

Kultura

​“Rrethi i Kujtesës” në 39 fotografi

Më: 28 prill 2015 Në ora: 18:42

E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja u bashkuan në “Rrethin e Kujtesës”. Në 39 punime, në pëlhurë, hamer e dru, u mblodhën kujtime nga e kaluara, ndodhi nga e tashmja dhe dëshira e ëndrra për të ardhmen, që bashkë përbëjnë ekspozitën “Rrethi i Kujtesës” të realizuar nga organizata jo qeveritare “Aksioni kundër dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”, e mbështetur nga organizata gjermane “Kurve Wustrow”.

Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite, që është në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, u bë pasditen e së martës. Autorët e ekspozitës treguan për punën e bërë në këtë projekt, që sipas tyre nuk ishte e lehtë por plot emocion.

“Rrethi i Kujtesës” në 39 fotografi, flet për luftën në Kosovë, dhunën, të zhdukurit, ëndrrat e dëshirat që autorët kanë paraqitur përmes artit.

Ekspozita përfshin 39 punime në pëlhurë, hamer dhe dru. Punimet janë të ndara në tre pjesë. Nisin me “Udhët e së kaluarës” ku përfshihem punime dhe tregime që flasin për ngjarje nga e kaluara. Pjesa e dytë paraqet të tashmen, si urë lidhëse në mes së kaluarës dhe së ardhmes. Sipas autorëve, e tashmja është koha kur duhet të gjejnë forcë që të flasin, të rrëfejnë përvojat dhe t’i dëgjojnë të tjerët duke rrëfyer. Dhe pastaj, është pjesa e tretë e titulluar “Vizioni i Ardhmërisë” me punimet që flasin për dëshirat, ëndrrat dhe planet jetësore që çdonjëri pret t’i realizohen në të ardhmen.

Emine Ismajli nga organizata ANP mendon që është shumë i nevojshëm ballafaqimi me të kaluarën.

Emine Ismajli: E kaluara me dhimbje

“Ekspozita fillon prej punimit të parë tek Minatori, punimet janë të vendosura në mënyrë kronologjike dhe nëse i kushtoni pakëz vëmendja secilit prej punimeve nga e kaluara do të arrini të kuptoni se sa dhimbje paraqitet nga e kaluara në këtë pjesë. Ka qenë rrugë e gjatë ajo që e kemi kaluar me grupin, e di që shpesh nuk ka qenë aspak e lehtë se ka pasë shumë emocione, mirë është shumë e nevojshme që të ballafaqohemi me të kaluarën,. Me të gjitha gjërat e këqija që kanë ndodhë”, tha ajo.

Ajo tregoi se çdo punim që e kanë paraqitur në pjesën “Udhët e së kaluarës” është një tregim i dokumentuar dhe plotësuar me fotografi.

Puna e bërë nga organizata ANP duke mbledhur kështu të tre kohët në një ekspozitë, u vlerësua lart edhe nga mbështetësit gjerman.

Helga Luisa Sathof nga organizata “Kurve Wustrow” ndau me autorët, vështirësitë emocionale që kanë pasur duke u ballafaquar me të kaluarën.

Helga Luisa Sathof: Nuk është i lehtë ballafaqimi me të kaluarën

“Të gjithë e kemi më të lehtë të merrmi me diçka më të mirë, sepse nëse merremi me pjesët nga e kaluara, me vuajtjet dhe dhembjet, atëherë edhe ato dhimbje edhe kujtime do të na kthehen përsëri. Nuk është lehtë që të hapemi, kërkon shumë vetëbesim, dhe nganjëherë ky besim mund të shfrytëzohet në mënyrë të mirë, por nganjëherë për fat të keq ky mirëbesim mund të jetë në dëm tonin. Pir të merremi me të kaluarën tonë është edhe një pjesë e shërimit tonë, por mund të jetë edhe një mënyrë që mund të ketë ndikim në shoqërinë tonë në mënyrë më konstruktive dhe më të mirë”, tha ajo

Në këtë ekspozitë, çdo punim është një tregim nga jeta e çdonjërit prej pjesëmarrësve të projektit, të cilët kanë dallim në moshë, gjuhë, fe dhe etni. Ata vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës.

Ekspozita “Rrethi i Kujtesës” është pjesë e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, të realizuar nga organizata jo qeveritare “Aksioni kundër dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”./G.KADRIJA/.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat