Nisën aktivitetet për nder të Ditës Ndërkombëtare të Librit, 23 prillit

Kultura

Nisën aktivitetet për nder të Ditës Ndërkombëtare të Librit, 23 prillit

Më: 20 prill 2015 Në ora: 13:20

Mëngjesi i së hënës nisi me aktivitetet e Ditës Ndërkombëtare të Librit. Këto aktivitete u hapën me një ekspozitë në Qendrën Kulturore dhe Informative të BE-së ku u paraqitën 10 poezi të thesarit të letërsisë botërore. Këto poezi jo vetëm që u ekspozuan, por ato u lexuan nga aktorët dhe shkrimtarët e Kosovës. I gjithë ky organizim u bë i mundur nga Qendra Kulturore dhe Informative e BE-së e cila është duke zhvilluar fushata dy mujore me tema të caktuara, prilli dhe maji kanë të bëjnë për gjuhën, artin dhe kulturën dhe kjo lloj fushate përkon me ditën ndërkombëtare të librit që është 23 prilli.

Violeta Hyseni Kelmendi, zyrtare për informim në këtë qendër tha për KultPlus se këto aktivitete do të zgjasin brenda një jave dhe poashtu foli për ekspozitën e poezive të kaligrafuara, që sipas saj është një risi në Kosovë. “Kemi filluar sot me ekspozitën e poezive të kaligrafuara që është një risi jo vetëm për neve këtu në qendër por besoj edhe në Kosovë ku poezitë e poetëve vendor dhe ndërkombëtar janë paraqitur në një formë më ndryshe, në një formë mjaft artistike. Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur për disa ditë do të jetë e hapur edhe për ditën e Evropës për 9 majin. Patëm interpretimin e poezive nga aktorë, dhe nga poetët tanë. Poezitë që janë të ekspozuara janë nga gjuha shqipe, serbe, turke, angleze, italiane, gjermane dhe frënge, kjo ngase edhe fushata jonë ka të bëjë me promovimin e gjuhëve”, tha ndër të tjera ajo.

Ndërsa aktivitetet e tjera do të jenë të ndryshme, ku kryesisht do tu jepet mundësi fëmijëve të shprehin talentin e tyre në të shkruar, si atyre kosovar dhe serb. “Përndryshe gjate kësaj jave do të kemi edhe një seri aktivitetesh kur të martën dhe të mërkurën do të kemi një punëtori me fëmijë të cilët do të trajnohen në shkruarjen e historive të shkurtra dhe tregimet e tyre, pastaj do të publikohen në një libër bashkë me tregimet të cilat do ti shkruajnë fëmijët serb në veri të Mitrovicës, dhe do të shpërndahen falas për fëmijët në ditën e Evropës. Të mërkurën do të kemi edhe një diskutim ku temë do të jetë “Libri tradicional kundrejt librit elektronik”, kjo me qëllim që të shohim se sa shtëpitë botuese po promovojnë librat e tyre edhe në formë elektronike. Dhe aktiviteti i fundit që është të premten është diskutimi për “Përkthimet letrare si diplomaci kulturore” në të cilën do të merr pjesë edhe një shkrimtare nga Britania, Albatros Rexhaj, Ndue Ukaj dhe Ilire Zajmi”, u shpreh Hyseni Kelmendi.

E nga ana tjetër, shkrimtarja, Ilire Zajmi foli për vlerësimin e poezive, të cilat, sipas saj është një fakt botëror që nuk respektohet shumë, por që në kohën e fundit ajo thotë se është një lloj zgjimi i vogël sidomos nga ana e të rinjve. “Ka një kthim sado pak të vogël nga poezia, nga moshat më të reja, por natyrisht që kur ka aktivitete si këto sot e tërheqin më shumë vëmendjen nga arti, mirëpo ne nuk duhet si shoqëri të na bie ndër mend për artin dhe për poezinë vetëm kur është dita e librit apo dita e poezisë e shumë të tjera. Poezia duhet të shërbej si zë i popullit”, theksoi Zajmi.
Kurse shkrimtari, Fahredin Shehu tha se gjenerata më e re se ai kanë një mundësi më të madhe dhe më të lehtë deri tek arritja e librit, duke përfunduar kështu se nga kjo gjeneratë ka interesim të leximit të gjërave të tjera e jo nga ato që kanë lexuar gjenerata e tij më herët.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat