Djemtë e grupit: Së shpejti një këngë për Gentin

Kultura

Djemtë e grupit: Së shpejti një këngë për Gentin

Më: 29 janar 2015 Në ora: 18:39

Me zërin e tij në sfond dhe lulet që mbuluan arkëmortin, qindra fansa, njerëz të kulturës, miq dhe bashkëqytetarë lezhjanë i kanë dhënë dje lamtumirën yllit të muzikës rok në vend pas viteve ’90, Gentian Demaliaj. Homazhet për nder të artistit u mbajtën paradite në hollin e RTSH-së, për të vijuar më pas me kortezhin e gjatë të njerëzve që mes lulesh e lotësh e shoqëruan deri në banesën e fundit. Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Demaliaj është përjetuar me dhimbje nga mijëra fansa të tij kudo. Rrjetet sociale janë mbushur me vargje dhe këngë të tij, në shenjë nderimi për legjendën e muzikës së re shqiptare.

Të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës kanë qenë dhe tre anëtarët e grupit “Djemtë e detit”, ndërsa dy prej tyre nuk patën mundësi të vinin pasi jetojnë jashtë. Por emisioni “Pasdite” në “Top Channel” ka mundur ta bashkojë sërish grupin. Flamur Toska, Bujar Daci, Shkëlqim Rustia dhe përmes lidhjes telefonike Shkëlqim Metaj dhe Valentin Markbukaj kanë sjellë disa kujtime nga koha e krijimit të grupit, trishtim për humbjen e parakohshme të mikut të tyre dhe planet për të ardhmen. “Sot është një çast i vështirë për të folur, pas kësaj tragjedie. Muzika shqiptare ka humbur një nga zërat më të mrekullueshëm”, tha Toska. Ai është kthyer pas në kohë duke kujtuar kohën kur grupi u njoh me Gentin. Fillimisht grupi ka pasur soliste këngëtaren Merita Selimi.

“Shkëlqimi vjen një ditë në studio, dhe na thotë se kishte gjetur një element të veçantë, një djalosh simpatik. Ne e pamë dhe na u duk i vogël. Ishte vetëm 15 vjeç. Por kur e dëgjuam në piano, vokalin dhe grinë e zërit të tij u befasuam”, tregoi Flamuri njohjen me Demaliajn. Ky takim i rastësishëm do të ndryshonte të ardhmen e grupit. Genti ishte një fans i tyre. “Ishte koha kur Shqipëria ishte në tranzicion dhe ne ndiheshim si disidentë në muzikën që bënim. Kur e dëgjova të këndonte për herë të parë mbeta i shokuar.

Pasi kënga e tij për atë kohë ishte revolucion”, kujtoi Shkëlqimi. Koncertin e parë grupi tashmë me një solist të ri e bëri në Pallatin e Kulturës Lezhë. Me rebelizmin ku besonin, ata ngjitën në skenë një këngë të grupit “Europe”. Një këngë e ndaluar që do t’i bënte të rrinin disa orë në policinë e qytetit. Si kompozitor i grupit Bujari ka sjellë në kujtesë bashkëpunimet për krijimin e këngëve. Genti, sipas tij, dinte të futej në strukturën e këngës. Duke marrë rastin e këngës hit të grupit “Mos qaj”, ai tregoi se pasi e kishte ndërtuar muzikën ia tregon Gentit. “Ai më tha që muzika ishte shumë e bukur, thjesht duhet t’i rrinim strukturës. Tekstin e bëri Genti dhe ishte një tekst shumë përparimtar për kohën. Unë i thosha se ndoshta po guxojmë mos duhet të kemi frikë, por ai ishte i bindur te teksti”, kujtoi Daci.

Përmes lidhjeve telefonike nga Australia dhe Zvicra dy anëtarët e tjerë të grupit Valentin Markbukaj dhe Shkëlqim Metaj shprehën dhimbjen për ndarjen nga jeta të Demaliajt. “Genti ka lënë pas shumë kujtime. Ndihem me fat që kam pasur mundësi të kem bashkëpunuar me një vokal të kalibrit të tij. Ishte një rock star, jam i sigurt që do të kujtohet si i tillë”, tha Markbukaj. Djemtë folën dhe për kohët kur ai luftoi me sëmundjen, për entuziazmin që shihte të nesërmen. Sipas Flamurit, grupi do të rikthehet së shpejti në treg me një këngë kushtuar Gentit. “Kemi në projekt një krijimtari të re, dedikuar Gentit për gjithçka na ka lënë. Shumë shpejt do të kemi një këngë kushtuar atij”, tha ai.

Grupi “Djemtë e detit” u krijua për herë të parë në qytetin e Lezhës në vitin 1989. Muzika e tyre do të shihej si revolucion për kohën, dhe gjithë tekstin e trishtë që mbartte. Me ndikime nga hard roku dhe metali, ata sollën një frymë të re në muzikën shqiptare. Zëri i Demaliajt do t’i jepte grupit një sukses jo vetëm në skenën e festivaleve, por dhe në turet koncertore që bënë brenda dhe jashtë vendit. Ndarja nga jeta e Demaliajt është një humbje jo vetëm për grupin, por dhe për muzikën shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat