Shtëpia botuese "MAX" prezanton ofertën, dy romane për verën

Kultura

Shtëpia botuese "MAX" prezanton ofertën, dy romane për verën

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 10:02

Edhe këtë verë shtëpia botuese “MAX” prezanton dy tituj të ri për lexuesin. Romanet janë “Luani” nga Joseph Kessel dhe “Zonja pa emër” nga Virion Graçi. Secili prej tyre ndryshon nga 300 lekë përkatësisht në 200 lekë.

Luani” nga Joseph Kessel

Gazetari dhe shkrimtari Joseph Kessel, pasi i bie kryq e tërthor Afrikës, vendos ta përfundojë udhëtimin e tij në një rezervat natyror në Kenia. Aty njihet me administratorin e parkut, gruan dhe vajzën e tij, Patrician, një fëmijë i çuditshëm, që për shokë ka kafshët e egra dhe në veçanti një luan: Kingun. Ajo është miqësuar aq shumë me kafshën e madhërishme, Kingun, sa që jo vetëm nuk e ka frikë, por merr prej tij po atë dashuri që merr edhe nga njerëzit. Për Kessel-in, Kenia është parajsa e humbur, dhe më pas e rigjetur. Agimi mahnitës rrëzë Kilimanxharos, mrekullitë e Savanës, tufat e kafshëve të egra, peizazhi i pakrahasueshëm afrikan, zbulohen përmes aventurave të Patricias, fëmijës së egër e të vetmuar, ndoshta të vetmes fëmijë të bardhë mbi atë tokë, që jeton mes dashurisë së prindërve dhe të kafshëve njëkohësisht. Në një farë mënyre, vajza e vogël personifikon thelbin e jetës së egër me fytyrë njerëzore dhe na çon në kohërat antike, kur njerëzit dhe kafshët ishin miq. "Luani" i Kessel-it na bën që për disa orë të ndihemi fëmijë e të besojmë në realizimin e ëndrrave më të çmendura. Andre Billy shkruan se: “Një roman realist dhe poetik. Ngjarja mund të jetë e jetuar, ndoshta dhe e imagjinuar. Por, një gjë është e sigurt: është një libër shumë i bukur, shumë origjinal".

Përmasa e dashurisë te “Zonja pa emër” e Graçit

“Zonja pa emër” është historia e vetëvrasjes së një shkrimtari të ri, i cili, duke i dhënë fund jetës, afirmon përmasat mistike të dashurive të tij të mëdha dhe triumfon mbi banalitetin anakronik të një bote në rënie e zvetënim të pandërprerë. Veton Lona jeton për dashurinë e tij tokësore dhe arrin ta gjejë atë përtej jetës, në ujërat e një liqeni, ku zhytet për të mos dalë më i vetëm prej andej. “Zemra ime pushoi së rrahuri; uli kokën, më ktheu krahët dhe u largua qetë-qetë, për të mos u kthyer kurrë më. Unë mbeta në mëshirën e valëve të liqenit, të cilat, kur dielli i mëngjesit po dilte mbi shpinën e malit, më nxorën në breg, shumë pranë gjurmëve të tua. Gjatë natës, ti ishe zhvendosur edhe pak më tej, por tani e saktësova vendndodhjen tënde dhe e di ku të të gjej. Mos u mërzit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat