Kolonja: Organizatorët ose të kërkojnë falje ose do të tërhiqem

Kultura

Kolonja: Organizatorët ose të kërkojnë falje ose do të tërhiqem

Më: 18 prill 2014 Në ora: 16:39

Këngëtari shqiptar, Selami Kolonja, pjesëmarrës në festivalin e këngës shqipe “Kënga ime”, ka reaguar pas tërheqjes së shumë këngëtarëve kosovarë nga ky festival, pas prezantimit të këngëtarit serb, Zdravko Çoliq. Sipas tij, nëse nuk do të reflektojnë apo nëse nuk do të kërkojnë falje organizatorët e këtij festivali për gabimin e bërë të cilët e kanë ftuar Çoliqin në këtë festival, atëherë edhe ai do të tërhiqet nga gara.
“Të dashur vëllezërit e mi shqiptarë nga do që ndodheni dua të sqaroj qëndrimin tim lidhur me situatën kaotike, të rrezikshme përçarëse dhe të frikshme që është krijuar nga vëllezër të një gjaku të një gjuhe e një flamuri”, ka shkruar Kolonja në rrjetin social facebook .

“Në TV Klan, javën e kaluar ishte i ftuar ose i deleguar për të na përçarë këngëtari serb Zdravko Çoliq! U ndjeva dhe vazhdoj të ndjehem i tronditur nga kjo situatë e pa lakmueshme dhe pyes veten vazhdueshëm: si është e mundur që në kryeqendrën tonë shqiptare në Tiranë të dekorohen, të madhështohen e të mitizohen këngëtarët që i takojnë një shoqërie, një politike çnjerëzore ku për anomali këngëtarët e ftuar kurrë sjan distancuar nga bëmat që bëri ushtria e tyre gjakatare e përbindëshave serb mbi popullin tonë në Kosovë! Kjo ndodhi për të dytën herë në Tiranë !
Të parën herë kur Kryeministri aktual Rama, atë kohë kryebashkiak i Tiranës ja dhurojë me ceremoni Bregoviqit çelësin e Tiranës dhe së dyti me të ftuarin tjetër një javë më parë në festivalin mbarëkombëtar "Kënga ime", po në Tiranë!

Që të mos ndodhë e të na reprizohen më skena të tilla unë protestoj deri tek organizatorët e spektaklit e më gjerë që të reflektojnë e pse jo falje të kërkojnë para opinionit të gjerë shqiptar për ndoshta këtë gabim pa dashje që mund të kenë bërë (ose që dikush që ndërmjetësonte këngëtarin serb Çoliq, mund ti ketë dezinformuar organizatorët që i njëjti është boshnjak e jo serb që vetëm e vetëm të arrihet qëllimi, pra përçarja shqiptaro-shqiptare që ne këtë gjë kurrë më s'duhet lejuar )
Që të ftohen gjakrat e ne mandej njëri tjetrin ta shohim në sy, ta duam e ta respektojmë sepse nuk na duhen më paragjykimet dhe përçarjet por na duhet bashkim! Duhet vënë gishtin kokës të gjithë ne se ç’fushatë po bëjmë që të gjithë, mediat, a në radhë të parë organizatorët duhet sqaruar dhe deklaruar para opinionit .
Nëse organizatorët nuk reflektojnë edhe unë do të tërhiqem nga spektakli "Kënga ime " sepse fjala e Zotit dhe e Popullit është e barabartë ,ndërsa unë jam bir i këtij populli !”, ka përfunduar Kolonja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat