​Rikthehet Java e Gjuhës italiane në Kosovë, këtë vit për të zbuluar gjenialitetin e saj

Kultura

​Rikthehet Java e Gjuhës italiane në Kosovë, këtë vit për të zbuluar gjenialitetin e saj

Më: 26 tetor 2026 Në ora: 08:28
Ilustrim

Rikthehet në Kosovë Java e Gjuhës italiane në botë, ngjarja e përvitshme që promovon gjuhën italiane, pasurinë e saj kulturore dhe rolin e saj në krijimtarinë bashkëkohore.

Në edicionin e saj XXVI nga data 26 deri më 30 tetor, java do t’i kushtohet “Gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh dhe të krijosh në gjuhën italiane”.

Ky edicion vë në pah larminë dhe potencialin e gjuhës italiane, e cila jo vetëm trashëgon një traditë të pasur kulturore, por është edhe një mjet që nxit dhe përcjell në botë aftësinë krijuese dhe mjeshtërinë italiane.

Në këtë mënyrë, gjuha italiane bëhet një pasqyrë e përsosmërisë italiane, duke nxjerrë në pah lidhjen e ngushtë mes kulturës dhe zhvillimit ekonomik në fusha të ndryshme, nga teknologjia dhe inxhinieria te dizajni, letërsia dhe gastronomia.

Me këtë rast, Ambasada e Italisë në Prishtinë ka përgatitur një program të pasur me aktivitete, me synimin për t’iu afruar brezave të rinj, duke filluar nga fëmijët, dhe për të promovuar gjuhën italiane si një mjet për të shprehur krijimtarinë në të gjitha fushat.

Për këtë arsye, Ambasada ia ka kushtuar Leonardo da Vinçit aktivitetin e hapjes së Javës së Gjuhës Italiane në Botë 2026 (SLIM2026).

Më 26 tetor, në orën 17:15, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogani”, ambasadori Maurizio Antonini do të përurojë hapësirën e dedikuar librave në gjuhën italiane, të dhuruar nga Bibliotekat Qytetare të Torinos, të përfaqësuara nga Rosanna Nocco së bashku edhe komandantin e bazës së Karabinierëve në kuadër të misionit KFOR-it, Di Fiore, i cili ka lehtësuar transportin e librave të dhuruar. Më pas, profesori Lorenzo Coveri, ish-profesor i rregullt i gjuhës italiane në Universitetin e Gjenovës dhe anëtar korrespondent i Akademisë së Kruskës, do të prezantojë botimin e kësaj akademie me titull “gjuhë e sjellshme, gjuhë gjeniale: të krijosh ide, të projektosh dhe të krijosh në gjuhën italiane., duke u ndalur veçanërisht te gjenialiteti i gjuhës së Leonardo da Vinçit.

Po ashtu, do të përurohet një ekspozitë kushtuar figurës dhe veprës së Leonardo da Vinçit, e përgatitur nga ambasadori Stefano Baldi dhe e përkthyer në gjuhën shqipe, me synimin për t’ua bërë të njohur figurën e tij sa më shumë nxënësve dhe personave të interesuar.

Ekspozita, e konceptuar si një ekspozitë shëtitëse, do të prezantohet më pas në shkolla dhe universitete të ndryshme në Kosovë.

Nisma organizohet nga rrjeti diplomatik dhe kulturor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, nën patronazhin e lartë të Presidentit të Republikës Italiane.

Kujtojmë, Java e Gjuhës Italiane në Botë organizohet çdo vit nga rrjeti diplomatik dhe konsullor italian dhe Institutet Italiane të Kulturës, në bashkëpunim me partnerët tradicionalë në fushën e promovimit të gjuhës: Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit dhe të Meritës, Ministrinë e Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor, Qendrën për Librin dhe Leximin (CePeLL), Qeverinë e Konfederatës Zvicerane, Akademinë e Kruskës, Këshillin e Përgjithshëm të Italianëve jashtë vendit (CGIE), Komunitetin Radioteleviziv Italishtfolës, Institutin e Enciklopedisë Italiane Treccani, RAI Italia dhe Shoqatën Dante Alighieri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat