Në kujtime, në mendje dhe në zemër – Zejnullah HALILI (1945 – 2004)

Kultura

Në kujtime, në mendje dhe në zemër – Zejnullah HALILI (1945 – 2004)

Nga: Don Lush Gjergji Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 12:10
Zejnullah HALILI

Një kujtim, nderim, falënderim dhe dashuri për mikun, shokun, vëllain, bashkëpunëtorin e shquar dhe të dalluar, krijuesin e rrallë dhe burimor, poetin e të vegjëlve – fëmijëve, veprimtarin e zellshëm dhe dinamik, shkrimtarin që la gjurma në mendjen dhe zemrën time, besoj edhe të tjerëve, tashmë të ndjerin Zejnullah HALILI-n, që ne e quanim me shumë dashuri ZENA.

Vitet po shkojnë dhe kalojnë, koha po rrjedh me ritmin tashmë shekullor, ngjarjet po ndodhin dhe kujtohen, aty - këtu edhe po harrohen, sidomos e mira, koha po “fluturon” dhe po na përplas në batica dhe zbatica, duke na ftuar në dinamikën dhe shpejtësinë marramendëse, si një lloj vrapimi apo gare që nuk ka më të ndalur...

Disa njerëz, miq, vëllezër – motra, po na lënë në vetmi dhe dhembje, pikëllim, po “ngutën” për ta arritur amshimin, se ndoshta kjo botë dhe jetë po iu duket tepër e vrazhdët, jo – njerëzore, monotone, sipas atij parimi të njohur dhe shumë të vërtetë: asgjë e re nën këtë nën-qiell!

Skena jetësore e ngjashme apo edhe e njëjtë, me ndërrime dhe dallime, që herë janë të mira dhe pozitive, herë të liga dhe negative, neve ndoshta nuk na pëlqejnë, ose na shtrojnë shumë pyetje dhe shqetësime, me një pyetje jetësore dhe bazike: deri kur kështu?...

Fëmijët po lindin dhe rriten, në gëzim të tyre dhe tonë, tjerët po plaken, tërhiqen, anësohen, disa edhe po zhduken tërësisht apo përkohësisht...Në skenën e jetës po ndodhë jeta dhe vdekja, gëzimi dhe pikëllimi, takimi dhe ndarja, dashuria dhe urrejtja...

Tregimi për të kaluarën nis dhe përfundon gjithmonë njësoji: na ishte dikur... Po, para 20 viteve, në heshtje dhe në vetmi, papritmas, pa ndonjë paralajmërim apo shenjë, pa ndonjë përshëndetje, na la Zejnullah Haliti.

Nuk po i besoj “kohës” dhe “vdekjes” së pangopshme, as vetvetes dhe numërimeve të mia. Megjithatë kaluan plot 20 vite, për dikë pak, për tjerët shumë, tepër shumë, sidomos për ata që janë në dhembje dhe në pikëllim, që ngushëllohen me fe në pavdekësi dhe në amshim, në kujtime, nderime dhe falënderime, sidomos në dashuri.

Më kujtohet një fjalë, porosi dhe thënie e Shën Nënës Tereze: “Kush beson dhe dashuron, gjithmonë jeton.”

Kush ishte dhe është për mua Zejnullah Halili? Në lundrim të kujtimeve duhet të kthehem në kohë, diku në vitet e 80 – ta, kur jemi takuar dhe njohur. Ishte një i ri me plot jetë, energji, dinamikë, vrull për jetë dhe krijimtari.

Pas bisedës dhe takimit tonë të parë, ai më tha kështu: “Jetoj për të krijuar dhe krijoj për të jetuar!” Filozofi dhe jetë, jetë dhe filozofi. Ishte një krijues pothuaj se gjithnjë i frymëzuar dhe motivuar, me fjalë të mira dhe porosi jetësore në maje të gjuhës, me shikim të thellë dhe depërtues, me zë të ëmbël dhe të ngrohtë, me mend dhe zemër të hapur për çdo njeri, sidomos për ata që vuanin, pësonin, ishin të goditur dhe të tronditur nga rrethanat e jetës dhe ngjarjet e përditshmërisë. Në dorë kishte gjithnjë ndonjë libër, fletore, shkrim, sepse ai ishte “kroniku” i kohës pa kohë për ne.

Jemi takuar shpesh, rregullisht, në takime të poezisë, të krijimtarisë, të promovimeve të botimeve të ndryshme, në veprimtaritë e SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”. “Zena ynë” ishte motor që lëvizte gurë dhe dru, mendje dhe zemra, që krijonte atmosferë, gëzim, vetëbesim, guxim, vegim, optimizëm, gjallëri për jetë dhe për krijimtari...

Gëzohej dhe ngazëllehej si ndonjë fëmijë, me zemër të pastër dhe të thjeshtë, veçanërisht të mirës së përbashkët dhe vëllazërore. Për atë çdo njeri ishte si ndonjë kështjellë e madhe dhe e bukur, në të cilin lypset të hyjmë dhe ta shijojmë. “Dera dhe dritaret” për të ishin fjala e mirë dhe frymëzuese, qëndrimi i shëndoshë dhe pozitiv, mendja dhe zemra e hapur, me pak fjalë, jeta për të ishte dhe mbetej: takim, afrim dhe bashkimin nëpërmjet komunikimit në vazhdimësi.

Në brendinë e tij të pasur dhe shumë njerëzore ai shikonte, vrojtonte, zbulonte, çmonte, vlerësonte, zgjonte, rriste gjithmonë të mirën, të drejtën, të vërtetën, mbi të gjitha Jetën dhe Dashurinë. Kurrë nuk ishte vetëm shikues dhe vëzhgues, por gjithnjë krijues dhe pjesëmarrës i qenies Njeri.

Në një rast, tejet i ngazëlluar dhe frymëzuar, më tha: “Don Lush, nëpërmjet Nënës Tereze, nëpërmjet teje dhe shkrimeve, botimeve tua, unë e kam zbuluar vetveten, rrënjët e mia, lashtësinë dhe bukurinë tonë, mbi të gjitha jetën dhe pavdekësinë... Mendo pak, në rreshtat e saja: Jeta është jetë, jetoje... Jepe pjesën më të mirë të vetvetes... Tashmë Kokaj, Kardaku ynë, e tërë Kosova, bota shqiptare, është një gërshetim dhe mozaik historie dhe arkeologjie, jo vetëm e panjohur dhe nëntokësore, e “kriposur” dhe e keqtrajtuar, falsifikuar nga ideologjia , në ne dhe në ndërgjegjen tonë ndoshta pak e njohur dhe pranuar... Mirëpo fatbardhësisht, siç po thua Ti shpesh, tash po i kthehemi Vetvetes dhe të Vërtetës...”

Ky entuziazëm për jetë, për krijimtari, për histori, ta tashme dhe ardhmëri, ishte fuqia bartëse dhe krijuese, motivuese, që atë e bënin shumë të rrallë, mos të them unik, si Njeri dhe si krijues dhe veprimtar. Nëpërmjet “Karvani i Poetëve për Fëmijë”, ai mbillte farën e mirë të jetës, të gjallërisë, të bukurisë, mbi të gjitha të frymëzimit, dashurisë dhe pavdekësisë. Nëpër takime, shkolla, fshatra dhe qytete tona, ai së bashku kolegët krijues si Aton Çetta, Rexhep Hoxha, Mark Krasniqi, Bedri Dedaj, Rifat Kukaj dhe shumë të tjerë, ishte gjithnjë në veprim, aktiv dhe kreativ.

Pas një takimi të tillë, më tha: “Kur i shoh fëmijët tanë me sytë e zemrës dhe të dashurisë, shijoj pafajësinë e tyre, dhe aty për aty frymëzohem, krijoj, sepse ata janë “ara” pjellore për të tashmen dhe të ardhmen tonë... Pas çdo takimi me fëmijë nëpër shkolla të Kosovës, unë begatohem, frymëzohem, kthehem dhe jam ndryshe, sepse vetëm kështu të frymëzuar dhe të motivuar jeta vërtet është e bukur, është mrekulli në vazhdimësi.”

Zejnullah Halili mbolli mirë kudo, në mendjen dhe zemrën e fëmijëve dhe të rinisë sonë, në çdo shkronjë, fjalë, varg, takim, bisedim dhe komunikim, sidomos si mësues, krijues dhe drejtues i “Pionierit”, më vonë “GEP-it”, bashkëpunëtor i Radio Prishtinës.

Pas 20 viteve pa “Zenën” tonë, fizikisht, por me “Zenën” tonë shpirtërisht dhe kulturalisht, erdhi ndoshta koha e “lamës”, për ta mbledhur dhe vlerësuar jetën dhe krijimtarinë e tij kaq të begatshme dhe shumë domethënëse për kohën dhe hapësirat tona.

Thënia e tij poetike dhe profetike ishte kjo: “Në rrënjë dhe në burim gjendet jeta, frymëzimi, lumturia!”

“Zena ynë” jetoftë në mendjen dhe zemrën tonë, duke e kujtuar me nderim dhe falënderim, mbi të gjitha me fe, shpresë dhe dashuri! Pushoftë në paqe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat