KEK-u i shpërfillë çlirimtarët e vet

Kultura

KEK-u i shpërfillë çlirimtarët e vet

Nga: Sylejman Krasniqi Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 20:36
Kopertina e librit

Në ditën e përurimit ( 22 shtator 2022) të librit-monografi “Engjëll Mazreku përballë tymtarëve të KEK-ut”, i cili u mbajt në hyrjen e drejtorisë së minierës së qymyrit në Bardht, u hodh ideja (nga punëtorët e minierës) për shkrimin e një Monografie për punëtorët e minierës të rënë në luftën e UÇK-ës në vitet 1998/1999. Autorët e monografisë për Engjëll Mazrekun (Sylejman Krasniqi e Luan Pallaska) e pranuan me plot dëshirë dhe kënaqësi këtë propozim. Këtë propozim e përkrahën edhe strukturat aktuale udhëheqëse të minierës së qymyrit të Bardhit, të Divizionit të Qymyrit dhe të KEK-ut.

Atë ditë të gjithë punëtorët e pranishëm, së bashku me zyrtarët e KEK-ut, e përjetuan këndshëm përurimin e Monografisë për Engjëll Mazrekun sepse me të ndjerin kishin punuar një kohë të gjatë dhe kishin kujtime shumë të mira nga puna e përbashkët me te, në kohën e okupimit të egër sllav që nga vitet 1968 e këtej. Engjëll Mazreku ishte kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut në vitet e pasluftës 2000-2001, i cili pati ndikim të madh në këndelljen e KEK-ut nga pasojat e luftës.

Emocionet u shtuan pasiqë përurimi i librit u bë para Lapidarit të të rënëve, punëtorë të minierës së Bardhit, me të cilët kishin punuar për një kohë të gjatë dhe kishin kujtime të paharruara.

Pllakati-lapidar i ngritur për punëtorët e minierës së qymyrit në Bellaqevc, të vrarë në luftën e fundit 1998-1999

Autorët e librit e morën seriozisht shkrimin e Monografisë për bashkëpunëtorët e tyre në minierë, e tani të vrarë në luftën e UÇK-ës. Ndihmë të pakyrsyer, në shkrimin e monografisë, dhanë edhe zyrtarët e minierës dhe të DPQ-ës në sigurimin e dokumentacionit përkatës. Edhe anëtarët e familjeve të punëtorëve të rënë në luftë na kanë ndihmuar në përpilimin e biografive të të rënëve, familjarëve të tyre.

Shkrimi i Monografisë për punëtorët e rënë në luftë filloi menjëherë dhe përfundoi së shkruari në fund të muajit maj të vitit 2023. Monografia e mban titullin “Heronjtë e qymyrit - UÇK-ja e vegjëlisë”. Nga këta punëtorë të rënë në luftë tre prej tyre janë shpallur “Heronjë të Kosovës” për kontributin e tyre në luftime. Të 36 të tjerët janë dëshmorë e martirë.

Nga fundi i muajit maj e deri më sot libri po pret financimin për botim. Punëtorët e minierës së qymyrit të Bardhit, bashkë me stafin udhëheqës të minierës, ishin të gatshëm për financim të librit. Edhe anëtarët e familjeve të të rënëve qenë të gatshëm për pjesëmarrje në finacim. Por autorët e librit po mendojnë se KEK-u ka detyrim ndaj financimit të librit për punëtorët e vet të cilët u flijuan në luftën e fundit për ta gëzuar ne sot lirinë.

Një kërkesë me shkrim ia kemi bërë BORD-it të KEK-ut për lejimin e mjeteve për botim të librit që në muajin qershor (dorëzuar në arkivin e KEK-ut më 29.06.2023 me ؙnumër të protokolit nr.4138). U bënë shtatë muaj dhe ende nuk e kemi një përgjigje nga KEK-u, qoftë edhe negative. Ditën kur e dorëzuam kërkesën për financim një zyrtar i KEK-ut na tha se financimi i kësaj monografia nuk paraqet asnjë problem për mundësitë e KEK-ut, sepse vetëm për reklama KEK-u i jep çdo herë nga 30.000 deri në 300.000 euro, kurse për 2300 euro KEK-u nuk i ban as dy fjalë, sepse falë atyre trimave të qymyrit (dhe të tjerëve) na e udhëheqim sot KEK-un me të gjitha këto të mira, përfitime dhe privilegje që i gëzojmë. Dhe, fundja, ky libër është njëra nga reklamat më të mira që mund t′i bëhet KEK-ut Të rrofshin fjalët i thamë ati zyrtari. Me sa po vërehet deri më sot Bordi i KEK-ut nuk e ka ndërmend ta financojë botimin  e librit sepse për botim të librit nuk paska mundësi me shpallë tender, e aty ku nuk ka tendera “të mëdhenjtë”, “burrat e fortë” të KEK-ut, nuk përzihen.

Kërkesën me shkrim në arkiv të Bord-it e kemi bërë në kohën kur në krye të BORD-it ishte Skender Haziri kurse kryeshef ekzekutiv i KEK-ut ishte Përparim Kabashi

Ky qenka falënderimi më i “sinqert’ ndaj luftëtarëve trima, atyre që na e bënë të mundur të udhëheqim, t’i  “vjelim” dhe t’i  “mjelim” ne sot të mirat e KEK-ut! 

Tani po dyshojmë se mos po i pengon vet tituli i librit, këta zyrtarë të KEK-ut, që po e zvarrisin financimin e botimin!? Mos po vazhdon ende urrejtja “pacifiste” ndaj UÇK-ës sikurse në kohën e paraluftës dhe të luftës çlirimtare!?

Dëshiruam që të merren pak mjete nga djerësa e punëtorisë së sotme të KEK-ut dhe të kujtohet gjaku i derdhur i luftëtarëve të qymyrit nëpërmjet këtij libri modest. Por, si duket, djersa e punëtorëve ua ka trashur qafën zyrtarëve të lartë të KEK-ut, prandaj edhe e kanë harruar sakrificën dhe gjakun e ish punëtorëve-luftëtarve të qymyrit e të KEK-ut.

Kjo, si duket, është mosmirënjohja e jonë totale ndaj njerëzve të sakrificës!

Po na vjen shumë keq prej familjarëve të të rënëve të cilët janë duke pritur me padurim, për t'i parë në letër të shkruar për prindërit, vëllezërit, djemtë ose nipat e tyre.

Jemi të sigurt që burime për financim të Monografisë do të gjejmë, por ku do të mbetet BORD-i dhe Stafi i KEK-ut në këtë mes?!

Libri është botuar dhe, pikërisht sot, është bërë përurimi i librit në vendin e ndodhjes, në minierën e qymyrit, andej nga kanë dalur trimat për në fronte të luftës. Në përurim ishin të pranishëm edhe familjarët e trimave të rënë për këtë tokë.

16 shkurt 2024 Prishtinë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat