Kampioni

Kultura

Kampioni

Nga: Viron Kona Më: 25 janar 2024 Në ora: 12:16
Viron Kona

Atë pasdite vere Bubulinoja së bashku me babin po shëtisnin pranë fushës së futbollit të lagjes.

-Bubulino, ti e vazhdon prej disa javësh kursin e futbollit, por, mesa po kuptoj unë, ai nuk po të pëlqen aq shumë, apo e kam gabim? - e pyeti babi.

Më pëlqen futbolli,

por më shumë më shkon mendja tek anijet kozmike

pëlqen futbolli, o ba, s`ka fëmijë që të mos e pëlqejë, por gjatë stërvitjes, mua më shkon më shumë mendja tek anijet kozmike. Ndaj, shpeshherë shkëputem nga stërvitja, shkoj në një cep të fushës dhe shfletoj revistat për fëmijë që flasin për planetët dhe anijet kozmike. Trajneri më ka tërhequr disa herë vërejtjen, se duhet të jem më i vëmendshëm gjatë stërvitjes. Madje, për mua, ai i tha një ditë një kolegu të tij: “Atë Bubulinon topolak, po të vazhdojë me këtë indiferentizëm ndaj stërvitjes, do ta largoj nga ekipi”.

Babi i Bubulinos u mërzit nga këto fjalë që i tha vogëlushi dhe e porositi që të dëgjonte më shumë këshillat e trajnerit.

-Nuk them që t`i lësh pa shfletuar revistat për planetët dhe anijet kozmike, - i tha ai, - por çdo gjë ka kohën e vet. Prandaj ti duhet të shkosh në stërvitje, ke kohë edhe për revistat dhe librat e tjerë. Me sa di unë, ti e ke vendosur vetë një orar se kur do të studiosh për kozmosin dhe kur do të shkosh në stërvitje futbolli, apo jo?

-Po, o babi, ashtu është, por mendja më ikën pa dashur dhe s` më pyet fare! Ja, kjo e ka fajin! - tha Bubulinoja dhe goditi lehtë me pëllëmbë ballin e tij.

S`ka futbollist

që t`i bëjë gol me penallti portier Kallamit!

Ndërkohë babit të Bubulinos i tërhoqi vëmendjen diçka dhe i tha vogëlushit të afroheshin te porta jugore e fushës, atje ku ishin grumbulluar të gjithë lojtarët. Ata qëndronin te pika e penalltisë, duke u përpjekur herë njëri dhe herë tjetri t`i bënin gol portier Kallamit. Ai i priste lehtësisht të gjitha penalltitë që gjuheshin drejt tij. Thuhej se me gjuajtje penalltie, asnjëri nga futbollistët e vegjël nuk kishte arritur t`i bënte gol Kallamit. Atë e thërrisnin “portier Kallami”, për shkak se ishte shumë i gjatë e i hollë si kallam, ama për portier ishte i shkëlqyer dhe të gjithë të vegjlit në qytet e përmendnin me respekt emrin e tij. Kur Bubulinoja dhe babi i tij u afruan pranë portës, po shihnin se portier Kallami po mburrej përpara futbollistëve të vegjël. Ai po u thoshte:

-Mua s`ka futbollist që më bën gol! Unë jam më i miri në Evropë! Hajde, kush e ka radhën tani për të gjuajtur nga pika e penalltisë?

Por, tashmë, futbollistët e vegjël ngurronin të afroheshin te pika e penalltisë. Nuk guxonin të gjuanin, ngaqë ishin të sigurt se Kallami do ta priste topin dhe ata do të dëgjonin talljet dhe mburrjet e tij.

Bubulinoja gjuan një penallti

-Gjuaje ti topin, - i pëshpëriti babi Bubulinos, - mbase e bënë gol! Këtu kanë ardhur edhe disa nga Federata dhe ata po kërkojnë talente të reja në futboll. Po të pëlqyen, ata të çelin perspektiva, ndaj shfrytëzoje rastin, Bubulino!

-Çfarë perspektivash çelin ata, o ba?

-Po, ja, ata të rekomandojnë në ndonjë shkollë futbolli të dëgjuar në Evropë dhe ti atje mund të mësosh të bëhesh futbollist bote.

-Jo, o ba, jo, mua më pëlqen të bëhem astronaut, ti e di që unë kam shprehur dëshirën të shkoj në planetin Mars.

-Planeti Mars i takon së ardhmes, Bubulino. Tani po të krijohet një mundësi e re, ti mund të ecësh përpara edhe në futboll, prandaj shfrytëzoje rastin dhe gjuaje topin!

-Nuk e bëj dot gol, o ba, unë nuk jam stërvitur si këta të tjerët. Këtu ka yje futbolli dhe s`po i bëjnë dot gol portier Kallamit e jo unë!

Fëmijët e tjerë po e shihnin Bubulinon me ironi.

-Ai e ka mendjen te planeti Mars dhe te raketat kozmike, as që e di se ç`do të thotë t`i gjuash penallti portier Kallamit! - tha dikush.

-Shko, Bubulino! - e nxiti përsëri babai. - Gjuaje, s`ka gjë se nuk e bën gol. Provoje, veçse gjuaje topin fort! Hajde, vogëlush, bëhu i guximshëm! Po të shohin kaq shumë futbollistë dhe dashamirës të futbollit, ata po presin që ti ta gjuash topin. Madje edhe ata të Federatës po duken të interesuar.

Bubulinos sikur iu mbush mendja dhe u afrua te pika e penalltisë. Disa nga futbollistët e vegjël, sapo panë që Bubulinoja po bëhej gati të gjuante topin, ia nisën romuzeve:

topin Bubulino, gjuaje, po ke për ta dërguar në Mars! Duket se do të presim gjatë ta marrim topin...

-Bubulino, - i thirri dikush, - e ke lidhur mirë këpucën e djathtë, se mos në vend të topit, te portier Kallami do të dërgosh këpucën!

-Kam frikë se, në vend që të gjuajë topin ai do të gjuajë tokën me majat e gishtave dhe do të na detyrojë ta çojmë në ambulancën e lagjes, - u hodh e tha një tjetër.

-Gjuaje, - i pëshpëriti përsëri babi, - gjuaje dhe mos ngurro!

Ndërkaq, portier Kallami, herë i nxirrte gjuhën Bubulinos dhe herë i kthente shpinën, duke shkaktuar të qeshura tek të gjithë sa ishin aty rrotull.

-Hë, Bubulino, gjuaje, veçse unë nuk jam i sigurt, nëse topi do të arrijë deri tek unë apo do të mbetet disa centimetra larg këmbëve të tua topolake....

Të gjithë qeshën përsëri.

Vogëlushi iu afrua topit. Portieri nisi të bënte ca lëvizje si numra cirku dhe vijonte të tallej duke mbajtur duart lart. Ky ishte stili me të cilin ai hutonte çdo futbollist që i gjuante atij penallti.

Arbitri i ra bilbilit dhe Bubulinoja goditi topin me sa fuqi që kishte.

Portier Kallami as që lëvizi nga mesi i portës, mbeti si i ngrirë dhe krejtësisht i hutuar, kurse topi përfundoi drejt e në trekëndëshin e portës GOL!

gjithë mbetën pa fjalë. Një heshtje e çuditshme përfshiu stadiumin.

-Një gol i shkëlqyer! – thirri arbitri duke i rënë bilbilit.

Portier Kallami vazhdonte të rrinte si i ngrirë dhe me duart lart, pa e kuptuar dot atë që kishte ndodhur. Ata të Federatës diçka nisën të bisedonin me njëri-tjetrin dhe shihnin me interesim të dukshëm nga Bubulinoja.

Si e komentuan

gjuajtjen e Bubulinos trajneri i tij dhe portier Kallami

Trajneri i skuadrës iu afrua Bubulinos dhe babit të tij dhe tha me zë të lartë që ta dëgjonin të gjithë, sidomos ata të Federatës:

-Ja se çdo të thotë të dëgjosh me vëmendje këshillat e trajnerit. Ju e patë se me çfarë teknike të përsosur e bëri golin Bubulinoja! Si ky gol nuk është parë në asnjërën nga ndeshjet tona. Të lumtë Bubulino! E kam thënë shpeshherë, ti Bubulino je e ardhmja e futbollit! Ti je yll që po vjen!

Disa nga futbollistët e vegjël nisën ta përgëzonin Bubulinon, kurse disa të tjerë, që dukeshin se ishin ziliqarë, i hidhnin nga larg shikime ironike, por s`kishin çfarë të thoshin se topi kishte shkuar drejt e në trekëndëshin e portës, kurse portier Kallami, vazhdonte të qëndronte si i ngrirë e me duart ngritur në mesin e portës. Dikush i thirri dhe ai sikur u përmend. Fërkoi sytë dhe iu afrua Bubulinos.

-Të lumtë, Bubulino! Më befasove, nuk e prisja atë goditje aq të bukur nga ti! Ishte afërsisht si goditja e sulmuesit vlonjat Sokol Kushta, kur “Flamurtari” i Vlorës u ndesh me “Partizanin” e Beogradit në vitet 80-të.

Në kohën që portier Kallami po përgëzonte Bubulinon, nga të katër anët shkrepnin aparatet fotografike, teksa kamerat xhironin pandërprerë. Portier Kallami iu drejtua përsëri golashënuesit Bubulino:

-Pa më thuaj vogëlush, çfarë stili përdore në atë gjuajtje? Unë i kam studiuar të gjitha stilet që përdorin futbollistët e mëdhenj të globit, por stili me të cilin ti e godite topin ishte krejt i panjohur për mua! Ti e pe edhe vetë që unë mbeta si i ngrirë, madje ende e kam ngrirjen dhe hutimin. Hë, Bubulino, na e thuaj sekretin e atij stili!

Bubulinon e interviston

një gazetare e gazetës “Sporti për fëmijë”

Një vogëlushe, që ishte gazetare e gazetës “Sporti për fëmijë”, i afroi mikrofonin Bubulinos dhe e pyeti:

-Bubulino, çfarë teknike përdore për gjuajtjen e asaj penalltie të shkëlqyer?

Të gjithë mbajtën frymën dhe, duke e parë drejt e në sy Bubulinon, po prisnin përgjigjen e tij.

-Fol me sinqeritet, Bubulino! – e nxiti gazetarja e vogël.

-Hajde, o marsian, na e trego atë teknikën tënde! - hodhi një romuz njëri nga ata që rrinin mënjanë dhe vazhdonin ta shihnin Bubulinon me ironi. Ishte Ridi, futbollisti më i mirë i skuadrës, i cili ishte shpallur disa herë golashënuesi i vitit, por ama, as ai s`kishte mundur t`i bënte gol portier Kallamit.

-Ju, - iu drejtua trajneri gazetares dhe të tjerëve rreth e qark, - tashmë do dëgjoni nga goja e futbollistit tonë të shkëlqyer, Bubulino, teknikat e reja që unë i kam mësuar kohët e fundit, sidomos teknikat braziliane në gjuajtjen e penalltive, teknikat që ka përdorur dikur i madh Pele, por edhe Maradona i famshëm i Argjentinës, kurse sot ato metoda dhe stile i përdor Mesi dhe Ronaldoja. Hë, Bubulino, fol sinqerisht, thuaji ashtu siç është e vërteta!

-Të lutem, Bubulino, - iu drejtua edhe portier Kallami, - edhe unë këmbëngul të na e tregosh këtu në publik dhe në televizion stilin e panjohur që përdore në gjuajtjen e asaj penalltie!

-Atë stil ia kam mësuar unë dhe vetëm unë, - u mburr trajneri. Edhe të tjerëve ua kam shpjeguar, por vetëm Bubulinoja ka qenë i vëmendshëm dhe e ka kapur sekretin e atij stili të panjohur me të cilin skuadra jonë do të marshojë drejt kampionatit evropian për të vegjlit.

Ndërkaq, disa futbollistë të vegjël, që ndodheshin përballë portës po përpiqeshin të imitonin goditjen e Bubulinos kur e çoi topin në rrjetë.

- Hajde, Bubulino, fol! - e nxiti përsëri trajneri.

Bubulinoja u afrua te mikrofoni.

Të gjithë heshtën. Në të gjithë hapësirën e fushës së sportit s`dëgjohej asnjë zhurmë.

-Po ja, - nisi Bubulinoja, - unë...

Heshti një çast. Dukej se ndiente një farë pasigurie apo druajtjeje në fjalët që do të thoshte.

-Thuaje Bubulino, thuaje me kurajë mendimin tënd! - i pëshpëriti babi, që ishte aty pranë. Ai ishte i përfshirë sa në gëzimin që vogëlushi i tij kishte shënuar atë gol të shkëlqyer, aq edhe në ankthin sesi Bubulinoja do t`i përgjigjej pyetjes së gazetares.

-Kur unë u afrova te pika e penalltisë, - nisi të thotë Bubulinoja, - as vetë nuk dija se nga do ta gjuaja topin, thjesht e gjuajta me sa fuqi kisha dhe ai…, për çudinë time, hyri në trekëndëshin e portës!

Të gjithë mbetën gojëhapur dhe të befasuar nga përgjigjja e Bubulinos. Shihnin njëri-tjetrin dhe s`flisnin.

- Më vjen keq që ia bëra unë golin portier Kallamit, -vijoi Bubulinoja, - ai nuk e meriton një gol nga unë, këtu në skuadër ka futbollistë të shkëlqyer...

-Mos i besoni Bubulinos, - u hodh e foli dikush nga fëmijët ziliqarë, - ai dha atë përgjigje, ngaqë nuk do që t` na i tregojë sekretin e asaj gjuajtjeje.

Por askush nuk ia vuri veshin atyre fjalëve, ndërkohë që u dëgjua zëri i gazetares së vogël.

-Bubulinoja është modest! - thërriti ajo me zë të lartë që ta dëgjonin të gjithë:

-Bubulinoja modest, - thërriti e gjithë turma e futbollistëve dhe dashamirësve të futbollit.

-Bubulinoja është kampion, ai e ka vendin në podium, - thirri njëri nga përfaqësuesit e Federatës së futbollit.

-Në podium, në podium, - thërritën zëra të shumtë.

Bubulinoja, hero i ditës në futboll

Ndërsa të gjithë duartrokisnin, Bubulinoja i shoqëruar nga trajneri i tij u ngjit në podiumin ku ishte shkruar me shkronja kapitale: “Kampioni”. Menjëherë drejt Bubulinos kampion vrapoi një vogëlush me një buqetë lulesh shumëngjyrëshe.

-Urime, Bubulino! Sot, ti je heroi i futbollistëve të vegjël të qytetit tonë dhe i dashamirësve të futbollit.

-Faleminderit, - tha Bubulinoja dhe e përqafoi vogëlushin, - por unë thjesht bëra një goditje nga pika e penalltisë dhe asgjë më shumë.

-Po, por me atë goditje ti Bubulino shënove një gol historik, - u hodh e tha trajneri.

Ndërkaq, nga të katër anët vazhdonin të shkrepnin aparate fotografike dhe të xhironin kamerat e televizioneve.

Të nesërmen gazetat “Sporti për fëmijë” dhe “Futbollistët e vegjël” dolën në më shumë kopje se çdo herë tjetër. Në kryeartikujt e të dy gazetave shkruhej: “Bubulinoja, futbollisti më modest i skuadrës ”Kozmosi”, çoi topin drejt e në rrjetë. Portier Kallami përgëzoi golashënuesin Bubulino! Trajneri i madh i Bubulinos, po tregon metoda dhe stile të panjohura deri më sot në gjuajtjen e penalltive!”

Për shkak të kërkesave të shumta, redaksitë e gazetave i përsëritën kryeartikujt ku flitej për Bubulinon si një golashënues i shkëlqyer!

Jehona e atij goli vijoi disa ditë. Jo vetëm te gazetat “Sporti për fëmijë” dhe “Futbollistët e vegjël”, por edhe në gazeta të tjera e revista u shkruan gjithfarë artikujsh vlerësues dhe epitete të tilla, si: “I madhi dhe i shkëlqyeri, Bubulino!”, “E ardhmja e futbollit evropian!”, ”Në futbollin modern sapo mbërriti një yll i panjohur me emrin Bubulino!”, “Sa shumë gjëra nuk di njeriu për futbollin!”, ”Trajneri i Bubulinos, po kërkohet nga disa klube evropiane!”, “Pritet që ai të shpallet trajneri më i talentuar i vitit!”...

Po Bubulinoja, si reagonte?

Gazetat bënin punën e tyre, televizionet shfaqnin lloj-lloj emisionesh me në qendër Bubulinon dhe trajnerin e tij...Madje në shtyp kishte folur edhe njëri nga ata të Federatës. Ai e kishte vlerësuar vogëlushin Bubulino si një “talent të ri me të ardhme të shkëlqyer në futboll”. Dukej se askush s`kishte ndërmend t`i merrte në konsideratë fjalët që vogëlushi përsëriste pareshtur se ai “as vetë nuk e kishte ditur se nga do ta gjuante topin, se ai nuk kishte treguar asnjë zotësi të rrallë në gjuajtjen e asaj penalltie që e kishte bërë të famshëm dhe se ishte çuditur sesi topi kishte përfunduar në trekëndëshin e portës që mbrohej nga portier Kallami!”

Bubulinoja i merrte gazetat që ia sillte babai dhe pasi u hidhte nga një sy, i linte në një qoshe të dollapit. “Këto nuk janë të vërteta!”, - thoshte me vete. Ai vlerësoi vetëm një artikull të botuar në cepin e një gazete rajonale, ku ndërmjet të tjerash shkruhej: ”Dashamirësit e futbollit janë jashtëzakonisht të etur për ndryshime, ata e kërkojnë ndryshimin ku të mundin, madje edhe duke sajuar e fantazuar...”

1.Tregimi është shkëputur nga libri për fëmijë i V. Konës  “Çuditë e Bubulinos!, i cili del së shpejti.

2.Kallam-Bimë me kërcell të fortë, të gjatë, të drejtë, me nyja e bosh përbrenda dhe me gjethe të gjata; kërcelli pa gjethe i kësaj bime përdoret për të mbuluar çatitë, për të bërë tavane, për gardhe etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat