Ky është flamuri ynë

Kultura

Ky është flamuri ynë

Nga: Hamza Halabaku Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 08:46
Hamza Halabaku

Kur mbaronte mësimin, sapo kthe­hej nga shkolla, çantën me libra e linte në vendin e caktuar në odën e burrave...

Ishte ulur afër dritareve, në anën jugore të odës, dhe kishte nisur t’i rregu­llonte librat sipas orarit të mësimeve për ditën që vinte.

Ishte nxënës i klasës së tretë. Atë fund nëntori çdo gjë dukej e bardhë nga bora e atij dimri. Sapo vinte nga shkolla, kështu vepronte për çdo ditë! Pasi i rregullonte librat sipas orarit të mësimeve për ditën e nesërme, fillonte t’i kryente edhe detyrat e shtëpisë!

Të dielën e fundit të atij nëntori ishte shtrirë në shtratin e odës dhe kishte nisur ta kryente detyrën që mësuesja u kishte dhënë nga lënda e edukatës figu­rative! Blloku i vizatimeve nuk ishte as shumë i madh, po nuk ishte as i vogël! Afër bllokut të vizatimeve i kishte lënë vizoren, lapsin grafit, lapsat me ngjyra, gomën, por nuk i mungonin as ngjyrat e ujit.

Në të majtë të fletës së bardhë të bllokut, kishte bërë një shtizë flamuri nga lart - poshtë! Vijat vertikale, që tregonin shtizën e flamurit nuk vëreheshin lehtë, meqë ai lapsin e kishte shtypur fare pak. Ato i kishte bërë me lapsin e butë grafit ngjyrë hiri të errët në të zezë!

Nga shtiza lart-poshtë, bërë me vijat e lapsit ngjyrë hiri në të errët, kishte tër­hequr katër vija nga e majta në të djathtë, ku dukeshin tri fusha tani të zbrazëta!

Në fushën e parë, nga lart, kishte nisur të linte ngjyrën blu.

Këtë flamur e kishte parë Mali në hyrje të shkollës për çdo festë të asaj kohe! Mësuesja i kishte dhënë këtë detyrë shtëpie!

Tani ai përgatiste edhe dy ngjyrat e tjera, të bardhën në mes dhe të kuqen në fushën e poshtme, për ti vënë në fushat e zbrazëta horizontale të flamurit!

Gjyshi, që rrinte ulur në anën tjetër të shtratit të odës, ishte ngritur, pa e vërejtur Mali fare, dhe po shikonte me kureshtje punën e nipit! Mu në mes të të tri fushave të flamurit, Mali kishte nisur të vizatonte një yll pesëcepësh! Donte që, para se t’i ngjyroste tri fushat, në mes tyre të vizatonte e pastaj të ngjyroste yllin pesëcepësh ngjyrë të kuqe! Jashtë pesë­cepëshit kishte vënë një vijë shumë të hollë, gati të padukshme, që duhej bërë me ngjyrë të verdhë!

- Ç’është kjo, biri im? - e pyeti qetë e ngadalë gjyshi, para se ai t’i hidhte ngjyrën e kuqe yllit pesëcepësh!

Është flamuri, gjysh. E kemi detyrë shtëpie! Mësuesja na ka thënë ta vizatojmë e ta ngjyrosim bukur! Ja, si ky që është në librin e lëndës së historisë. Vizatimi më i mirë i flamurit do të shpërblehet me notën e shkëlqyeshme dhe do të vendoset në Gazetën e Murit në shkollë! Përveç viza­timit të flamurit, mësuesja na ka porositur që të shkruajmë një tekst të bukur si duket flamuri dhe çka dimë për Ditën e Republikës... – u përgjigj nipi!

- Oh, biri im, - të pastë gjyshi! - i foli ai me butësi! - Lëre për pak vizatimin dhe eja me gjyshin.

Gjyshi kishte vendosur që, atë ditë, t’i tregonte nipit diçka të padëgjuar e të paparë deri atë të diel nëntori!

E kishte lënë punën, ishte ngritur në këmbë vogëlushi dhe ishte nisur pas gjyshit!

Edhe shokët e lagjes, sa herë, i tho­shin se gjyshi i tij ishte ndër më të dashurit e ndër më të mirët!

Gjyshi ecte përpara e Mali pas tij. U ngjitën në katin e parë të shtëpisë së tyre të banimit. Shtëpia nuk ishte shumë larg nga oda ku rrinte gjyshi, mysafirët, që nuk mungonin asnjëherë, dhe burrat e shtë­pisë.

Atë ditë, për fat, në odë nuk kishte qëlluar askush nga mysafirët.

Në odë gati përherë ishte dikush nga miqtë, mysafirë, po edhe mysafirë të panjohur, që i zinte nata dhe kthenin në odën e tyre. Mali ishte, bashkë me gjyshin, si të thuash, banor i përhershëm i odës. Ishte më shumë me gjyshin se me të tjerët. Mali ishte në klasën e tretë, sa i kishte mbushur të dhjetat. Atë që i thoshte mësuesja, e bënte me një zell të paparë, e gjyshin e donte më së shumti...

Gjyshi para e Mali pas tij, arritën në katin e parë të shtëpisë. Gjyshi i hapi shkallët lëvizëse dhe i vendosi në vendin ku ishte e hapur një derë e vogël, për t’u ngjitur në pullazin e shtëpisë! Pasi ai kishte arritur lart, e porositi edhe Malin që me një kujdes të veçantë të ngjitej lart! Mali me shpejtësinë që nuk e mendonte e nuk e besonte gjyshi, u ngjit në pjesën e shtëpisë ndërmjet trarëve dhe çatisë!

- Eja këtu, - i tha gjyshi, që tani më ishte afër oxhakut kryesor të shtëpisë! Hoqi një tullë nga oxhaku që ishte ngritur dhe rrethuar me dy radhë tullash, që e fshehura mos të dëmtohej nga tymi që pandërprerë e nxirrte oxhaku. E nxori me ngadalë një pëlhurë të mbështjellë në një qeskë najloni pa ngjyrë. E hoqi nga qeska e najlonit dhe e shpalosi para Malit.

Ishte një pëlhurë ngjyrë të kuqe gjaku, në mesin e së cilës ishte vendosur shqiponja e zezë dykrenore!

Ky, biri im, është flamuri ynë! Mali, me një kënaqësi të një djaloshi, e shikonte për herë të parë, i habitur, flamurin që po ia tregonte gjyshi! Mos u habit, biri im! Edhe mësuesja e di mirë se ai që ti po e vizatoje nuk është flamuri shqiptar! Tani gjyshi i përmendi edhe fjalët flamuri shqiptar! Mali u gëzua edhe më shumë, tanimë e mësoi që edhe ne paskemi fla­murin tonë.

- Gjyshi, gjyshi, para shkollës sonë kam parë tre flamuj, po ky yni, pse përherë ka munguar, edhe tash mungon?

- Do ta mësosh vetë më vonë, biri im! Shpejt do ta mësosh arsyen e mun­ge­sës së flamurit tonë shqiptar, para hyrjes së shkollës!

- e po në qeskën tjetër, gjyshi, çka ka? Afër flamurit ishte edhe një qeskë po, gjyshi nuk e shpalosi kësaj radhe atë fare!

- kjo këtu, biri im, është diçka që e ruan flamurin - i tha gjyshi pa i treguar çka ishte aty brenda me të cilën ruhej flamuri!

- Herën tjetër gjyshi të tregon edhe për këtë. Sa të rritesh edhe pak. Sot mjaf­ton që ti e di se edhe ne e kemi flamurin tonë!

Pasi gjyshi e palosi përsëri flamurin dhe e vendosi në vendin ku ishte më parë, e pyeti Malin.

- E ke parë mirë si dukej flamuri ynë?

- Po, gjyshi. Ishte një fushë ngjyrë kuqe, si gjaku, në mesin e së cilës rrinte krenare shqiponja me dy koka ngjyrë të zezë!

- Të lumtë, biri im! - i tha gjyshi Malit!

Kështu, pra, duket flamuri ynë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat