Poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta

Kultura

Poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta

Nga: Agim Deshnica Më: 24 tetor 2023 Në ora: 07:08
At Gjergj Fishta

Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871, u lind një djalë, i cili, i pagëzuar me emrin Zef, më vonë do të njihej, në botë si Gjergj Fishta, poet kombëtar i shqiptarëve. Por në atdheun e vet, gjatë diktaturës disa nga profesorët e letërsisë e njerëz të letrave, shërbëtorë të regjimit ne fuqi, morën përsipër të përbaltnin e të hidhnin poshtë veprën e tij madhore në shërbm të atdheut. librin “Historia e Letërsisë Shqiptare -1983”, me kryeredaktor Dh. Shuteriqin, larg çdo vlerësimi letrar e artistik, u përdor fjalori politik, fyerja, shpifja, e mohimi, me këtë përcaktim të mefshtë: “Përfaqësuesi kryesor i klerit françeskan Gjergj Fishta, poet, publicist , pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin françeskan patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit gjer në banalitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.”

Nuk do të mjaftonte ky qëndrim i paturpshëm ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu të huaj ndaj Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan pa iu dridhur dora: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit-për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….”

Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi, apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri i Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin kundërshtimin e menjëhershëm, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!)

Drita e së vërtetës nga autorë vendas e të huaj.

Në një kohë, kur Fan S. Noli nëpër ligjërata shprehej: “Fishta është i madh”, Faik Konica shtonte: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm mbi veprën e Fishtës të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se "Lahuta" e Gjergj Fishtës". Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!” Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se "ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta". Aurel Plasari shkruante: "Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.” Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Annunzio thoshte: "Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli, si këtë kemi një të madh tjetër: Rabindranat Tagora."

Publicistë të ndryshëm shqiptarë me shkrimet e tyre kanë berë të ditur lexuesin e gjerë për të vërtetën e jetës e veprës së Fishtës. Ndër ta janë shquar At Zef Plumi, Salih Kabashi, Arben Marku, , Fritz Radovani, Pjetër Jaku e shumë të tjerë. Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë të ndrequra studimet e viteve para ’90. Ndërsa aty - këtu vihet re se disa, të ashtuquajtur prof.dr. botojnë veprat e Fishtës kundër çdo rregulli, duke dëmtuar dhunshëm me ndreqje kundërshkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin e vargjeve të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit të nderuar. Këta tipa keqdashësh me frymëzim tymnaje, notonin dikur pa shpresë përmes dallgësh në gjurmim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish.

Ndaj shkrimeve jashtëletrare, sot hedh dritën e së vërtetës vetë poeti me veprat e tij. Fishta ishte ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo, si poet i ndiesive atdhetare, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut.

Krijimtaria e botuar e Fishtës

Poezinë e parë Fishta e botoi më 1900 në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, „Lahuta e Malsise“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“, „Vierrsha t’përshpirtshme“, „Pika voeset, „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“, „Vallja e Parrizit“, „Shën Françesku i Asizit“ „Gomari i Babatasit„ , „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i qytetnuem“, „Shën Luigji”, “Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e të tjera. Në vëllimin „Mrizi i Zanave“, renditet “Gonzage„ dhe poezia „Nji Lule Vjeshte“, nga më të dhimbëshmet e më të bukurat e letërsisë sonë.

Proza e rrjedhshme e Fishtës u shqua me shkrimet polemike - politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen „Hylli i Dritës.“

Në vitet e diktaturës, kur ai ndalohej të përmendej në vendlindje, emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës dallohej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta - Poet Kombëtar Shqiptar”, etj...

Fishta dhe “Lahuta e Malcis”

Gjatë kohës së diktaturës, sado disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin:

“Shkundu pluhnit pra, Shqypni!/ Ngrehe ballin si mbretneshë!/

Pse me djelm, qi ngrof ti,/ Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.”

Vargje si këta në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it“vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund të kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahutën e Malsisë” të At Gj. Fishtës.”

Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl, pas tij Gustav Weigand, i cili, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht : “Lahuta e Malcis” von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Leipzig 1925), kurse Lambertz-i po në gjermanisht: “Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino: “Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës “Lahuta e Malsisë”, u njoh në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck: “The Highland Lute”, London, New York, 2005).

Fillimi e mbarimi i poemës “Lahuta e Malsisë”

Fishta poemën e filloi më 1905 me titullin “Lahuta e Malcis”, me këngën e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”

Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin bashkë. Nga Marashi Fishta dëgjoi rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazesë, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrzhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë. Fishta vijoi ta botonte e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Përgatitësi i këtij studimi ruan qysh nga viti 1950,, një libër të vogël i ribotuar në vitin 1923, me titullin “Lahuta e Malcis”, vetëm me pesë këngët e para. Në krye të librit lexohet shkurt, ky shënim nga botuesi: “Me ket botim shuhen ato të përparshmet, edhe ndalohen të gjitha të drejtat e rishbotimit e të përkthimit.”

Lahuta e Malsisë me gjuhën e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Poema në vargje tetërrokësh, sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është histori në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Dedë Gjo Luli, Oso Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar - Orës së Malit. Rimat, herë janë të puthura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë më të hovëshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, mendimtare, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare.

Pjesë nga këngët e Lahutës

Gjatë analizës së krijimtarisë së autorëve të ndryshëm në letërsinë soc-realiste, zakonisht jepeshin citate apo shkurt vetëm disa pjesë. Meqë më lart u përmendën trajtime te zgjatura armiqësore, del e nevojshme që prej kësaj kryevepre epike, me tridhjetë këngë, të zgjidhen të paktën pesë këngë qoftë edhe jo të plota. Atëherë lexuesi i mësuar ndryshe, do të befasohej e mahnitej me gjuhën e pastër shqip të poetit atdhetar At Gjerg Fishta. Shembuj shkrimesh në libra të tillë janë të shumtë, një prej tyre, “Shkrimtarët shqiptarë”- 1942, në dy vëllime duke filluar nga Buzuku, ku shkrimtari i njohur Karl Gurakuqi paraqet me imtësi jetën e Fishtës vargje të shumta e të gjata, nga poema “Lahuta e Malsisë”, nga poezia lirike, dramat e nga proza.

“LAHUTA E MALCIS”

Këngë të zgjedhura.

C u b a t


Ndihmò, Zot, si m'kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk'rën ket’ Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu' e là t'mjerën në gjak,

frymën tue ia xanun njak,
e as tu' e lanë, jo, dritë me pà:
kurr’ të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n' murë,

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si 'i dèm, vu n'lavër s’pari,
qi, ka' e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m'e thekë strumb'llari,
s'ndigjon me tërhjekun m'pluer:

e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu' i dhanë bulkut shum’ mërzì,
me u vu s' ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt’ mësue

s'din' me ndejë rob nën zgjedhë t'huej,
pagë e t'dheta me i là kujë,
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,

………………

Vranina

Vojti fjala te Çetina:

-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!

Vallë! ç‘po ban Vranina m’Shkje?

rob tue xanë e gjind tue pre,

tue pre gjind, tue xanë kajduka

qysh se duel njaj Oso Kuka!

Oso Kuka, ’i burrë shkodran,

shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë

për kah besa e kah trimënia,

qi zanatë i ka Shqipnia.

Kaleshan e sy-përgjakun,

mje m’sylah mustakun:

ushton mali, thonë, kur t’flasë,

dridhet fusha kah t’vikasë,

e kah t’dredhë të rrebtë taga’n

thue se rr’feja shkrep për anë

kaq vringllim ai shkon tu’ i dhanë!

……………………

Marash Uci

Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t' bijtë e Calit:
dy djelm t' lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m' anë i kisht' rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m' dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n' ushtrí
me armë n' dorë, me zjarrm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n' kushtrim e n' gjýq t' bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba, e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n'kohë jetike
pa'n kenë ndera e Arbënísë kreshnike;
e na doli barí malit,
i shmrijak me t' bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t' Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s' bardhës Fé
bate dekën si me lé;
……………….

Te kisha e Shinjonit

Prendoi dielli, n'qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n' t' cilat strukë shqipja e lirísë
n' t' bardhat kohë qi kanë prendue
s' lete anmik, jo, me iu afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t' bardhë çelikut,
qi flakote n' dorë t' Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s' Sharit.
A kish mujtë kurr n' atë kohë t' lume,
(Me lot gjakut sot t' lotueme!)
veç nji troe t' tokës Shqiptare
m'e rëmue dora grabitçare?
Sot m'e dá duen copa - copa,
e përse? Pse don Europa[
………………………

Te ura e Rzhanicës

Riza Pasha del n’ kalá,
I Madhi Zot, se shka me pá!
Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:
Hazna e madhe për bulqí!
T’u ngjatët jeta! - i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojnë me Mal të Zí.

……………………………

Nga Proza e Fishtës

Leter per Justin Rrotën

“Fort i dashtun Justin!
Mbas 12 ditë udhëtimi dhe mbasi nëpër kujdes të mis Aleksandër, mujta me u shkapllue prej çapojve të policisë amerikane me 8 të k.m. në orës dy e gjysë mbasdite vuna kambën n’Amerikë, në Nju Jork edhe kam ra ndër do fretën italjanë.

Mundi i rrugës e rreziqet e kalueme:trazimet e çuditshme e të neveritshme të doganave e të policisë e sidomos mendimi se aq ujë edhe mue më dan prej jush, kaq fort m pat ligështue moralisht në të nesërmen-sidmos prej mallit tuej -më kanë shkue lotët rrëkajë, tue ndej vetun në ket odë.

Por për fat të bardhë ky mjerimi i shpirtit nuk më ngjati shumë. Kah 11 sahati pasdite erdhi mis Aleksandra me më marr, për me shkue me ngranë mjesditë bashkë me miss Uilliams. Në këtë rast ajo më dorëzoi, a e din shka? Letrën tande të 7 Marsit, që prej Londret m’a kish dërgue më adresë të sajë. S’e ke besë, sesa fort u ngushëllova kur e pava e lexova atë letër, sado që ish tepër e shkurtë. Të famem nderës me gjithë zemër, si dhe Provincinialit, për letrën që kishte kalue bashkë me t’anden. Çuditem fort që Vinçensi s’mi ka përgjegj njaj letre, q’i i kam pas shkrue prej Parisit.

Heshtimi i tij mundet me çart shumë punë, e mue më ka pasë qit në një kujdes tepër të madh. E dij se ka punë shum; port ë gjegjunit e tij më asht lypun domosdo. Por ndoshta më ka shkrue dhe ka hup letra rrugës.

Më 24 të Frorit, pra u nisa prej Londret në Liverpul. Në t’nesret hypa në vapor “Çameronia”. Na në Shqypni s’kemi as kuptimin se shka asht një translatik. Mendo që ky vapor asht aq i lartë në det sa me i mbrrijt kati i epër mbi buzë të pullazit të kishës sonë Gjuhadol, e i gjatë sa prej “Rrugës së madhe” deri në teatrin tonë. Mbrendë pasandej, ashtë më mirë se në ëdo hotel të Vienës. E pra, ky vapor nuk asht si gjysma e do vaporrëvet tjera, qi bajnë udhëtimin e Amerikës. Më 6 mbadite u nismë prej Livepulit për në Nju Jork. Via Queenstown e Halifax. Queenstown është nga fundi i Irlandës, e Ali fax ashët në Kanada (Nuova Scozia). Deti kje me nam deri kah mjesnata. Si duelm në Knall të Iralndës, filloi era e filluan tallazet me iu turr vaporrit, i cili, si një kolos, përkundej mallnueshëm mbi to. Kah i çate me një forcë 16.50 milash në sahat. Kah mjesdita mrrijtëm në Queenstown, ku ndejmë nja tre sahat. Atëherë u nismë për në Amerikë. Ishte e Diellë. Udhëtarë mbrendë 911, e detarë 294 (equipaggio). Era frynte pa da e tallazia vinte tuj u shtue, sa më thellë që ju fujsha Antlantikut.

Orët e tmerrit në anije. Sulmi nga dallgët e Atlantikut

Në këtë letër të gjatë përshkruhet edhe një fakt tjetër. Anija ku udhëtonte At Gjegj Fishta është sulmuar nga dallgët. Tmerri që Ati i nderuar ka parë me sytë e tij, tashmë e ka humbur trajtën tragjike. Ai ia përshkruan këtë mikut të tij At Justin Rrotës me një humor të bukur përqeshës sesi e përjetoi frikën. Ai e komenton më së shumti me humor këtë ngjarje kaq të frikshme, ku me sytë e tij shihte prag-vdekjen.

“Më 26 deti ardh tuj, u aj, dhe ashtu turbull gjithë natën e ditën e nesret. (Më 28, kah mbasditja, deti u paque, e ashtu ndej fashë der në nesret mjesditë. Ishte e mërkurrë). Masditen prapë ia nis era, e deti u trëbue e gjithmoj se bani nata, me të shti mnerën (frikën-red). T’ejten nade u shkref një thellim i frigueshëm. Zoti na ruajt se shka kam pa me sy! Na në Shqypni s’mund të kemi as kuptimin e një thellimit m’det. Njëherë qiella u vra e erdh u mbërthye krejt me të zeza, si plumi. Era trefishoi furiën e vet aq, sa e përkuli vaporrin m’njanën brijë, e atëhere deti u aj (u fry-red) e u dyndën tallazet. Zoti na rujtë!. Me të shti mnerren, me i pa me syë. Tallaz për ne në Shqypni asht një fjalë, por m’Atlantik asht nji mal, nji mal, po si Kreshta, Mali i Rencit, Taraboshit, etj…

Prite Zot rrezikun se shka kam pa atë ditë. Ene më përqethet shtati sa herë më bjen ndërmend ajo duhië. ….(shkurtohen disa hollësira më tej-red). Kriste vaporri, krisnin makinat, rrapllojshin gota, shishe, ëinija, karrige, tavolina, a thua se po ishte daulla e Frano Ndojës tuj na përcjell në vorr…Prej friget paë hi krejt në vedi e vogëlue e ba sa grushti i dorës. Kah më ishte shkurtue qafa e më bahej se kolarini po ma za frymën krejt, e mbajshe sytë kokërrdhoe ashtu për hajrië, pa i ndal në kurrnjë pikë të ngultë, veç kanjiherë m’u vidhisshin për me kqyrë për një çast të vetëm e tërhtyer tallazet, që vlojshin, zijshin përreth vaporrit. Nuk lashçë as shejt, as shejtneshë pa mërzitë atë ditë; veëse kusht nuk bana asnjë, e jo s’e s’isha në terrezie edhe njëqind për nji herë, pop se për sherr nuk më hiqej mendsh puna e atij ulqinakut, qi tuj u pasë gjet edhe ai në hall, t’em, i paska pasë kushtue Shënkollit një qiri 20 okësh.

–Si more 20 okësh i thotë një shoq i veti.

–Hajt ti, -i përgjegjet aj, -të pështojë njëherë prej këtij rreziku se mbasandaj sheh puna punën.

Kjo punë e atij ulqinakut më siellej nëpër mend sa herë ishem në kuditë me ba nodnjë kusht me gjithë atë hall. Më vinte me qesh prej vetvedit. Por mbas dy sahatesh tue pa se spo nodhte gja e se Inglizt rrijshin tue pië birrë e Wisky e tuj lujt letrash, megjithat që ishin zbeh në fytyrë si flaka e qiririt, më erdh zemra e shkova në kabinë e fillova me lexue… Molierin. Mbasditen u paqtue deti, por në mbramje u tërbue më fort se paradite. Atëherë fillova prapë me drashtë. A e di pse? Se një kamarier që flitte italisht më tha se një vapor norvegjez ishte mbytë në nadjet shi n’atë vend, ku na pat zënë dallka ne”.

Mikrobët e gjuhës shqype

Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u zhdrivillue ma fort. Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë ndermjet zhumhurit të gjuhëve të slavëve, të grekve e nen imperjalizem të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, slavët etj. janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype! Nen shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe ndonji liber shqyp, botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha. Tjerët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane. E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyres, per në kjoftë nëpunës e, per në kjoftë nxanës ka per t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që ta ketë porositë me e marrë në shkollë perjashta: e atëherë na mblon aj breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shperndanë kadalë. Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme. E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj., etj. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper. Kahë pritojnë me u vu e me zanë më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per të mbajtë per fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E Kështu, kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Per në ngjatët puna kso doret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim, mbassi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje. Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka lertrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.

(“Posta e Shqypnìs”, 1918, nr.30, F.4).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat