Sabri Muharrem Azemi ishte pishtar i arsimit shqip si dhe veprimtar i çështjes kombëtare

Kultura

Sabri Muharrem Azemi ishte pishtar i arsimit shqip si dhe veprimtar i çështjes kombëtare

Nga: Sami Arifi Më: 23 tetor 2023 Në ora: 07:38
Sabri M. Azemi

Sabri M. Azemi u lind me 15.04.1927 në fshatin Sllatinë e Epërme të Komunës së Vitisë.

I martuar me Gjevrije Mehmeti - Azemi e lindur në vitin 1938 ne Ferizaj.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje në gjuhën serbo-kroate, pastaj e vazhdoi dhe e përfundoi në Prizeren. Shkollën Normale e kreu në Prishtinë, ai gjatë Luftës së Dytë Botërore pati fatin e keq që si 17 vjeçar ta përjetoj masakren e Tivarit...

Sabri Muharrem Azemi filloi punën edukativo-arsimore si mësues në vitin 1950/51 në fshatin Dobëllde të Vitisë, më pas ai punoi edhe në fshatra të tjerë si: në Ramjan, në Tërstenik dhe në Sllatinën e Poshtme të Vitisë si dhe në fshatrat Mirosalë e në Prelez të Jerlive të Ferizajt (1959/1990).

Në vitin shkollor 1961/1962 Sabriu u zgjodh drejtor i shkollës në fshatin Prelez të Jerlive, ai këtë detyrë e kreu deri në vitin shkollor 1971/1972, ku pastaj e vazhdoi detyrën si mësues deri sa u pensionua në vitin 1990.

Vlen të theksohet se mësuesi Sabri, gjatë karierës së tij, i ndërmori disa hapa të rëndësishëm që nuk kanë qenë aspak të lehtë duke e pasur parasysh kohën kur janë vendos ca punë të rëndësishme. Nisma për zhdukjen e analfabetizmit e veçanërisht nisma për shkollimin e femrës shqiptare në atë kohë, e cila nismë ka qenë shumë e vështir, sepse prindërit ishin kundër shkollimit të vajzave. Këmbëngulësia dhe vullneti i mësuesit Sabri, rezultuan të sukseshëme, pasi që arriti t’i bindë prindërit për dërgimin e vajzave në shkollë.

Shkolla në Prelezin e Jerlive ishte e paemërtuar, iniciativa e tij për emërtimin e shkollës në Prelez të Jerlive ishte një sfidë tjetër e Sabri Azemit sa ishte drejtor në këtë shkollë, por, këtë e bëri me sukses, falë këmbënguljes dhe mbështetjes së sekretarit të shkollës Elmi Ferizit e të mësimdhënësit Ramadan Hazirit, si dhe të mësimdhënësve tjerë shqiptarë. Shkollën e bëri me emër më 24 dhjetor 1968, pra, shkolla në Prelez të Jerlive, u emërtua me emrin e patriotit të shquar shqiptar Ismail Qemali.

Pos edukimit dhe arsimimit të shumë gjeneratave, mësuesi Sabri u angazhua edhe në aktivitete tjera të lira jashtë mësimore, ai u kujdes për pasurimin e bibliotekës së shkollës me libra si dhe për krijimin e një ambienti te pastër në shkollë. Sabriu së bashku me nxënësit dhe personelin tjetër të shkollës, mbollën drunjë në oborrin e shkollës, kurse pjesën tjetër të oborrit të shkollës e mbollën me lule dielli. Te ardhurat e krijuara nga shitja e lule diellit janë shfrytëzuar për dërgimin e nxënësve në ekskursion.

Fëmijët e Bacës Sabri ishin gjithmonë në përcjellje nga rexhimi serbo-sllav, të izoluar, të keqtrajtuar, të burgosur politik madje me dënime të rënda, pavarësisht cilës gjini i takonin, krejtë këto i bënte pushteti serbo-sllav shkaku se mësuesi Sabri i edukoi fëmijët e tij, mbi të gjitha, ta duan atdheun pa llogaritur asnjë çmim.

Mësuesi Sabri ka lënë pas katër fëmijë: Lumnije Azemin, Lulzim Azemin, Shqipe Azemin dhe Rexhep Azemin.

Sabri Muharrem Azemi ndërroi jetë në vitin 1997 në Ferizaj, ai u varros me nderime të larta në fshatin e tij të lindjes në Sllatinë të Epërme të Komunës së Vitisë.

Sabriu mbetet në zemrën e popullit i paharruar me veprën e tij madhështore për kauzën e madhe kombëtare dhe për ndërgjegjësimin e popullit për t'i çuar përpara proçeset edukativo-arsimore në gjuhën, amtare, shqipe..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat