Endësi i fjalës

Kultura

Endësi i fjalës

Nga: Atdhe Geci Më: 12 tetor 2023 Në ora: 08:28
Atdhe Geci

-Kosovë, ti je zjarri që ndezi Prometheu

Fol muzë e ngadhnjimit të fjalës

fletë e çdo dite, muaji dhe viti

kjo kohë më bën të vetë digjem

për gjuhën kozmike të të parëve

Rritu bimë e gjuhës dhe e artit

ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës

je shpërthim i flakëve të shpirtit

je lavdi e kraharorit të përgjakur

Me gjakun vullkanor të poezisë

nga një luftë e kam në secilin

varg, ky libër është pasioni im

një i urtë e me urtësi kombëtare.

Atdhe ngre diellin tënd me duar

jepi kahe himnit të ribashkimit

në çdo epokë ne qemë në luftë

dhe arenë gjaku e perandorive.

Në një ditë të lashtë të Atdheut

rendja kundër frymës së vjetër

Shqipëri, kryengritëse e këngës

mblidh fletët që kohrat t´i dogjën!...

2

----------------------------------------

Nuk ka paqe për lumin me vaj

nuk ka paqe për lumin e ndarë

të rënët do të bëhen më të rinj

kur liria flet shqipen e flamurit

Rritu furi e këngës së dardanëve

bjeri grusht rrenës së lavdëruar

në katër anët po zien këngë e re

Kosovë, je zjarri që ndezi Prometheu...

Ekziston populli, ekzistojmë ne

ekziston gjuha ekziston dhe fjala

po deshëm t´i mbijetojmë kohës

duhet të ecim me të barabartët

Shqipëri e tokës, e diellit, e detit

në pasqyrë i shoh armiqtë e mi

kjo jetë vërtet qenka një përrallë

Shqipëri ka vetëm në gjuhën time.

Nga të gjitha gjësendet në botë

vetëm libri flet dhe bën dritë,

vetëm libri e mbushë të vërtetën

e shtatzanë e lë lirinë e shkelur!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat