​Teatri unik rom në Prizren

Kultura

​Teatri unik rom në Prizren

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 14:02
Foto ilustrim

Teatri rom, apo që ndryshe njihet me emrin Romano Teatro “Nexhip Menekshe” në Prizren, është një institucion unik në Republikën e Kosovës që promovon rëndësinë e kulturës rome përmes dramave që ajo realizon çdo vit. Nexhip Menekshe, tashmë i ndjerë, ka qenë njëri ndër themeluesit e parë të këtij teatri, andaj dhe ky teatër mori emrin e tij.

Biri i tij, Fatmir Menekshe, që drejton teatrin, bën të ditur për KosovaPress se si funksionon ky teatër. Teatri rom “Nexhip Menekshe” mundohet që çdo vit të sjellë nga një projekt në skenë. Ky teatër ka përcjellë gjenerata të ndryshme, ndërsa është gjithnjë në kërkim të aktorëve të rinj.

Megjithëse të gjithë kontribuuesit e këtij teatri janë të dokumentar në një monografi të veçantë, Menekshe nuk harron t’i kujtojë.

“Ekziston dhe një monografi ku aty janë të dokumentuara të gjitha personalitetet e shquara që kanë kontribuar për këtë teatër. Ndër këta personalitete ka qenë Nexhip Menekshe, i cili ka qenë ndër aktorët e parë dhe iniciatorët e parë të formimit të teatrit që nga viti 1989 e deri në vitin 2019 që ka dhënë kontribut të madh duke shkruar 12 drama në gjuhën rome, ka aktruar në 13 drama dhe ka bërë regjinë e 18 dramave, prandaj ai si aktor, dramaturg dhe regjisor i këtij teatri është propozuar që emri i teatrit rom të pagëzohet me emrin e tij. Përpos atij është dhe profesor Kujtim Paqaku i cili ka shkruar dramën e dytë për këtë teatër, është Selahattin Kryeziu që ka shkruar dramën e parë për këtë teatër, janë gratë Bedrie Misini dhe Mikribane Mullamisini, të themi kanë qenë divat e këtij teatri, si aktorë të shquar të asaj kohe, është Daut Qulangjiu, Xhelal Dogani, Saver Qulangjiu, Gjengiz Cano, Nehal Hafizallari dhe shumë gra e burra të tjerë që kanë dhënë kontributin për këtë teatër”, tha Menekshe.

Menekshe thotë se që nga ekzistenca e tij aktorët e këtij teatri kanë luajtur 30 drama, pjesa më e madhe e të cilave janë origjinale të tyre.

Nexhip Menekshe, Luan Daka, Kaltrim Balaj, Tansu Kervan, Deniz Dadale e Levent Bytyqi janë vetëm disa prej emrave të regjisorëve të cilët kanë bashkëpunuar me këtë teatër.

Fatmiri tregon se teatri mbahet vetëm falë donacioneve të ndryshme që nuk janë të mjaftueshme.

“Teatri ynë financohet në bazë të projekteve që ne duhet të i qëndrojmë gati thirrjeve të ndryshme dhe konkurseve te ndryshme, si dhe përmes subvencionimit nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit (DKRS) dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Spor (MKRS) kur i hapin afatet për të konkurruar për projektet kulturore ne aplikojmë. Pothuajse ne fitojmë çdo vit, por se a është e mjaftueshme shuma që ne fitojmë, është diskutabile sepse ne duhet të sakrifikojmë dhe të punojmë shumë vullnetarisht për të arritur në nivelin artistik të kërkuar, këto janë format, nga ana tjetër është Ambasada e Zvicrës si njëra ndër donatorët e teatrit tonë, që falë atyre ne i realizojmë dramat, por normalisht që nëse do ishte një mbështetje shumë më e madhe, atëherë ne do të mundeshim që të prodhojmë më shumë drama, gjatë 1 viti ne do kishim mundësi të realizonim 2 apo 3 drama, përpos kësaj në do të mund që t’i luanim apo dhe të promovojmë teatrin tonë dhe në komunat tjera jo vetëm në komunën e Prizrenit, por që të shfaqen dhe drama në komunat tjera ku ka pjesëtarë të komunitetit rom”, tha Menekshe.

Përkundër vështirësive financiare, Menekshe thotë se mundohen që të japin shfaqje edhe në komunat e tjera për komunitetin rom.

“Ne marrim pjesë vazhdimisht në Festivalin e Teatrove Amatore në Shkup ‘Garavde Muja’ ose në shqip “Fytyrat e dyshimta”, nga ana tjetër ne marrim pjesë dhe në komunat tjera ku është komuniteti rom, si p.sh. në komunën e Graçanicës, Prishtinës, Kamenicës, Gjakovës por dhe në shumë komuna të tjera ku komuniteti rom jeton dhe mund të njoftohet me teatrin rom ‘Nexhip Menekshe’ por dhe me mesazhin e shfaqjeve teatrore që ne i bëjmë për të pasqyruar jetën e përditshme të komunitetit dhe trajtimin e problematikave të komunitetit që ballafaqohen çdo ditë, si dhe kuptohet sensibilizimi dhe edukimi i komunitetit”, shtoi Menekshe.

Menekshe thotë se gëzohen kur shfaqjet e tyre vijnë t’i ndjekin edhe publiku që nuk i përket komunitetit rom.

Ai thotë se aktorët aktualë kanë luajtur së bashku 10 drama ndërsa niveli artistik është duke u rritur.

Menekshe apelon të rinjtë e komunitetit rom që t’i bashkohen teatrit ndërsa ka kërkesë që të mbështeten sa më shumë financiarisht.

“Unë kam dy kërkesa, kërkesa e parë është tek vetë të rinjtë e komunitetit rom që të marrin pjesë në teatër, në mënyrë që të pasurohet trupi teatror, normalisht që të këtë aktorë të rinj të cilët ndoshta kanë shumë talentë, por që akoma nuk e kanë zbuluar atë talent i cili mund ta pasuroj më shumë teatrin tonë. Kërkesa e dytë është tek institucionet, qofshin ato kulturore apo vetëm komunitare dhe tek donatorët e ndryshëm që sa më shumë ta mbështesin në aspektin financiar teatrin tonë, aq më shumë do të prodhojmë drama të ndryshme, aq më shumë do të takohemi me komunitetin rom dhe do të mund ta shfrytëzojmë edhe teatrin si medium ku mund të edukohet, sensibilizohet komuniteti, e jo vetëm prej nga ana e mediave apo takimeve, tryezave të ndryshme, por, edhe në një formë argëtuese dhe nga ana tjetër duke përcjellë emocione, sepse unë dhe secili aktor beson se emocionet mund të bëjnë që njeriu të rezultojë në veprimet e tij, të ulet diskriminimi, të mos shkelen të drejtat e grave, të edukohet komuniteti dhe shumë sfera të tjera ku komuniteti tani për tani po vuan, për shkak të gjendjes jo të mirë”, përfundoi Menekshe.

Premiera e fundit që ka dhënë teatri rom “Nexhip Menekshe” ka qenë në prill të këtij viti kur u vu në skenë drama “Hijet” e autorit dhe regjisorit prizrenas Kaltrim Balaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat