Flet Genci Resuli inspektor i skenës në TOB: Teatri Operas ishte një “kombinat artistik” me shumë “fabrika”

Kultura

Flet Genci Resuli inspektor i skenës në TOB: Teatri Operas ishte një “kombinat artistik” me shumë “fabrika”

Albert Z. Zholi Nga Albert Z. Zholi Më 6 korrik 2023 Në ora: 17:40
Genci Resuli

Një jetë të tërë mes dy insitucioneve më të rëndësihme të artit dhe kulturës shqiptare, TOB dhe TP. Ka kujtime të pabesushme me të gjithë korifejtë e artit shqiptar “Kam arsye të besoj se përgjithësisht, jeta e çdo individi është e parashkruar dhe kjo nuk ka të bëjë me besimin, por me traditën familjare, edukimin, personalitetin, arsyetimin, kërkesën për të parë bukur dhe pse jo, seç m’u kujtua një shprehje e Giordano Brunos kur thotë se nëse keni fatin në anën tuaj mund të mbijetoni edhe pa mëndjen. Kështu e fillon bisedën i talentuari, inspektori i skenës, Genci Resuli…Dhe në këto dy institucione ai punoi jo pak por 39 vjet. Gjysmë shekulli. Flitet atë kohë kur puna nuk kishte orar dhe puna jashtë orarit nuk paguhej. Madje edhe kur shkonin jepnin shfaqje nëpër fshatra në rrugë pa rrugë, rroga ishte po ajo. Ishte një kohë kur artistët vlerësonin artin dhe jo paranë. Ndaj ata sot shihen si të pavdekshëm, si specie në zhdukje. Ndaj ata kanë lënë pas, role, këngë, balete, apo koncerte që koha i lartëson. Ata koha nuk i ka çuar në harresë por në pavdekësi…Njëkohësisht në këto vende pune Genci ka qenë edhe fotograf edhe propogandist, ku dhe fotot e këtyre intervistave janë realizuar nga vetë ai.

-Keni një jetë interesante e cila lidhet me dy nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës shqiptare, TOB dhe Teatri Kombëtar. Si gjeti rrugën jeta juaj në këto dy insticione madhore që mbetet ëndërr e çdo artisti? Si u formuat deri sa trokitët në këto dyer?

Jeta ime është një shëmbull për ç’ka thashë më lart…Pasi mbarova Liceun Artistik, ishte rregull që duhet të bëje stazhin dhe unë u emërova në Kooperativën Bujqësore të bashkuar në Krutje të Lushnjes. Pra nga bangat e shkollës dhe rrugët e Tiranës u përballa me një tjetër realitet, atë të një kooperative bujqësore ku ndjenja e mërzitjes nuk zgjati shumë, pasi ajo me të cilën u ndesha ishte krejt ndryshe. Në atë fshat kishte një pallat të madh kulture me një sallë 500 vendeshe, me një jetë artistike të lavdërueshme, kishte një ekip volejbolli femrash që pretendonte për titullin kampion, kishte gjimnaz, kishte jetë aktive, njerëz të mirë e të shkolluar dhe duke qënë një fshat ku kishin lindur disa udhëheqësa të lartë partie ishte e përkedhelur në shumë drejtime. Ndjehesha mirë dhe krahas punëve me kulturën dhe librin fillova të merrem me pasionin e brendshëm timin, kompozimin e këngëve për grupin artistik që do të ishte fillimi i një krijimtarie dhe që me kalimin e kohës u shtri edhe nëpër aktivitete kombëtare si në anketa muzikore, dekada maji, ansamblin e ushtrisë, festivale rrethesh e fëmijësh etj. Isha harruar në atë realitet dhe më pëlqente statusi me të cilin jetoja. Prindërit e mi nuk ndjeheshin mirë me mungesën time të gjatë si dhe familjaritetin që kisha krijuar unë, me atë mënyrë jetese. Shfrytëzuan njohjen që kishin me familjen e Xhemil Simixhiut drejtor i Teatrit te Operas e Baletit dhe unë një ditë prej ditësh u gjenda në zyrën e tij për një bisedë ( që sot quhen intervista ) dhe pas saj m’u ofrua vendi i punës në teknikën e T.O.B. it.

-Pra në TOB. Njëëndërr e madhe. Si ishte dita e parë? Cilat ishin impresionet. Takimi i parë me personalitete…

U riktheva jo thjeshtë në rrugët e Tiranës, por në qëndrën më të madhe të kulturës dhe artit shqiptar. Më kujtohet dita e parë në atë institucion kur sapo hyra dhe ecja në koridoret e saj, gjithë qënien time e përshkoi një adrenalinë e krijuar nga tingujt e ardhur nga të gjitha drejtimet. Ishin tingujt e pianove shoqëruese të baletit apo zërave brilant të solistëve, ishte harmonia e mjeshtrave të korit, tingujt e daulles, magjia e orkestrës sinfonike…ishte një ndjesi e jashtzakonshme. Kam punuar në skenë, kam punuar si fonist, kam punuar si menaxher i lëvizjeve të trupave në rrethe, kam punuar si asistent inspektor skene dhe mund të them me plot gojën se ai nuk ishte thjeshtë një institucion, ai ishte një ”kombinat artistik” me shumë “fabrika”, si ajo e orkestrës sinfonike, me drejtues Rifat Teqjen e Ermir Krantjen, e ansamblit popullor me Panajot Kanaçin, Agim Krajkën e Xhemal Laçin, e korit me drejtuese Rozmari Jorganxhi, e baletit me Agron Aliajn, e solistëve lirik, e kompleksit “Na bashkoi kënga popullore”, e teknikës dhe administratës, që çdo ditë të javës shfaqnin para publikut jo vetëm kryeqytetas krijimet e tyre artistike me sallat përgjithësisht plot. Gjatë 6 viteve të punës sime në atë institucion 1981- 1986 kam patur fatin të jem pjesëmarrës në premierat e T.O.B. ku kompozitor, koreograf, regjisor, skenograf, këngëtar e kërcimtar të spikatur shpalosnin formimin dhe talentin e tyre artistik.

-Pra emocione, ndjesi, takime, shfaqje me vlera. Emra të mëdhenj…Sigurisht ke aq shumë kujtime sa duhen kohë ti përcjellësh. Ndoshta muaj…. Por cilat janë ato më pikantet? Më të bukurat? Ato që je ndjerë si rrallë herë në jetë?

Po rendis disa nga ato krijime me aq sa në memorien time kanë lënë gjurmë…Pjetër Gaci me muzikën në operan “Toka jonë”, regjisor Ndrek Luca dhe skenograf Bashkim Ahmeti.Çesk Zadeja në baletin “Para stuhisë”, libreti i Engjëll Tërshanës, koreograf Agron Aliaj e skenograf Gjergj Marko. Nikolla Zoraqi në baletin “Shota dhe Azem Galica” me libret të Dritëro Agollit, koreografi të Panajot Kanaçit e skenografi të Ksenofon Dilos. Tish Daia në baletin “Halili dhe Hajria” (rivënie) me libret dhe koreografi të Panajot Kanaçit dhe skenografi të Shaban Hysës, baleti “Joniada” me Nikolla Zoraqin, Panajot Kanaçin e Ksenofon Dilon. Avni Mulën në operan “Borana” me libret të Gjergj Zhejit, regji të Dhimitër Pecanit e skenografi nga Hysen Devolli, nuk mund të mungonte në elitën e këtyre artistëve kaq të mëdhej, që për mendimin tim nuk vijnë më Fehim Ibrahiminme muzikën në baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, libreti nga Ismail Kadare me koreografi të Agron Aliajt dhe skenografi nga Naxhi Bakalli.

-TOB ka qenë dhe mbetet një institucion me aq vlera sa është vlerësuar dhe jashtë vendit. Aty janë luajtur dhe kryeverpat botërore artistike. Cilat prej tyre do të veçosh?

në repertorin e këtij institucioni krahas veprave kombëtare të cilat do të mbesin në fondin e artë të kulturës shqiptare u interpretuan me pikatore edhe kryevepra botërore si operat “Traviata” e Verdit, “Bohema” e Puçinit, “Berberi Seviljes” i Rosinit, skena nga opera “Toska” e Puçinit, baletet “Lola” i Vasilienkos, “Arrëthyesi” i Çajkovskit. Ndoshta kam harruar diçka, por atë që s’e kam harruar dhe do të mbetet tek mua sa të kem jetë është serioziteti dhe interpretimi i një klasi shumë të lartë i mjeshtrave të Teatrit Operas dhe Baletit. Ndjeheshe në një gjendje sureale kur shikoje Gaqo Çakon, që dridhej përpara se të dilte para publikut dhe sapo futej në skenë transformohej në një mrekulli, ishte i jashtëzakonshëm interpretimi dhe vokali i tij. Kur shikoje Vaçe Zelën, që një orë përpara shfaqjes humbiste në botën e saj dhe nuk komunikonte me asnjë njeri, as me sy jo, ndërkohë që në skenë magjia e saj të krijonte një ndjesi të papërsëritshme, dhe të rrëmbente në të gjithë qënien tënde. Kur shikoje Ramiz Kovaçin që edhe në orët e para të mëngjesit kur salla ishte bosh, shmangej të kalonte se i krijonte arritmi. Si mund të harrohet Ilir Kerni, Albana Sulejmani, Edit Mihali, Tatjana Kora, Agim Krajka, Zeliha Sina, Rifat Teqja, Ermir Krantja, Besim Zekthi, Lili Cingu apo orkestra me spalat Gëzim Laro e Jani Papadhimitri, kori një personazh i rëndësishëm i operave me zëra të spikatur në të gjithë sektorët. Të trëmbnin me zërin e tyre basët Kaman Aliko, Petrika Rrëmbeci, apo Jaku, Xhafa, Marku, po kishte edhe një ekip futbolli me trainer këngëtarin Xon Eshja…atmosferë fantastike.

-Jo vetëm brenda korridoreve dhe sallave të TOB por edhe në shfaqjet nëpër qytete të tjera të Shqiëprisë besoj se keni shumë kujtime. Sigurisht dhe situate të veçanta apo ngjarje që nuk hiqen lehtë nga kujtesa. Cilat do veçosh?

Kam shumë kujtime, por ajo që më shfaqet më shpesh është një ngjarje, në kuptimin e vërtetë të fjalës, që ka ndodhur në “Bajram Curri” me maestro Panajot Kanaçin. Ishim në kafe me shumë pjestarë të ansamblit dhe vjen drejtori i pallatit të kulturës dhe në bisedë e sipër thotë se në Tropojën e vjetër ka vdekur një djalë i ri (në atë kohë ishte e rrallë vdekja e një të riu) dhe ritet e asaj zone janë të pazakonta. Panajoti e ndërpret dhe i thotë më ndihmo të shkoj atje. Rezistenca e drejtorit dhe e jona ishte e kotë se maestro ishte shumë i vendosur. Na mori zvarrë nja dy prej nesh dhe pas nja gjysëm ore u gjendëm në stolat përpara shtëpisë ku kishte rënë morti. Na mirëpritën dhe na shërbyen sipas zakoneve të tyre. Ndjehej se dhimbja e tyre ishte shumë e madhe. Dhe ajo që na gozhdoi dhe na la pa frymë, ishte se gjëma filloi me britma shumë të forta të grave dhe burrave, që vazhdoi me tre katër gra, që bërtisnin çirnin faqet dhe dukej sikur shkulnin flokët. Ishte e tmerrshme! Panajoti ishte ngritur nga stoli dhe kishte zënë një vend ku mund të shihte më mirë, ishte zverdhur i tëri. Kur mbaroi, erdhi u ul dhe nuk komunikoi fare me ne. Pasi kaluan nja dy orë dhe ne ndjenim se po rrinim kot dhe ishim shumë të mërzitur, i kërkuam disa herë të iknim por: “as që bëhet fjalë”- thoshte. Pas disa minutash filloi prapë i njëjti ritual me britma, por këtë rradhë nga të gjithë pjesmarrësit, burra, gra, fëmijë, pleq dhe në vend të grave dolën nja katër apo pesë burra që diçka me britma thonin dhe përplasnin grushtet në gjokset e tyre dhe dukej sikur shkulnin qimet e gjoksit. O zot ishte e frikshme, se nuk dinim çfarë do të ndodhte. Situata kaloi në gjendjen normale të mortit. Ne vazhdonim t’i kërkonim maestros të largoheshim dhe përgjigjja ishte e njëjtë, “as që bëhet fjalë”. Pas pesë orësh doli arkivoli me gjithë njerëzit dhe ne të lodhur e të mërzitur morëm rrugën e kthimit, ndërsa Panajoti kishte ndërprerë komunikimin me ne, tundte kokën dhe shpesh thoshte, “unë e njihja gjamën, por sot e pash..., do ta bëj film :…Nuk e bëri as film, as balet dhe arsyet i di vetëm ai.

-Situata nga më të bukurat. Ke punuar me personalitet më të larta të artit dhe kulturës shqiptare. Po përse u larguat nga TOB? Ju larguan apo ishte dëshira juaj? Përse kaluat në Teatrin Kombëtar? Mos vallë aty kishte më pak përgjegjësi dhe punë?

Jo! Nuk ishtin këto arsyet…Në premierat e T.O.B. siç e thashë më lartë, por edhe në aktivitete të ndryshme, pjesëmarrës ishin edhe shumë artistë të Teatrit Popullor, me të cilët unë kisha marrëdhënie shumë të mira. Një ditë prej ditësh, drejtori i Teatrit Popullor. Muharrem Shtylla, Fadil Kujofsa, e Shaban Hysa më ofrojnë vendin e inspektorit të skenës. Ishte e papritur dhe unë e konsiderova një sfidë të vështirë, por pse jo edhe të bukur dhe duhej të ktheja një përgjigje, nuk kisha luksin të hezitoja. Nuk u mendova gjatë. Do të ishte ngritje në detyrë, por dhe emrat e mëdhenj të atij institucioni me joshën për të vendosur pa mëdyshje. Të nesërmen u paraqita pranë zyrës së drejtorit të teatrit dhe në prani edhe të Pirro Manit u njoha me detyrat funksionale dhe midis të tjerave ajo që më shtangu ishte se inspektori i skenës duhej të bënte apelin e trupës artistike. Nuk kishte mundësi alternative për diskutim. Duke pasur parasysh emrat e mëdhenj të atij teatri dhe për të respektuar figurat e tyre vendosa të ndryshoj, së pari paraqitjen time sportive dhe të nesërmen në prezantimin përpara trupës unë isha i veshur me kostum dhe kollare. Përpara kisha 56 aktorë dhe për mua ishte shumë emocionuse që do të isha kolegë me ta dhe do të thërrisja në apel emra të famshëm dhe ata të konfirmonin prezencen e tyre. Po artikuloja emra si Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Roland Trebicka, Reshat Arbana, Agim Qiriaqi, Bujar Lako, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Ahmet Pasha, Anastas Kristofori, Pavlina Mani dhe padiskutim të gjithë organikën e atij teatri pasi për mua ata ishin një ekip i madh yjesh. Nuk mund të ishte ndryshe se teatri është një art specifik, një ansambël ku shumë e rëndësishme është loja e partnerit. Kurrë nuk mund të jesh i madh me një partner të vogël. Shekspiri thotë se edhe ai që i vendos pelerinën Hamletit është shumë i rëndësishëm pasi një i paaftë do ta zhvlerësonte figurën e tij. Kështu i tha Piro Mani një gazetari të “Zërit të Popullit”, kur ai e pyeti a ka të paaftë në teatër.

-Një detyrë e vështirë….Do përballeshe me korifejtë e aktrimit shqiptar, madje çdo mëngjes do lexoje emrat e tyre. Si ishte një ditë pune në këtë profesion të ri?

Detyra ishte e vështirë, por me plot adrenalinë pasi do duhej të organizoje e menaxhoje të gjithë aktivitetin artistik, që zhvillonte teatri në atë kohë, duke filluar nga provat, turnetë, shfaqjet e fshatit, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me Kinostudion për të bashkërenduar që aktorët në shfaqjet e teatrit të mos kishin përplasje me xhirimet e stafeve të filmave, bashkëpunimi me radio Tiranën për emisionin Teatri në Mikrofon, dhe shfaqjet nga e marta deri të dielën, ku herë pas here kishte edhe paralele. Një institucion me shkallën më të lartë të seriozitetit, të pasionit, të debatit artistik, të vlerësimit të figurës artistike dhe përulësisë përpara publikut. Një institucion i dashur nga publiku, që mbushte sallat në gjithë Shqipërinë.

-Para shumë vjetësh në një bisedë më keni folur shumë për Kadri Roshin. Çfarë kujtimesh keni me të?

Kadri Roshin e kam pasur mik dhe në një nga shfaqjet e tij, kur unë kisha pak kohë që kisha filluar po bisedoja thuajse me shenja me rekuizitieren në xhepat e skenës dhe ndodhi ajo që mua më ka mbetur thellë në kujtesë! Kadri Roshi la rolin u kthye nga unë dhe nën zë më tha “mbarove”?Ula kokën dhe ngrita dorën.Pas shfaqjes e prita t’i kërkoja falje, por ai nuk ndaloi, nuk më foli fare.O zot, sa seriozë, që ishin dhe jo vetëm ai, por i gjithë ai brez.

-Ju që në Krutje kishit filluar dhe kompozimin e këngëve. Kjo dëshirë u rrit apo u zbeh me kalimin në detyrën e re?

Muzikën apo këngën nuk e mendoja më, por ai pasion u transformua në dëshirën për të kompozuar një mënyrë me trendy posterin e teatrit dhe për herë të parë në premierën e dramës “Shkallët” futëm elementin foto në poster me portretet e Kadri Roshit dhe Robert Ndrenikës. Ashtu, në mënyrë artizanale me fotot e tyre, që i ngjitëm me vinovil realizuam posterin e parë me foto, dhe për mua ishte një kënaqësi e madhe. Kjo praktikë me kalimin e kohës dhe futjen e teknologjive të reja u perfeksionua dhe për mua u bë një pasion.

- Në sistemin monist kishte një praktikë pune që sot duket e pabesushme. Pra Teatri Popullor e kishte për detyrë të jepte një numër shfaqjesh nëpër qyteza apo fshatra tëShqipërisë. Pra të gjithë korifejtë duhej të shkonin dhe në fshat me autobuzë të konsumuar të asaj kohe, apo me ato rrugë të paasfaltuara. Sa vazhdoi kjo detyrë partie?

Kishim në planin vjetor 100 shfaqje fshati dhe kjo nuk mund të diskutohej. Kisha bërë shumë të tilla dhe pas çdo shfaqje me 10 apo 20 fshatarë dhe diku pranë ndonjë lope acarohesha dhe nuk e kuptoja pse duhen bërë, ku më shumë ishte ekipi ynë i teatrit me teknikë, ndriçim, foni, aktorë, sesa ata që vinin të na shihnin. Vajta në zyren e drejtorit, tashmë Piro Mani dhe i thashë do t’i heq shfaqjet e fshatit. “Genci kërkon shumë nga jeta…Si është koha sot?- më tha…”–Mirë, mirë i thashë dhe u nisa për në zyrën e drejtorit të pallatit të kulturës, mikut tim Vladimir Kotani. Edhe ai kishte plan shfaqje fshati. I propozova që unë do t’i jap autobuzin e teatrit dhe tre aktorë, që do interpretojnë monologje apo poezi dhe ai me grupin e tij, do bëjmë shfaqje të përbashkëta. Dhe ashtu bëmë, e fillova dhe kur i çova drejtorit vërtetimet e shfaqjeve nga drejtuesit e kulturës të fshatrave, Pirro e largoi letrën që ta lexonte më mirë dhe “fantastike”- tha, “As njëri tjetrit nuk do ja themi, vazhdojmë dhe… si është koha sot”. Më vonë ky bashkëpunim u zgjerua edhe me turnetë në rrethe, por jo me poezi, por me komedi të shkurtra kombëtare si “Pas vdekjes” i Çajupit apo “Martesa e avokatit” i Foqion Postolit, shfaqje që u pritën shumë mirë nga publiku pasi krijonin atmosferë të gëzueshme me komedi dhe këngë. Gjithashtu krijuam një protokoll rezervimi për premierat me aktorët pensionistë dhe festonim në teatër përvjetorët e tyre të shoqëruara me nga një minidokumentar dhe kokteil. Kështu duket çdo gjë bukur, por e gjitha kjo vinte pas një pune të lodhshme, me debate të forta herë- herë stresante dhe me situata të jashtëzakonshme. Komisione. Repertori që hidhnin poshtë pa asnjë justifikim punën e dy tre muajve, aktorë që ju kishte vdekur njeriu i afërt dhe interpretonin edhe në komedi. Kam parë me sytë e mi Ndriçim Xhepën duke pështytur gjak pasi nga mëngjesi deri mbasdite xhironte shoferin në filmin “Flutura në kabinën time” në borën dhe ngricën e Librazhdit dhe në darkë vinte pas dy orësh rrugë dhe luante në Teatrin Kombëtar Romeon e Shekspirit. Imagjinoni stresin e tij dhe të gjithë trupës në një sallë që po mbushej dhe udhëtimin në realitetin pa telefon apo celular.Shëmbuj të tillë ka shumë në jetën e teatrit.

-Plot 30 vjet në Teatrin Kombëtar. Tri dekada mes aktorëve më të mëdhenj shqiptarë.Sa premiera keni pasur nderin të përjetoni? Si i kujtoni? Sa interes kishte publiku për to?

Gjatë 30 viteve të punës sime në Teatrin Popullor apo Kombëtar kam qënë pjesmarrës direkt apo indirekt i më shumë se 110 premierave ku përveç detyrës së inpektorit të skenës për shumë vite kam kryer edhe detyrën e Përgjegjësit të Promocionit e Programacionit e në vitet e fundit atë të Përgjegjësit të Studios Audiovizive detyrë: që më dha mundësinë të realizoj shumë nga fotot, posterat, spotet televizive të premierave të teatrit, dokumentarë të ndryshëm me personalitete të artit, ku disa prej tyre janë shfaqur në televizionet kombëtare, por edhe të shoqëroj trupën e teatrit dhe jo vetëm, në turne apo festivale të ndryshme,por edhe në shumë vënde të botës.

-Në sa vende të botës keni qenë me trupën e teatrit Kombëtar dhe çfarë keni përjetuar në këto shfaqje jashtë atdheut?

Kemi qenë në shumë vende si në Gjermani, Francë, Angli, Egjypt, Itali, Rumani, Ukrahinë, Greqi etj., ku kam qënë pjesmarrës në performancat e spikatura dhe të vlerësuara edhe me çmime. Në një nga festivalet më të mëdha të teatrit botëror, në Kajro, Mirush Kabashi vlerësohet me çmimin si “Aktori më i mirë i festivalit”.Një vit më vonë është Roland Trebicka që nominohet për këtë çmim.Në një tjetër festival, më i rëndësishmi në Europë, në Uiesbaden, Gjermani, drama “Allegreto Albania” e Stefan Capalikut e regji nga Altin Basha fiton çmimin e parë. Ka edhe shumë çmime të tjera dhe vlerësime superlative edhe në Rumani, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Francë, Ukrahinë etj., ballafaqime, që tregojnë se Teatri Kombëtar qëndronte me dinjitet në botën e madhe të këtij arti, dhe kjo nuk ishte pak.

-Gjatë kësaj kohe kanë ikur në përjetësi shumë aktorë të mëdhenj. Si ndiheni me humbjen e tyre. Çfarë kanë lënë në jetën tuaj largimi i tyre në përjetësi?

Një fjalë e urtë thotë se “Atij që i vjen keq të ndahet me të kaluarën, ai kot përpiqet të shohë një të ardhme më të mirë…” dhe unë jam një nga ata për të gjitha arsyet që rendita më lart, por edhe se me humbjen e shokëve me të cilët punoja dhe rrija gjithë ditën, të mrekullueshmit Agim Qirjaqi, Fadil Kujofsa, Fatos Sela, Bujar Lako, Shaban Hysa mendova se teatri nuk do të ishte më ai… mungesa e tyre më pengon të shoh të ardhmen. Koha ime mbaroi dhe unë u largova me bindjen se kam qenë me fat që kam punuar dhe jetuar edhe me Vaçe Zelën edhe me Kadri Roshin, edhe me Gaqo Çakon edhe me Violeta Manushin, edhe me Sulejman Pitarkën edhe me Çesk Zadejën, edhe me Ilir Kernin edhe me Ndriçim Xhepën...po e mbyll me një shprehje të urtë... Lëvdoje ditën kur të ngryset…

Pirro Mani dhe "Nën dritat e skenës" në tetor 1986

Shëmbuj të tillë ka shumë në jetën e teatrit.Po shumë më shumë ishin ato që nuk dukeshin, që kishin të bënin me ndjesinë e brëndshme të artistit. Duhej një forcë e jashtëzakonshme t’i përballoje dhe t’i eskaloje ato, herë -herë duke bërë edhe kompromis. Atë kompromis që artisti i madh Pirro Mani nuk e bëri kurrë. Gjithkush mendon se ai u largua nga skena e Teatrit Popullor për shkak të moshës apo ndryshimeve politike. Por jo, Pirro shfaqjen e fundit "Nën dritat e skenës" e ka në tetor 1986, pra shumë përpara ndryshimeve politike dhe në kulmin e pjekurisë artistike në moshën 54 vjeç. Unë që isha mik i familjes së tij shpesh kërkoja të dija pse nuk dëshironte të vinte në teatër dhe të shfaqte magjinë e artit të tij.Spektatorët dhe teatri kishin shumë nevojë për gjeninë e tij. Dhe ai me shumë dhimbje thoshte se në teatër është prishur atmosfera dhe pa atë nuk mund të pretendosh të bësh një shfaqje të mirë. Aty ku artistët nuk diskutojnë më për artin, për shfaqjet, por për sindikatat apo partitë politike është e kotë të pretendosh për një krijimtari të spikatur.Dhe mjeshtri e dinte mirë këtë gjë ndaj u tërhoq dhe krijimtarinë e tij e vazhdoi për pak kohë jashtë kufijve derisa u largua përfundimisht në Sh.B.A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat