Premierë absolute në skenën e teatrit Migjeni Shkodër, Balet me nji akt; “Rozafa”

Kultura

Premierë absolute në skenën e teatrit Migjeni Shkodër, Balet me nji akt; “Rozafa”

Nga: Filip Guraziu Më: 17 prill 2023 Në ora: 17:44
Foto ilustrim

Falë vizionit përparimtar dhe iniciativës për promovimin e vlerave kombtare në fushën e muzikës, të mjeshtrit muzikor, prof. Zhani Ciko, në mbramjen e 14 prillit 2023 në skenën e Teatrit Migjeni Shkodër u përkujtue aktiviteti pianistik dhe vepra muzikore e pianistit, prof. Tonin Guraziu; themeluesit të shkollës pianistike shqiptare.

Në këtë "Mbramje muzikore" të mbështetun prej Bashkisë Shkodër dhe Teatrit Migjeni, përformuen me sukses artistë të mirënjohun të skenës shqiptare e ma gjanë; pianistja e shqueme Rudina Ciko, sopranoja e talentueme Marjana Leka si dhe trupa virtuoze e baletit të TOB-it e drejtueme prej koreografes e njëkohësisht pjesë e trupës së baletit, Adela Muçollari.

Artëdashësit shkodran të muzikës klasike patën rastin me njohë jetën dhe veprimtarinë muzikore të prof. Tonin Guraziut nëpërmjet nji bisede interesante të larmishme e me kompetencë të prof. Ciko, por edhe nëpërmjet projeksionit të fotove e pamjeve filmike të pregatituna prej nipit të Toninit, Filip Guraziu.

Muzika e List ( Wilde jagd); Chopin(Etud-op10) dhe Debussy( Feux d'artifice) të luejtuna me mjeshtri në piano prej pianistes së talentueme Rudina Ciko si dhe zani i amël i sopranos së mirënjohun Marjana Leka që këndoi e shoqnueme në piano prej Rudina Ciko, pjesë të A.Dvorak ( Rusalka); A. Catallani (La wally) si dhe kangë popullore shqiptare të përpunueme, entuziazmuen sallën, por magjia e 'Mbramjës muzikore' mbrriti kulmin me paraqitjen në skenë, 'premierë absolute' të baletit me nji akt; ROZAFA.

Trupa e baletit të TOB-it e drejtueme prej Adela Muçollarit ku bajshin pjesë balerinët Eles Ruli, Sabina Maklekaj, Anxhelo Muçollari, Armando Meci dhe Enio Qirici, nën ritmin e muzikës së kompozueme prej prof. Tonin Guraziut dhe tingujve të pianos të luejtun me mjeshtri prej pianistes Rudina Ciko përformuen me virtuozitet disa momente thelbësore të legjendës së Rozafës.

Muzika tejet interesante dhe cilësore, tingujt e pianos dhe aftësia e trupës së baletit , krijuen , si me thanë, nji situatë sureale; spektatorët me emocionet e tyne përjetuan dhe vuejtën s'bashku me Rozafën fatkeqe që sakrifikoi vetëveten në shërbim të së ardhmës së popullit të vet. Ky asht arti, kjo është magjia e tij, ky është objektivi edukativ i tij e të gjitha këto u realizuen në 'Mbramjen muzikore' të 14 prillit 2023 në skenën e Teatrit Migjenin Shkodër.

Ajo që duhet theksue për domethanien që reflektoi aktiviteti, nuk asht vetem përkujtimi dhe nderimi i merituem i pianistit, prof. Tonin Guraziu i cili në fushën e tij muzikore pianistike konsiderohet me plot gojë " baba i pianos shqiptare", por edhe përpjekja vizionare e Mjeshtrit të Madh të muzikës, prof. Zhani Ciko në drejtim të konsolidimit të identitetit muzikor shqiptar.

"Guri i madh" i skalitun me mjeshtri prej veprës dhe aktiviteti muzikor të prof. Tonin Guraziut, që ishte "lanë në një qoshe", u muer me përkujdesje e dashamirësi me 14 prill 2023 prej prof. Zhani Ciko, s'bashku me grupin artistik që ai drejtoi dhe u vendos në vendin e vet , në vendin e merituem, aty ku duhet me qëndrue , në themelet e murit të identitetit muzikor shqiptar.

Tue i mbledhë, ruejt e pozicionue ashtu si duhet " gurët me vlerë" e të gjitha fushave formuese të identiteti shqiptar, në themelet e IDENTITETIT TONË kemi me qenë ma të fortë, ma të qëndrueshëm, ma të pathyeshëm!

Falënderime të përzemerta, prof. Zhani Cikos, trupës së tij artistike e Bashkisë Shkodër për mbështetjen e aktivitetit.

Filip Guraziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat