Stuhia e shpirtit tek i moshuari

Kultura

Stuhia e shpirtit tek i moshuari

Nga: Mr. sc. Shefki Stublla Më: 16 mars 2023 Në ora: 14:38
Shefki Stublla

Lexuese dhe lexues të nderuar, këtë shkrim po e filloj me një dridhje trishtimi,në shpirtin tim, kur e pash para godinës së Unionit,në qendër të Prishtinës, një të moshuar, në moshë të thyer,i veshur e mbathur keq,me rroba të vjetra,kah dridhet nga i ftohti duke kërkuar lëmoshë.Kishte vendosur para vetes një kapak të një ene plastike me disa cent që ia kishin falur shpirtmirët. Edhe mua më kapi stuhia e shpirtit të tij,kur e pashë atë njeri duke u dridhur nga të ftohtit,duke qajtur e duke dnesë nga dhuna e varfërisë. Një skenë e tillë është e frikshme,e dhimbshme dhe shumë e prekshme. Për fat të keq, ky i moshuar nuk është i vetmi.Ka edhe disa të tjerë që ulen e presin lëmoshë,kudo që e gjejnë një arallëk të lirë për të vendosur enën os peshkirin e lmoshës.

E ndjeva veten keq dhe i thash vetes, ah ta kisha vetëm një damar krijues të të madhit Dritëro Agollit, e ta shkruaja një poemë, të vrasjes së ndërgjegjes njerëzore,qoftë edhe për vetëm një të moshuar me domethënie që të përfshish shumë etapa të jetës së tij.Nga poeti Dritëro mora këto tri mendime:

S’gjen dhimbje më të madhe në ke parë

Njerinë e ndershëm në mjerim e vaj,

Tek lutet i përulur,zemërvrarë...

Kaosi i ëndërrave digjet në furrën e moshës së shtyrë,bashkë me lakmitë dhe vuajtjet në trupin e këtij njeriu që kërkon ndihmë edhe për pak jetë, sa i ka mbetë. E tërë kjo përmbajtje lexohet në fytyrën e këtij të moshuari të vetmuar. Që ka rënë në kujtime duke vështruar prapa kohën e kaluar,ku e la rininë,pasurinë dhe tani e priti kohën e jetës së errët,i vetëm - vetminë.E tërë kjo mbyllet me turpin si pushtetarët lejojnë që këta njerëz të vuajnë kështu?! Me këso vetmie e varfërie të kontributdhënësve, në BE nuk hyhet as nuk shkohet,sepse atje edhe kafshët janë të siguruara!

Në rrugën Nazim Gafurri,afër Xhamisë së Madhe, takoj një të moshuare tjetër, e cila kishte vendosur një peshkir para vetes dhe kërkonte lëmoshë! Për mbijetesë.O Zot,sa pamje e rëndë, nëna shqiptare të kërkojë lëmoshë për mbijetesë! Kjo gjendje e jashtzakonshme,ku shpëtimi kërkohet në rrugë,është një gropë e rëndë për të varrosur emrin e saj,dikur dinjitoz,si nënë,si loke.Ishte kjo nëna shqiptare që me lindje e mundi okupatorin serb. Tani lypëse! Ky termet jetese që po ndodh sot në Kosovë,me të moshuarit kërkon një zgjidhje urgjente.,sepse ka çrregulluar ritmin e jetës së të moshuarve.Ka humbur drejtpeshimin e jetës së tyre.Nuk e di çfarë kuptimi ka logjika e ca pushtetarëve,të cilët për fat të keq, zgjidhjen më të mirë për ta, e bën natyra,me vdekjen e tyre (sic!).O tempora,o mores! (Sa kohë e çoroditur,sa adete të çoroditura!)

Secili, nga këta lëmoshëkërkues, përbrenda ruan një besim dhe ende shpreson,që kjo çështje do të zgjidhet ,edhe pse shpirtiin e tij e mundon një stuhi e tmerrshme.

Njërin nga ta,e morën e dërguan në shtëpinë e pleqve. Hyri në dhomën e gjumit,iu duk si diçka që nuk kishte parë as dëgjuar më parë. Me një shtytje ankthi gati të pashpjegueshëm sodiste gjendjen.Mbylli derën e dhomës. U fortifikua nga çdo gjë që mund t’i ndodhte. Me shpirt të ndrydhur i dukej se tërë bota po qesh me të.Që la shtëpinë,derë e njohur dikur,në katundin e tij.

Medet! Ajo që nuk mendonte t’i ndodhi askujt i ndodhi këtij. E lanë vetëm fëmijët e tij që tash jetojnë në shtetet e pasura të Perëndimit.Orë e ças e pyet veten: “Ku jam?! Vetmia është fikje jete e autoetnografisë sime. I thotë vetes: “ende shpresoj,sepse, pa shpresë s’ka jetë as shteti as mileti! Zgjidhja e kësaj çështejeje jetike është mirë të bëhet me ligj ,sepse shtrin autoritetin e shtetit ligjvenës si trajtë e mirëfilltë e rendit shtetëror dhe kultuoror”.

Vetmia për të moshuarit është sëmundje e rëndë shoqërore.Shërim i saj është me ineteres kombëtar.Çdo veprim i shtetit në drejtim të përmirësimit të jetës së të moshuarve,sidomos pensionistëve kontributdhënës, do t’ishte një testament i vërtetë human.Do të shëronte njollat e ca bashibuzukëve,sepse kjo moskujdesje ndaj të moshuarve kompromiton ardhmërinë e kulturës së jetës,e zvetnon gjykimin historik të kujdesit tonë mitik ndaj prindërve. Moskujdesi ndaj tyre shkallmon bazat morale dhe intelektuale shqiptare.Si mund ta kuptosh dhe arsyetosh mendimin e ca të pashpirtëve, për të moshuarit,kur thonë “boll e kanë kullotë këtë botë,duhet të shkojnë në ahiret,në atë botë! (”SIC!)

Komuniteti i të moshuarve si zgjidhje të kësaj çështjeje jetike për ta sheh tek shteti.Nëse shteti s’ka mjete për ndërtimin e shtëpive të pleqve,ka të moshuar,të cilët nuk kanë fëmijë,por kanë patundshmëri të cilën mund t’i deponojnë në shtet,pastaj shteti i merr në përkujdesje.Kujdesi familjar nuk është më ai siç ishte përpara.Pensionistët nuk pajtohen me mënyrën aktuale të pagesave të pensioneve që këto mjetet dërgohen jashtë shtetit.Pastaj pyesin: si e ndjen veten në deputet,i cili merr rrogë muajore tetë herë më të madhe se një pensionist! Të moshuarit në shumicën e rasteve kanë mbetur qyqe vetëm.Ka raste edhe vdesin pa i parë askush! Ata flasin e shryhen: na la kanuni dhe respekti që kishim dikur.Kjo ka mbetur vetëm si pjesë e narrativës së historiografisë.Gjinia e varfësisë nuk është e lidhur vetëm me pasurinë,sepse ne na lanë sytë,veshët na la takati.S’ka më limfë frymëzuese për ne! A ka më rëndë se kur i moshuari dëshiroh ta braktisësh atdheun ku ka lindur e rritur,të iku nga kjo gjendje çorode identiteti. Këtë e bëjnë vështirësit e moshës së tretë.Me temën e jetës së moshës së tretë nuk po merret askush.Më shumë ka interesim se kush ka vdekur se sa interesimi për të gjallët të cilër edhe ashtu për çdo ditë po pakësohen.Të moshuarit për çdo ditë dënoncojnë vështirësitë e epokës së tyre. Vështirësitë si dëshmitarë me shkulme ngushëllimesh autobiografike që përfundojnë me mosmarrëveshje gjeneratash,me flakërime me një tis të rafinuar tinëzisht në betejën për fundin e jetës.Nga kaltërsia e qiellit,shumica e të moshuarve, u hodhën në baltën e batakëve, me episode të turbullta të historisë shqiptare.,për dallim nga sivëllëzërit e moshuar në shtetet fqinje.

Të gjithë deklarojnë me gojë se edhe të moshuarit kanë të drejtë jetese njerëzore.Mirëpo,flasin e nuk veprojnë për të gjetur “ilaçin” për mbrojtjen e të moshuarve nga vetmia dhe nga varfëria..Zgjidhje ka,po mungon mirëkuptimi për ata që bënë shumë fëmijë e tash mbeten pa asnjë.I grabiti bota pasur. Përgjumësia e shtetit për këtë çështje humane nuk mund të arsyetohet. Po ashtu edhe sjellja në rrethin vicioz nuk është e dobishme,sepse mund të kthehet si bumerang Kushtrimi për zgjidhje buron nga çdo zemër e të moshuarve.Është koha të firmoset respekti e dashuria për prindërit që lanë asht e rrasht për fëmijë dhe për atdhe.

Dashuria për prindërit është e paprekshme,e pavdekshme,e pamposhtur e përjetshme

Kujdesi për prindërit,është obligimi më njerëzor,sepse,në saje të tyre,ne jemi këta që jemi,t’u ndihmojmë e të mos i harrojmë.

Të mos lejohet që vlerën e prindërve ta kuptojumë atëherë kur ata të kenë ndërruar jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat