​Akademia e Shkencave promovon librin e Irakli Koçollarit mbi Luftën e Ftohtë

Kultura

​Akademia e Shkencave promovon librin e Irakli Koçollarit mbi Luftën e Ftohtë

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u promovua libri “Operacione sekrete-Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” me autor prof. dr. Irakli Koçollarin. Në këtë libër përshkruhen të parat operacione klandestine në historinë e Luftës së Ftohtë, të cilat u drejtuan kundër Shqipërisë, nga viti 1948 gjer në vitin 1954.

I mbështetur kryesisht në dokumentacionin e Arkivit të CIA-s, të Shërbimit Sekret Britanik dhe ato të Sigurimit të Shtetit, në këtë libër autori pasqyron operacionet sekrete të Shërbimit Sekret Shqiptar kundër CIA-s dhe MI 6 në vitet 1949-1953, të cilat njihen si operacionet e para sekrete kundër Perdes së hekurt nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Libri është një hulumtim 14-vjeçar. Autori pohon se koha e gjatë ka shërbyer për të shmangur të gjitha ndikimet apo anësitë e mundshme ideologjike, emocionet që shkaktohen nga ngjarjet e dhimbshme që gjenden ne fletët e arkivave të kohës, dhe krahas tyre është përpjekur të rrijë larg nostalgjive apo urrejtjes që kanë sjell shpesh troshitjet politike të kohës në vendin tonë.

Prof. Pëllumb Xhufi dhe Prof. Fatos Tarifa vunë në dukje rëndësinë që kanë dokumente të cilat shmangin trajtimin bardhë e zi të historisë.

Prof. dr. Koçollari tha se botimi është një kronikë ngjarjesh mbështetur thellësisht në dokumentacionin arkivor kryesisht atë të CIAS, të MI 6 dhe të Sigurimit, pa folur për të gjitha botimet perëndimore dhe lindore, të cilat flasin qartë përse, çfarë dhe si u realizuan operacionet klandestine të spiunazhit gjatë viteve të diktaturës në territorin shqiptar./atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat