​“Dita e dhurimit të librit”, qindra libra do t’i dorëzohen bibliotekave në Prishtinë

Kultura

​“Dita e dhurimit të librit”, qindra libra do t’i dorëzohen bibliotekave në Prishtinë

Më: 18 dhjetor 2022 Në ora: 12:39
Foto ilustrim

Në kuadër të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, sot në sheshin e Prishtinës, po mbahet “Dita e dhurimit të librit”, ku individë, shtëpi botuese dhe OJQ, kanë mundësi të dhurojnë libra të cilat pastaj do t’i dërgohen bibliotekës “Hivzi Sulejamni”.

Deri tani janë mbledhur 300 ekzemplarë për biblioteka, numër ky që pritet të shtohet për aq deri në ora 16:00, në mbylljen e panairit.

Berat Dakaj, ndihmës organizator i panairit, tha për KosovaPress, se edhe këtë vit librat do t’i dorëzojnë në bibliotekën komunale “Hivzi Sulejamni”, në Prishtinë.

Dakaj tha se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit interesimi i personave që shesin dhe blejnë libra të vjetër, të rrallë dhe të përdorur ka qenë më i madh.

Dakaj: Interesimi i personave për të blerë këto libra ka qenë më i madh këtë vit

“Deri tash kemi mbledh 300 ekzemplar për biblioteka, por besoj se deri në ora 16:00 do të shtohen edhe po kaq. Vitin e kaluar i kemi dorëzuar në bibliotekën komunale “Hivzi Sulejmani”, drejtorit Munish Hyseni, edhe këtë vit do ia dorëzojmë atij...1:44 Edhe interesimi i pjesëmarrësve, individëve që shesin libra të vjetër, të rralla dhe të përdorur, për të blerë libra ka qenë shumë më i madh këtë vit, ndoshta për shkak të lokacionit që është më i frekuentuar ka pas interesim më të madh”, tha Dakaj.

Dakaj tha se është mirë të organizohen panaire të tilla pasi në këtë kohë është vështirë të gjenden librat e vjetër.

Dakaj: Është mirë të organizohet ky panair, për shkak se është vështirë të gjenden librat e vjetra

“Është mirë të organizohet një panair i tillë, për shkak se librat e rinj i gjenden sot lehtë, janë rreth 13 librari në Prishtinë të cilët lexuesit i vizitojnë, kanë qasjen më të lehtë, mund ta porosisin online edhe mund të dërgojnë përmes postës, ndërsa libri i vjetër gjendet me më vështirësi, dhe nuk është aq lirë i kushtueshëm. Po të krahasohet me librin e ri ndoshta ka çmim edhe më të shtrenjtë”, shtoi Dakaj.

Po ashtu, gjatë ditëve të këtij panairi janë hapur dy ekspozita, promovim librash dhe diskutime me autorë dhe botues, ndërsa është mbajtur edhe ora letrare “Dritë mbi plagë”.

Edicioni i tretë i “Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, u hap më 16 dhjetor dhe përfundon sot me 18 dhjetor në ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat