Art dhe argëtim

Kultura

Art dhe argëtim

Nga: Hejza Art Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 09:47
Foto ilustrim

Përpjekjet e politikës për të ndërhyrë në lirinë artistike apo intelektuale, janë të dukshme gjithandej Evropës, sidomos në rajonin tonë ballkanik! Partitë politike angazhohen për paqe dhe mirëqenie dhe këtë “përpjekje mbinjerëzore” mundohen që në opinion ta paraqesin si fakt të kryer, me qëllim që ta gëzojnë gjithë përkrahjen dhe respektin derisa janë në pushtet. Nga ana tjetër, në vendet ku kultura shërben si oksigjen për demokracinë, artistët dhe intelektualët gjithnjë janë inicues të debateve dhe bëhen problem i regjimeve që nuk mund të funksionojnë pa nënshtrim të opinionit që nga militantët partiakë interpretohet si “disiplinë qytetare”! Artisti dhe intelektuali në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohen që të bëhen palë me regjimin, apo, për më keq, të shndërrohen në propagues të regjimit dhe para opinionit ta paraqesin si “kjo është jeta”!

Nëse në komunizëm “bashkëpunimi” artist-regjim ishte i detyrueshëm, sot jemi dëshmitar të një bashkëpunimi të këndshëm në mes të regjimit dhe artistit, intelektualit! Pa dyshim, është në interes të vendit e të kombit intelektualizimi i partive dhe i regjimit, por është goditje e ulët nëse në emër të këtij intelektualizimi nga regjimi dhe partitë do të kërkohej që intelektualët të shndërrohen në vegla-militantë e të vihen në shërbim të tyre! Fatkeqësisht, kjo dukuri ndër popullin shqiptar po vërehet gjithnjë e më shumë, sidomos në prag të fushatave!

Moderatorë televizivë do të vihen në drejtim të fushatave partiake, madje këtë angazhim e llogarisin si kulm të karrierës! Artistë të ndryshëm, sidomos ata që gëzojnë një dashuri e respekt të theksuar nga një numër i madh i masës, do ta marrin si ”nderim kombëtar” nëse do të angazhohen nëpër lista për të bartur detyra partiake e politike! Angazhimi i moderatorëve nëpër fushata partiake flet për varfërinë e skajshme të partive tona në aspekt të kuadrit me përgatitje oratorike, intelektuale, komunikuese! Këtë kuadër nuk e posedojnë, por e posedojnë aftësinë për ta manifestuar “fuqinë e regjimit” përmes largimit nga puna apo të ndërrimit të vendit të punës të atyre moderatorëve apo artistëve që nuk pozicionohen partiakisht, duke pranuar qoftë detyrën e moderatorit të fushatave, qoftë edhe zëdhënës partie. Artistët krijues, artistët në komunikim, ata që pranojnë të partizohen, sidomos përgjatë fushatave partiake, ata pajtohen vullnetarisht që të kalojnë në persona argëtues. Natyrisht, edhe argëtimi do nivel të caktuar të kulturës dhe, nëse mungon ky nivel kulturor në argëtim atëherë kemi të bëjmë me idiotizëm, sharlatantizëm me ikje nga identiteti aristokrat artistik! Mund të jesh artist i madh, intelektual i kalibrit më të lartë, porse në argëtim mund të jesh zero nëse të mungon kultura e argëtimit. Prandaj, jo rrallë herë kemi parë se si artistët tanë, “intelektualët” tanë, në rolin e “kandidatit partiak” në skenë para masës së tubuar shpërfytyrohen në mizerje!

Nuk është në natyrën e artistit, të krijuesit, intelektualit, që të jetë në “simbiozë politike” me regjimin! Artisti, krijuesi e do atë rend shoqëror, atë paqe e mirëqenie që funksionon në “botën artistike”, e cila, estetikisht është gjë e përkryer, kurse regjimet politike kanë të tjera “formula” për paqen e mirëqenien, për ideologji e sisteme, “formula” këto që dinë të jenë edhe “bomba bërthamore” për botën artistike, por dhe për çdo “botë” tjetër!

Argëtuesi në fushatë partiake thjesht shndërrohet në mjet manipulativ, përmes të cilit partitë mundohen që ta “magjepsin” masën. Ndërsa artisti në skenë i bindet vetëm një misioni: të ndryshoj sisteme e regjime për majën e së mirës që i duhet publikut, masës së gjerë, shoqërisë.

Në momentin kur artisti i nënshtrohet vullnetit partiak për t’u shndërruar në ushqim regjimi, në atë çast nis dhe e humb besimin e botës së gjerë të kulturës! Angazhimi politikisht i artistit mund të bëhet vetëm me një mision: të sensibilizojë botën njerëzore që të angazhohen vetëm për të bukurën, ta çlirojnë të bukurën nga regjimet, sepse e bukura është esenca e kuptimit të jetës dhe, përtej kësaj, çdo gjë tjetër është mbijetesë në botën e prerë sipas modeleve të regjimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat