Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi?

Kultura

Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi?

Nga: Ndue Ukaj Më: 20 gusht 2022 Në ora: 12:33
Ndue Ukaj

Para se të flas për kritikën letrare dhe studimet letrare, me pëlqen ta shtroj një dilemë tjetër, në formë pyetjesh: cila është cilësia e lexuesit shqiptar sot dhe a lexon ai me përgjegjësi? E kam fjalën këtu për letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe. Dhe, në çfarë niveli janë studimet letrare shqiptare, a janë çliruar nga dogmat dhe ideologjitë dhe sa e nxisin ato dashurinë për letërsinë shqipe?

Dhe pyetjes suaj dua t’iu përgjigjem përmes një pjese të një teksti që kam shkruar disa vite më parë, meqë mendimet e mia rreth pyetjeve tuaja përkojnë me të:

Viteve të fundit diskutohet mjaft për kërkesat etike ndaj letërsisë dhe zakonisht shkrimtarët vihen para përgjegjësisë publike, për prodhimin e tyre shpirtërorë -veprën letrare- por e njëjta gjë s’ndodh për lexuesin, kritikun letrar, gazetarin e kulturës dhe atë që bën gjykime dhe vlerësime të caktuara për vepra letrare. Prandaj, sot, një gazetë apo televizion i madh lehtësisht mund ta nxisë famën e një autori minor, si dhe ta pengojë famën e një autori të mirëfilltë që mund të ketë zgjedhë të bëjë jetë të përkorë, jashtë vëmendjes, pa kërkuar me çdo kush publicitet e vëmendje. Duke u nisur nga kjo premisë, studiues të ndryshëm gjithnjë e më shumë pyesin për përgjegjësitë që ka lexuesi karshi veprës letrare, për faktin e thjeshtë se, asnjë vepër s’mund të kuptohet pa raportin e ndërliqshëm që ajo e krijon me lexuesin, sidomos me ata që i përkasin dijes së letërsisë; të tillët që me tekstet e tyre për shkrimtarë a vepra të caktuara, marrin qëndrime publike; duke krijuar kështu realitet të ri rreth veprës letrare dhe raportit të saj me kohën, kontekstin, shkrimtarët tjerë, etj.

Cili është roli i lexuesit dhe kritikut në marrëdhënien mes shkrimtarit dhe publikut? Cili është ai lexues që e shkruan gjysmën e veprës: është lexuesi i rëndomtë, lexuesi që lexon për kënaqësi apo lexuesi model dhe i kultivuar, që kalitet me kryevepra letrare, lexon e rilexon dhe letërsinë e ka profesion? Nëse ka përgjegjësi lexuesi, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja: e ç’nivelit është ajo përgjegjësi? Është përgjegjësi etike apo profesionale? Apo te dyja bashkë?

Ka studiues - si Derek Attridges që pyesin: a duhet shtruar dhe shtuar kërkesat për lexuesin dhe nëse po, cilat duhet të jenë kërkesat etike dhe kulturore për një lexues? Për lexuesin profesional, për kritikun letrar, për një lexues që e përzgjedh një libër vetëm për dëshirë të veten, pra për kënaqësi. Këto përsiatje, të çojnë te pyetja, për mua thelbësore: çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi? Përkitazi me këto që thashë më sipër dhe në funksion te idesë së kësaj teme, po sjell dy mendime që i vlerësoj të rëndësishme rreth këtij debati. I pari vjen nga shkrimtari suedez, Torgny Lindgren, i cili shkruan: “shkrimtari shkruan vetëm gjysmën e librit, do të mund të thuhej, ndërsa për pjesën tjetër kujdeset lexuesi. Në të vërtetë, janë lexuesit ata që i japin cilësi një libri. Një lexues i mirë bën të dëgjohet çdo libër. Një lexues i keq mund ta pengojë çdo libër.” Dhe tjetri është i studiuesit Michail Bachtin, i cili thotë: “shkrimtari është i burgosur në epokën e tij, në kohën e tij. E ardhmja e liron atë nga kjo robëri, ndërsa shkenca e letërsisë, është thirrur ta ndihmojë që të lirohet.” Në përkim me këto dy referenca, i bie që lexuesi duhet të kujdeset për pjesën tjetër të veprës, së cilës mund t’i japë cilësi dhe po ashtu mund ta pengojë.

Atëherë, nëse lexuesi e shkruan një pjesë të librit, ai natyrisht duhet të ketë përgjegjësi të ndihmojë shkrimtarin të lirohet nga “burgu” në të cilin mund ta vendosë epoka e tij. Pra, me pak fjalë: përgjegjësia e lexuesit të kultivuar; e atij që e lexon një libër me synimin që të shkruajë pa dyshim është shumë e madhe, në ndonjë kohë mund të jetë edhe vendimtare. Sepse, lexuesi, përmes mendimeve për një libër apo për një autor, krijon realitet të ri për librin dhe autorin, dhe kësisoj ndërhyn drejtpërdrejtë në raportet letrare dhe kulturore të një letërsie. Dhe kjo pastaj ndikon në hierarkinë letrare të një kulture dhe në identitetin e saj. Prandaj, ky lexues, duhet ta dashurojë letërsinë, të lexojë me përgjegjësi - etikë të lartë dhe përgatitje profesionale, sepse, me mendimet dhe qëndrimet e veta, ai formëson një realitet të ri kulturor në një mjedis të caktuar.

Në vazhdën e këtyre përsiatjeve shtrohet pyetja mjaft sfiduese: cilat janë kërkesat për një kritik të mirë dhe a ka të tillë letërsia shqipe, kur bëhet fjalë për letërsinë, atë klasiken dhe për bashkëkohoren?

Dihet, për shkak të rrethanave të vështira nëpër të cilat kemi kaluar, mendimi letrar shqiptar është relativisht i vonshëm dhe si i tillë s’shquhet për ndonjë traditë të pasur, dhe për rrjedhojë, edhe “sita” për të cilën pyesin ju - mungon. Dhe mbase mirë që mungon, meqë koha i prodhon lexuesit e ri që letërsisë mund t’i qasen përmes leximeve kreative dhe të liruar nga ngarkesat e shumta që i janë vënë asaj, ngarkesa që për fat të keq i vihen edhe sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat