Ka letërsi shqipe dhe kritikë të letërsisë...

Kultura

Ka letërsi shqipe dhe kritikë të letërsisë...

Nga: VIRION GRAÇI Më: 27 korrik 2022 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Pajtohem në parim me shqetësimin tuaj, por dhe më lëndojnë ndonjëherë vlerësime kategorike si - s’ka kritikë, s’ka letërsi shqipe bashkëkohore e të tjera si këto, të përsëritura shpesh. Jo vetëm se janë gjykime në fushën time të lojës – prej 30 vitesh edhe unë nuk kam reshtur së shkruari dhe së botuari jo vetëm krijimtari letrare, por edhe shënime, recensione studime për autorë e libra, por ka kolegë të cilët merren idealisht, d.m.th. për hobi të tyre me këto zeje – të paktën të mos i shpërblejmë me heshtim, me mosnjohje. Po, ka letërsi shqipe dhe kritikë të letërsisë shqipe. Dikur kritika ka pasur rolin pozitiv, përcjellës formal të atij pëlqimi që kishin dhënë redaksitë shtetërore të botimeve shtetërore, dhe libri, si malli prodhuar me financimin e shtetit, i kishte të gjitha mediumet –edhe ato shtetërore – në dispozicion. Kjo ndikonte bukur mirë për librat, krahas cilësive të mirëfillta të tyre. Në Shqipëri të paktën, nga kritikët e para viteve ’90 nuk ka ngelur ndonjë libër i lexueshëm, ose një përmbledhje me shkrime të zgjedhura të secilit. Ku është autoriteti dhe cilësia e asaj kritike që ju e shumë si ju i thoni – kemi pasur kritikë, në kuptimin e shembullit të mirë, cilësor të fjalës? Besoj se letërsia bashkëkohore shqipe trajtohet, promovohet, analizohet; kemi dhjetëra katedra të letërsisë shqipe të cilat zhvillojnë veprimtari shkencore dhe promovuese kushtuar edhe letërsisë bashkëkohore; kemi seminare të përvitshëm kombëtarë e ndërkombëtarë, kemi ditë (javë) të albanologjisë në tre shtete, nga tre-katër universitete e akademi shkencash, kemi institute shtetërore për gjuhën e letërsinë shqipe ku, më së paku, norma vjetore e secilit punonjës kërkimor është së paku 70-80 faqe studime në vit, të botuara dhe të referuara në veprimtari të rangut përkatës, krahas monografive. Botuesit, libraritë organizojnë veprimtari për çdo autor e për çdo botim, e ku, krahas fjalëve mirëseardhëse, ka dhe analiza e shkrime të qëndrueshme, objektive.

Problemi qëndron sa përhapen popullarizohen këto punë/shkrime/studime dhe, nëse arrijnë të popullarizohen - sa rol lozin ata te lexuesit? Cila është marrëdhënia qe ka lexuesi ynë, shoqëria jone me librin? Me kulturën?

Tjetër problem mund të jetë besueshmëria në institucionet e vlerësimit të produktit vjetor, si nga institucionet shtetërore që ndajnë çmime, bursa, mbështetje financiare dhe institucioneve private. Këto duhen parë me gjakftohtësi e delikatesë, për të mos fyer padrejtësisht ndokënd, por edhe duke respektuar vlera e kritere të panegociueshme për artin letrar, në planin stilistik/estetik së pari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat