Poema bija e Arbërit

Kultura

Poema bija e Arbërit

Nga: Mehmet Rrema Më: 18 mars 2022 Në ora: 20:57

Është shqiptar njëmijë herë Kastrioti

Në trojet Arbnore s'erdhi si endacak

Shkoni e kërkoni në kep të Rodonit

Aty tek kështjella ka një amanet

Buzë shkëmbit ku ngrihet kështjella

Nga perëndon dielli shikonte shpesh

Ndoshta, aty, vinte të pushonte Poseidoni

Apo liburnët, kur ktheheshin nga i gjëri det

Aty ka qenë trualli kohë më parë

Truall Arbri, Kastrioti askujt s'ja mori

Zoti ia dha si me gjak e mbrojti

Sa herë mbi të padrejtësia ashpër ra

Skënderbeu nuk erdhi nga legjendat

Lindi në Arbëri në fisin Kastriot

Nga bregdeti deri në male kishte pronat

Që nga Durrësi deri në fusha t'Pollogut

Nga legjenda vjen Muji dhe Halili

Gjergj Elez Alia me topuz në krah

Bajlozët për tokë i shtriu sa i goditi

Atje në log Mejdani ku e thirrën ata

Arbëria vendi i legjendave

Sa male, fusha lumenj dhe dete

Njerëz krenar ka rritur në troje

Me gjak e mbrojtën truallin e vet

Maleve të larta roje u bëjnë shqipet

Aty ku lindin dhe rriten legjendat

Në kulla, me lahutë, u këndohe kënga

Rojtar trimat, syshqiponjë në bedena

Mes malesh të larta me sy nga deti

Hapësirave të pafundme, të bukurisë Ilire

Burra krenar, shpirt bardhë, ballëndritur si dielli

Të pamposhtur, besnikë, të urtë, e të shquar për bujari

Paqësor dhe i urtë në shekuj Arbnori

Për mikun derën hapur e sofrën shtruar

Besë mbajtur, për fjalën, të vdekur çohen nga varri

Sa herë nderi premtimin ua ka kërkuar

Në truall të tillë lindi Gjegj Kastrioti

Kur bollë e zezë nga larg shtrinte hapin

Ndërsa gjithë botën, nën këmbë ëndërronte

Duke u zvarritur, hileqare, sillej kjo shtrigë nate

Lindi kur njerëzim dridhej; dridhej toka

Tentakulat e Meduza zgjateste në pafundësi

Mësoi shpejt shpejt, çfarë mizorish sjellë lufta

Sa trima bien,sa nëna mbeten me duar në gji

Në tokën arbnore lindi Gjergji

Bir Arbnori, nip ishte në Arbëri

Biri në fisin njohur të Kastriotit

Nip fisin Tribalda të Pollogut

Arbëria nën pushtetin e mjegullës

Nga të katër anët, bishat, unshëm skërmitin dhëmbët

Vjen me zjarr dhe armë të rënda ngarkuar

Vjen, furtunë e zezë, Mehmet Sulltani mallkuar

Nxin fytyrë e tij, nxin si terri i natës

Herë puth hilen, herë tehun e shpatës

Shikon nga qielli , thotë jam Zot mbi Zot

Këmbët do të më puthë e vjetra Evropë

Vjen ngarkuar me tmerr dhe mistere

Etje të shuaj me gjak të pastër arbri

Krah tij, si djall i zi me xhyben veshur

Magjistari dhe Kasneci mjekër varur

E Gjatë, e lodhëshme dhe shumë e vështirë

Kjo rrugë nga Stambolli në Krujë, rrëzë mali

Inati i Sulltanit ngrihet tym deri në qiell

Peng i merr djemt vetëm për ta nënshtruar

Ndryshe Arbëria në gjunjë nuk bie…

Oh, çfarë ka pa kjo tokë çerdhe shqiponjash

Sa lufta, pabesi, intriga e tradhti

Kjo tokë që dha shumë perandorë dhe papë

Por sa gjak e urretje ranë mbi ty kryelartë Arbëri

Lufta,beteja të përgjakshme pa fund

Qyshkur toka është krijuar

Ky barbarizëm nuk qe parë askund

Për ta nënshtruar t'i zëshë tre fëmijë

"Historianët" sot shkruajnë histori

Shpesh e ndryshojnë e vënë me kokëposhtë

I heqin një krah, apo i shtojnë një këmbë

Thua historia është plastelinë lodër për fëmijë

Mbi historinë skërmitin dhëmbët grabitqarët

Kur me armë nuk arrijnë të përkuluni shqiptarin

Hedhin në shesh njëmijë e një dredhi

Herë përdorin dinar, euro, apo dollarin

Vijnë si miq me buzëqeshje e fytyrë zbukuruar

Mbajnë në dorë dhurata bërë kastile

Ulen në lokale nga njëmijë drita ndriçuar

Me shumë delikatesë flasin dhe për historinë

Historia nuk është tokë e pëllejshme,

Ku mund të rritet çdo shkurre a ferrë

Nuk lejon të mbjellë jo, as çdo lule

Nuk është një lopë që shitet në pazar

Por lapsi shkon andej nga e shtyn dora

Mjerë ajo letër sa vuan nga dora e keqe

Mjerë historia kur shkruhet nga hileqari

A nga një që për dy lek shet nder dhe faqe

Tregojnë përralla ca historianë

Me ato,fëmijët nuk vihen në gjumë

Por për dreq përgjumen sferat e larta

Përgjumen ata, të cilët prishin punë

Flinte mbi përralla dhe sulltani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat