Teatralja e jetës teatrore

Kultura

Teatralja e jetës teatrore

Nga: Hejza Art Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 14:00
Foto ilustrim

Këto ditë u publikua edhe Programi vjetor i Ministrisë për Kulturë i cili, si çdo vit tjetër, edhe kësaj radhe ka shkaktuar mjaft pakënaqësi, reagime, debate kafe-çajtoreve, sidomos nga artdashësit shqiptarë. Shqiptarët e RMV-së edhe më tej angazhohen për ta nxjerrë 25 përqindëshin nga buxheti i përgjithshëm i çdo sektori, duke mos kuptuar se ky angazhim nuk është kulturë, por një “kujdestari politike” për bashkësinë etnike (aludohet për shqiptarët) që përbën mbi 20 për qind nga popullata e përgjithshme që jetojnë në këtë shtet.

Ky shtet, sado i brishtë, me kohë ka ngritur institucione nacionale kulturore, lokale, ka iniciuar formimin dhe regjistrimin e një duzinë shoqatash kulturore si subjekte juridike dhe shto këtu edhe subjektet fizike si dhe manifestimet e festivalet teatrore, dhe ka siguruar që, brenda vitit, në çdo të dytën ditë të ketë nga një shfaqe teatrore në gjuhën maqedonase.

Për vitin 2022, sipas rezultateve të Programit vjetor të sivjetmë, në gjuhën maqedonase do të luhen mbi 155 shfaqje, nëse në ndërkohë nuk do të shtohen edhe nja 15-20 shfaqe pasi t’i shqyrtojë ankesat kabineti ministror si dhe Komisioni i Shkallës së Dytë pranë Qeverisë së RMV-së.

Nga gjithsej 102.200.000 denarë (rreth 1.700.000 euro) të paraparë për aktivitete teatrore nëpër institucione nacionale, lokale, në manifestime, festivale, nga subjektet juridike e fizike, shfaqjet maqedonase do të marrin mbi 56.226.000 den. ose  rreth 1.020.000 euro.

Vetëm institucionet nacionale (teatrot maqedonase) kanë arritur të sigurojnë 55 shfaqje teatrale në vlerë prej 44. 086.000 den. (mbi 700 mijë euro). Institucionet lokale kanë siguruar 7 shfaqje në gjuhën maqedonase, me buxhet prej 1.450.000  den. (mbi 23.000 euro)! Personat juridik ia kanë dalë të sigurojnë 23 projekte teatrore me buxhet prej 5.825.000 den. (rreth 100.000 euro) ndërsa personat fizik kanë siguruar 20 projekte në gjuhën maqedonase me buxhet prej 4.335.000 den. (rreth 70 mijë euro). Janë dhe dhjetë manifestime e festivale teatrore maqedonase nëpër të cilat do të shfaqen minimum nga 4-5 shfaqje, ose në përgjithësi mbi 150 shfaqje në gjuhën maqedonase. Kjo i bie që në çdo ditë pune nëpër Maqedoninë e Veriut do të jepet nga një shfaqje!

Po shqiptarët e Maqedonisë së Veriut çfarë fituan sipas këtij Programi vjetor të Ministrisë së Kulturës? Në total fituan aq shfaqje sa fituan vetëm Institucionet nacionale maqedonase, pra rreth 55 shfaqje. Teatri Shqiptar i Shkupit, ai i Tetovës, i Gostivarit si dhe njësia Teatrit shqiptar pranë Shtëpisë së Kulturës së Kumanovës, morën gjithsej 19 shfaqe me një buxhet prej 18.600.000 den. (mbi 300.000 euro). Personat juridikë fituan 7 shfaqje të financuar me gjithsej 2.140.000 den. (rreh 35 mijë euro), kurse 1.042.000 (rreth 17 mijë euro) për 5 shfaqje iu ndanë personave fizik. Po ashtu, për pesë manifestime e festivale teatrale shqiptare (ku mbase do të shfaqen 20 shfaqje shqipe e të huaja) nga buxheti i përgjithshëm iu ndanë 4.574.972  (rreth 74.300 euro).

Pra, në total, shqiptarët e Maqedonisë së Veriu për vitin 2022 do të mund të përcjellin rreth 55 shfaqje, për të cilat Ministria për Kulturë ka paraparë subvencionim në shumën prej 26.356.972 den. ose (427,768.38 euro).

Natyrisht që, e drejta diskrecionale e ministres për të menaxhuar me 10 për qind nga shuma e përgjithshme e buxhetit të paraparë për veprimtarinë teatrore si dhe, shih çudinë, mbi 350 mijë euro të ndara për mjete higjienike institucioneve nacionale, kanë ndikuar në masë të madhe në zvogëlimin e buxhetit të përgjithshëm, me qëllim që populli “20 për qind” të “grabisë” buxhet më të vogël! E drejta diskrecionale e ministres si dhe paratë e ndara për mjete higjienike për institucionet nacionale e lokale, bëjnë buxhet aq sa buxheti i ndarë për projektet teatrore shqiptare. Është jashtë çdo logjike dhe shumë ofenduese që mjetet higjienike të jenë në të njëjtin zë të buxhetit për aktivitete teatrore. Hejza do të vazhdojë me analizë edhe mbi projektet e sektorit botues, skenike-muzikore, arteve pamore etj. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat