Për Teatrin e Fëmijëve të Ulqinit nuk është pengesë as virusi korona

Kultura

Për Teatrin e Fëmijëve të Ulqinit nuk është pengesë as virusi korona

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 09:16
Teatri i Fëmijëve, Ulqin

Këto dy vite me pandemi të paparë deri më tani, kanë ndryshuar shumë gjëra, e anash nuk është lënë as teatri e instuticionet e tjera kulturore. Qysh nga marsi i vitit 2020, atëherë edhe kur u shfaq virusi Covid-19, i cili tashmë ka përfshirë gjithë universin, organizimet kulturore-artistike morën një goditje të madhe.

Në përgjithësi institucionet kulturore në Mal të Zi, e sidomos ato që aplikojnë artet skenike, kishin një varg problemesh e sfidash. Shumë prej ngjarjeve u pezulluan, ndërsa kishte edhe artistë të shumtë që përdorën alternativa tjera për të qenë sa më afër publikut. Pra, ishte periudhë pandemie me të papritura, kishte dhe situata të frikshme, fakti që nuk dinim si të vepronim në një rrethanë që nuk kishte shpjegime të mjaftueshme. Ishte po kaq enigmatike, një mister që akoma po vazhdon, me të cilin të gjitha teatrot po vazhdojnë të sfidohen. Por, pavarësisht situatës, kultura filloi të ringjallet gradualisht duke zhvilluar aktivitetin e saj me një numër më të vogël audience se zakonisht. E njëjta vlen edhe për Teatrin për Fëmijë të Qendrës për Kulturë të Ulqinit , që pavarësisht kushteve jo të favorshme, sidomos për shkak të pamndemisë , kishin dhe vazhdojnë të kenë një sërë paraqitjesh skenike.

Regjisorja e Teatrit për Fëmijë të Ulqinit, Edina Mustafiq në një bashkëkomunikim tregon për sfidat ( vështirësitë) në të cilat po kalon Teatri për Fëmijë i Qendrës për Kulturë të Ulqinit , i cili për herë të parë filloi punën me të rinjtë e këtij qyteti në shkurt të vitit 2019, gjatë kësaj periudhe, për sukseset e arritura në kohë pandemie dhe për realizimin e shfaqjeve të reja.

Image
Edina Mustafiq, regjisore

“Fillimi i punës së këtij teatri ishte një sfidë në vete, duke pasur parasysh që të rinjtë e qytetit të Ulqinit nuk ishin mësuar me termin - teatër. U regjistruan rreth 35 anëtarë, duke përfshirë kështu mosha të ndryshme, nxënës të shkollës fillore dhe të mesme, grupi i nxënësve në gjuhë shqipe dhe grupi i nxënësve ne gjuhë malazeze. Të rinjtë, përveç se të talentuar, treguan disiplinë dhe bashkëpunim te frytshëm në grup. Premiera e parë, shfaqja “E bukura dhe bisha” u dha në qershor të vitit 2019, e cila u mirëprit nga publiku ynë, duke vazhduar ne muajin korrik me shfaqjen “Ëndrra e Sarës”.

Këto shfaqje patën mundësinë të ripërsëriten edhe në Festivalin “Skena verore 2019”. Sa do kohë kalonin, interesimi i të rinjve ishte edhe më i madh, ku kështu edhe rezultatet ishin më të mira, për një qytet i cili është rritur pa teatër.

Gjatë fillimit të vitit 2020, për shkak të masave mbrojtëse kundër Covid-19, teatri i fëmijëve realizoi “Natë poezie”, në një performancë oleinë, me poezi të autorëve më të njohur botërorë, duke vazhduar në fillimin e vitit 2021 me po të njëjtin aktivitet, por kësaj radhe me autorë vendas (të Ulqinit.)

Suksesi i radhës ishin shfaqjet “Hirushja” dhe “Pepeljuga”, shfaqje këto të cilat u dhanë ne korrik dhe tetor të vitit 2021, ku kënaqësia më e madhe ishte po ashtu pjesëmarrja në kino-sallën në Katërkollë ( Anë të Malit) e cila pas shumë viteve u rikthye ne funksion. Po ashtu teatri i fëmijëve udhëtoi edhe ne qytetin e Tuzit. Teatri i fëmijëve tani është në përgatitje të dy shfaqjeve, me dy grupmosha, ku para sezonit turistik do kemi premierën e shfaqjeve: “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët” dhe “Bukuroshja e fjetur”, thotë Edina.

Ajo si regjisore e re profesioniste që premton shumë në të ardhmen, plot vullnet e entuziazëm për punë profesionale, jo pa qëllim, siç shprehet ajo, fokusin me teatrin e fëmijëve e ka tek përrallat, duke e pasur parasysh se pikërisht ato janë më të dashura për fëmijët, se ato kanë personazhe me të cilat ne jemi rritur dhe e kemi më lehtë t’i ringjallim në skenë, mbasi që jemi ende në hapat e para me këta artistë të rinj.

Më tutje regjisorja Edina vazhdon se peshë të madhe dhe rol të veçantë mban skenografia dhe kostumografia, ku njëherë është edhe kontakti i parë i publikut me shfaqjen, pas hapjes së perdeve. “Kur janë në pyetje shfaqjet dhe përrallat për fëmijë, skenografja dhe kostumografja, Jetmira Hoxha, ka hapësirë edhe më shumë për imagjinatë dhe realizim të punës së sajë, që shfaqja të jetë sa me e bukur dhe përrallore për fëmijët dhe publikun. Fëmijët janë krijesa më e dashur, më e sinqertë dhe përkushtimi që gjendet tek ata, rrallë mund të gjendet edhe tek ne të rriturit, meqë ata kur të rriten do të jenë kolegët tanë”, pohon Edina.

Gjithë kjo punë e bërë nga drejtuesit dhe artistët e këtij teatri në periudhë pandemie , përballë vështirësive të mëdha në të gjitha sferat, me ç’rast provat janë mbajtur më ndryshe se zakonisht e me kujdes më të shtuar që ndokush prej tyre mos të infektohet nga ky virus, dëshmon se ata me vullnetin dhe përkushtimin e tyre të madh nuk e ndalën punën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat