Një i pagdhendur me aftësi për kuadër partie

Kultura

Një i pagdhendur me aftësi për kuadër partie

Nga: Ramdan Pasmaçiu Më: 5 janar 2022 Në ora: 07:00
Ramdan Pasmaçiu

Atëherë, qysh një vit e gjysmë më parë, isha drejtor i shkollës 8-vjeçare të Paftalit në Shpirag. Pata lënë punën në Tiranë si gazetar dhe kisha shkuar atje gjoja me dëshirë. Ishte lëshuar porosia që shkrimtarët të qarkullonin, të linin zyrat në qendër e të venin në bazë, nëpër rrethe, për të jetuar deri në tre vjet gju më gju me popullin. Kështu, do të nxiteshin më fort nga jeta e gjallë, për të pasqyruar në krijimtarinë letrare hovin e pandalshëm të masave në ndërtimin e socializmit.

Ishte mes i qershorit 1967. Moti - i bukur e i freskët. Papritur, ia mbërriti tek unë një inspektor i arsimit me xhips. Më tha se të nesërmen, në orën nëntë paradite, duhej të ndodhesha patjetër në komitetin e partisë. Më vajti mendja se mos do të më komunikonin që më kishin lënë të lirë për t’u kthyer në Tiranë. E, pra, asnjë lloj lajmi s’mund të më gëzonte më shumë.

Prita me zor të gdhinte nata. U nisa me të zbardhur më këmbë drejt Beratit. Ishte një rrugë dy orë e ca e gjatë, nëpër shkurre, përrenj e qafa shkëmbore. U paraqita në komitet pa vajtur ora nëntë. Nëpunësi i rojes më tregoi se më prisnin në zyrën e sekretarit të dytë. Tek ngjisja shkallët, u binda se s’kishin të më jepnin lajm tjetër, vetëm atë që parandjeja: Byroja e partisë e rrethit, pasi kishte marrë një kërkesë të dytë nga redaksia e gazetës, qe mbledhur dhe kish vendosur të më lejonte të kthehesha në Tiranë. Kjo do të ishte! S’mbetej më pikë dyshimi! S’e dija se po shkoja për lesh e do të dilja i qethur! Më thanë se kishin konsideratë për mua, ndaj do të më dërgonin për ta kaluar muajin korrik në aksionin e rinisë të shkollave të mesme, në fermën “Partizani”. Dhe shtuan se ashtu, duke qenë në mes të rinjsh, kisha rast të frymëzohesha nga vrulli i tyre revolucionar. Më ra si bombë ai komunikim. Megjithatë, e ndrydha përbrenda befasimin e pakënaqësinë. Si mund të kundërshtoja! Të më shpallnin njeri që nuk mirëpret detyrën e ngarkuar nga partia!?

- Dakord! - u thashë.

Njëri nga sekretarët, që kishte punuar më tepër se dhjetë vjet në organet e ministrisë së punëve të brendshme, një lëkurëhollë, fytyrëverdhë, që të linte përshtypjen se nuk kishte parë kurrë dritë dielli, e që në dhjetor do të vdiste nga një kancer në mëlçi, u ngrit e më rrahu supet.

- Je djalë i mirë ti! - më tha. - Je i formuar politikisht e ideologjikisht! Je me perspektivë!

Në ditën e në orën e caktuar u gjenda te sheshi përballë kinemasë “22 Tetori”. Atje qe renditur brigada e nxënësve aksionistë. Dhe pas brigadës - nja pesë autobusë rrangallë nga ata të shërbimit urban, por të larë nga pluhuri e të stolisur me banderola rreth e rrotull.

Komandant i aksionit do të ishte një djalë rreth të tridhjetave, që paskësh qenë brigadier në një kooperativë të largët bujqësore! Pati kryer me kohë 7- vjeçaren dhe sapo kish mbaruar një kurs tremujor partie. S’ia kishin dhënë ende vendin e ri të punës. Detyra e komandantit në atë aksion do të ishte si njëfarë prove, si njëfarë mbrojtje diplome. Tregonin se qenkësh i flaktë e me cilësi organizative! Jepte shpresa për kuadër në sektorët e partisë. E quanin Sefer. Kish ca sy të vecërr e të bardhë, shpues e mjaft të lëvizshëm. Leshrat - të rrallë e të zbërdhulët. Qafën e gushën - të kuqe. Dhe vetullat mezi i shquheshin.

Erdhi çasti e u nisëm. Unë isha në autobusin e parë. Aksionistët ia kishin marrë këngës popullore beratase “Ç’u ngjita përpjetë kalasë!” Ishte vërtet një prej këngëve më të bukura qytetare. Kulmin e shpërthimit të ndjenjave e arrinte te refreni:

“O-of, o-of, aman, medet!

Dhe në vdeksha, dheu s’më tret!”

Bija përmbys pas asaj kënge. Kur e dëgjoja në Tiranë, në emisionet e radios, më vlonte gjoksi e përlotesha. Ajo këngë më ndizte një mall të patreguar për vendlindjen. Të rinjtë sikur me kast e kishin zgjedhur, që të më mbushnin zemrën mua! Fillova të këndoja edhe vetë, por as me zë, as me buzë, vetëm me mend. Doja të ruaja njëfarë largësie prej tyre. Ishte hera e parë që ndodhesha me ta. Përballë kisha Seferin. Qe ulur mbi kapakun e motorit dhe seç po bisedonte me shoferin. Sa mbaroi me të e u kthye, pashë se qe nxirë në fytyrë e i lëvizte syri i majtë. Përplasi paksa buzët dhe shtriu krahët para me pëllëmbët të përmbysura.

- Pushoni, mor jahu! - gërthiti. - Pu - sho - ni! Dasmë kemi këtu!? Harruat që jemi aksionistë, domethënë!? Këngë revolucionare të këndojmë, këngë të punës!

Aksionistët heshtën për pak, sa për t’ia dëgjuar fjalët. Pastaj vazhduan:

“Plot me lot ç’m’u mbush shamija,

me xhananin kur u ndashë!…”

Ai u tërbua. Më shikoi në sy, si të më kërkonte ndihmë. Iu qasa në vesh.

- Ke të drejtë, - i thashë, - por uji që derdhet s’ndalet dot me këmbë! Lëri ta mbarojnë!

Po Seferi nuk më dëgjoi. Kapi çastin kur një nxënës imitonte orkestrën me bulçi, ngriti grushtat lart dhe ia dha:

- Rroftë partia e punës!

- Urraaa! - brohoritën nxënësit aksionistë.

- Edhe një herë, domethënë!

- Urraaa!

Pastaj, për çudi, vazhdoi prapë kënga e kalasë:

“Do vete t’i them satëme,

hiqe prej meje sevdanë!”

Komandanti u skandalizua. S’po mbushej dot me frymë. Desha ta qetësoja. Iu afrova përsëri në rrëzë të veshit:

- S’ndalet uji me këmbë! Të thashë! Lëri!

Ai shfryu dhe hoqi dorë. Por, me të mbaruar ata, si të trembej se mos ia zinin radhën me ndonjë këngë tjetër si ajo e para, filloi të këndonte me ngut:

“Me Enverin, me partinë,

socializmit do t’ia mbërrijmë...”

Ishin ca vargje bajate, që herë përdoreshin për brohoritje e herë këndoheshin, si shoqërim i një valleje të thatë, nëpër sheshe mitingjesh. S’kishte kurrfarë figure vallja, veç përngjasimin e sjelljes rrotull të kalit në lëmë.

Befas komandanti i aksionit thirri:

- Të gjithë, mor jahu! Të gjithë bashkë!

Atëherë ia nisën edhe aksionistët. Madjé, ai që kish imituar orkestrën me bulçi, u ngrit nga vendi tek qe ulur dhe, teksa autobusi ecte, ia mori valles i vetëm në rruginën midis sediljeve. Të tjerët tashmë, jo veç këndonin, po edhe i mbanin ritmin e kërcimit, duke përplasur pëllëmbët. Seferi arriti majën e entusiazmit. Vazhdoi të këndonte më këmbë dhe i qeshur, duke lëvizur me shkathtësi ata sytë e vecërr sa majtas - djathtas, po edhe duke i hedhur nga unë, si të më lëvdonte aftësitë që kishte për ta bërë rininë për vete. Më tej çonte grushtet lart, duke lëshuar thirrma:

- Jepini, shokë! Jepini, shoqe! Ju lumtë, domethënë!

Por, papritur, autobusit i del para një gomar dhe shoferi frenon me forcë. Ai i bulçive që kish marrë vallen, u rrëzua me hundë në mes të rruginës. Veç, edhe më keq e pësoi komandanti. Ai ra me kurriz e këmbëpërpjetë mbi kapakun e motorit që kish pas shpine, u tregoi aksionistëve shojet e këpucëve, e koka iu përplas pas xhamit të përparmë.

- Djalli e mori! - tha si u ngrit e duke e mbajtur kokën me dorë. - Ç’qe kjo, mor jahu! - Pastaj iu kthye shoferit: - Nuk e shikon rrugën ti, domethënë!?

- E pati fajin gomari, jo unë! Shyqyr që s’e shtypa, thuaj! Shyqyr edhe që na shpëtoi xhami pa thyer!

- Mirë e ke, po gungës time në kokë, mor jahu, si do t’ia bëjmë?

Kënga ishte ndërprerë me kohë si me thikë. Tanimë aksionistët qenë grumbulluar përreth Seferit e sa s’po i zinin frymën. Me të dëgjuar për gungën, filluan të thërrisnin pa radhë:

- T’i vëmë qepë e kripë, se ulet menjëherë! Kush ka një çikë qepë e kripë?

- Një pesëleksh duhet, një pesëleksh! Kush ka një pesëleksh për kokën e komandantit, se i është bërë një gungë sa një vezë?

- Kam vetë, kam vetë, domethënë!

Ai e nxori nga xhepi, e vuri sipër fryrjes dhe nisi ta shtypte.

Njëri e pyeti:

- T’ia marrim një këngeje tjetër tani, apo ta lëmë?

- Komandanti ka hall, e ti dashke të këndosh! - ia pritën disa.

Seferi foli për të gjithë e me gjallëri, por pa e hequr dorën nga gunga:

- Këndoni, këndoni! Pse jo! Edhe dhjetë herë të rrëzohemi, prapë duhet të ngrihemi! - ka thënë Lenini, domethënë!

Se kush filloi:

“Mora mandolinën, dola në sokak…”

Të tjerët e pasuan:

“Ç’ke, moj vajzë e vogël, pse më bën merak?...”

Seferit sa s’i dolën sytë. Pyeti me rrëmbim dhe i ngrysur:

- Mor jahu! Ç’porosi ju dhashë qysh sèfte!? Pse nuk bindeni!? Apo doni, domethënë, që ta përjashtoj ndonjërin nga aksioni?

E ndjeva se duhej të ndërhyja.

- Atë këngën e mandolinës do ta këndojmë atje, në kohën e lirë! - thashë. - Se edhe mua më pëlqen shumë. Kurse tani njerëzit në rrugë duhet ta kuptojnë edhe nga këngët se ç’jemi e ku vemi! Ndaj, pse të mos marrim, ndonjë këngë të zjarrtë, që i shkon rinisë aksioniste!

Të rinjtë ia nisën në çast:

“Malet me blerim mbuluar,

plot me bukuri…”

Mandej, gjer në mbërritje gjithçka shkoi mirë. Dhe Seferi, megjithqë gunga nuk i qe ulur edhe aq, ishte qetësuar e zbutur disi dhe përpiqej të buzëqeshte. Veçse, buzëqeshja e tij dukej e zbarët, pa kripë e pa shije, e shpëlarë.

Kur zbritëm në fermë, ishte koha që hahej dreka, po drekë për aksionistët nuk u shtrua. S’kishin ardhur ende kazanët, por, ama, kuzhinieri ishte në gatishmëri. Bilé, edhe me përparëse e kësulë të bardhë. U përhap fjala që secili ta shtynte si ta shtynte gjer në darkë.

Mensa ishte një si kasolle e madhe, e gjatë, e ngritur mbi furka dhe e mbuluar me kashtë. Edhe fjetoret ishin të mbuluara me kashtë. Edhe dyshekët të mbushur me kashtë. Edhe jastëkët - me kashtë. Të gjitha - me kashtë. Vetëm batanijet s’ishin prej kashte, por leshi e pambuku dhe të vjetra e me një erë të keqe.

Disa të rinj deshën të pinin ujë, po s’kishte. S’pati ardhur autoboti. Veç, etja nuk durohej. Dielli digjte dhe bënte vapë e madhe.

- Çfarë është kjo kështu! - u ankuan nja dy.

Komandanti i aksionit i dëgjoi e ua ktheu:

- Partizanët, mor jahu, kanë luftuar ditë të tëra pa ujë! Ju të mos rezistoni dot pak orë! Janë vështirësi të fillimit këto, vështirësi të rritjes. Do të kapërcehen, domethënë!

Dikur u dëgjua uturima e autobotit. Pas tij, si të ishte i rimorkjuar, vinte një zetor, tek qenë hedhur kazanët. Nëpër atë rrugë të pashtruar e me gropa, ata përplaseshin çast më çast dhe zhurma e tyre përshkonte fushën dhe shkonte gjer matanë shtratit të lumit Devoll. Aksionistët e djegur për ujë u sulën tek autoboti. Por Seferi u gjend përsëri në krye të detyrës.

- Largohuni! - thirri. - Ku janë komandatët e kompanive? Komandantët e togave ku janë? - Ata i dolën sakaq përpara. - Hë, mor jahu, ç’bëni ju!? Vërini forcat në rresht! Të gjithë të pinë me rregull! Por në fillim të bëhet furnizimi i kuzhinës, domethënë!

Ndërkaq, sytë e të rinjve dalluan kënaqësinë në fytyrën e dhjamur të kuzhinierit, që kishte afruar me vrap bidonat.

- E ka mirë prefesori! - tha ai për Seferin.

Ky u prek në sedër, se ia ulën postin:

- S’jam profesor, mor jahu, po komandanti, domethenë!

Kuzhinieri vazhdoi buzagaz:

- E ka mirë shoku komandant! Po nuk u furnizua më parë kuzhina, me se do të ziejnë fasulet?

Kështu, u bë e njohur edhe menyja e darkës, e një darke korriku. Megjithatë, ajo u rrokullis si u rrokullis, se gatimi qe bërë me mend, në formën e një supeje pa yndyrë. Kokrrat e fasuleve duhej t’i kërkoje gjatë me lugë. Lëngu i bollshëm i domateve të tharta e shtynte më lehtë bukën poshtë. Kësisoj, edhe unë hëngra me oreks. Isha jo veç pa drekë, po edhe pa mëngjes. Pra, tashmë mund të flija rehat. Kashta s’do të më bënte përshtypje, se s’kisha ndryshim nga të tjerët. S’qeshë i lindur e i rritur në pupla. Në fund të fundit, aksion ishte atje e jo turizëm. Po ku ta dija se ajo natë do të më kalonte pothuaj pa gjumë! Pesë minuta, pasi u shtriva në dyshek, ndjeva të më kruhej trupi. Ndërkohë, dëgjova zëra të shqetësuar. Pak e nga pak, zhurma e zërave sa vinte e shtohej. Seferi, që flinte pranë meje, u zgjua si nga një ëndërr e keqe.

- Ç’është!? - më pyeti i tronditur nëpër errësirë.

- Po dalin nga fjetoret, më duket! Se ç’kanë! - i thashë.

Ai brofi më këmbë, veshi pantallonat dhe u zhduk përjashta duke vrapuar.

- Ku shkoni, mor jahu!? - sokëlliu. - Kthehuni prapa! Nëpër fjetore, domethënë!

- Ç’të kthehemi! Na grinë tartabiqet! - përgjigjeshin të rinjtë në atë gjysmëterr, ku mezì sa arrinte drita e dobët e një llampe të varur te një shtyllë e drunjtë dhe e shtrembër pranë mensës.

- S’e kemi vënë kollaj gjakun!

- S’erdhëm këtu, t’ua falim tartabiqeve!

- Mjaft! - bërtiti Seferi i nervozuar. - Ku janë komandantët e kompanive? Komandantët e togave ku janë, mor jahu!?

- Këtu jemi! - ia kthyen. - Por u thonë tartabiqe atyre! S’kemi ç’u bëjmë!

Ai shtriu buzët i çuditur.

- S’e marr vesh, domethënë! - tha. - Unë kam gjysmë ore që fle dhe s’më kanë ngrënë fare, mor jahu!

Njëri nga të prapmit ia priti:

- Mbase ke gjak të hidhur ti! S’afrohen në gjak të hidhur ata!

Disa qeshën. Komandanti u fye.

- Kush foli? Të dalë këtu ai që foli, domethënë!

Ndërkaq ia mbërritën vajzat.

- Na mbytën tartabiqet! - thërrisnin!

Po Seferi s’u vuri vesh. Ai prapë sokëllinte:

- Këtu, këtu të dalë ai që foli, mor jahu! Do të shohim, po nuk e përjashtova nga aksioni, domethënë!

Isha në krah të Seferit. Tani të rinjtë heshtnin. Asnjë prej tyre nuk qeshte. As nga djemtë e as nga vajzat. Ndërsa unë me zor përmbahesha të mos qeshja. Sa shumë “mor jahu” e “domethënë” kishte! Po edhe me ato që thoshte, sikur e paralajmëronte atë djalin të mos dilte! Kuptova se jo veç ishte i nxituar e i vrazhdë, po edhe pa kulturë qytetare e pak i trashë. Krijonte gjendje të ndera dhe vetëhumbiste në to. S’qe për komandant aksioni ai! Çudi si e kishin vënë! Qysh do t’ia bëja me të! Të kish edhe ndonja dy - tre mësues në aksion, ndryshe do të ndihesha. Po ashtu, i vetëm...

E pashë tek u fut në turmën e të rinjve.

- Ti fole, mor jahu? Ti? Ti tjetri? As ti, domethënë?

Ishte një këmbëngulje mushke. Ai qe i bindur se më kishte nga pas. Po si mund ta ndiqja në marrëzitë e tij! Qeshë larguar paksa dhe kisha ndezur një cigare. Gjersa që natën e parë i lejonte vetes aq acarim me aksionistët, vaj - medet si do të shkonin punët më tej!

Kur ktheu kokën dhe më pa tutje, e ndjeu se nuk po më pëlqente ajo që po bënte. U ndal.

- Mos kujtoni, mor jahu, se ma hodhët! - i tha turmës. - Do të vazhdojmë nesër, domethënë!

E ndërsa u nis drejt meje, turma u ndez. Njëri ia priti:

- Ç’nesër, shoku komandant! Sonte si do të bëhet? Ku do të flemë sonte?

Të gjithë:

- Sonte, sonte!

Një tjetër:

- Dhe mos e nxirr me ne inatin e tartabiqeve! S’kemi ardhur këtu të zihemi për të bardhat e laraskës, po për të punuar!

Seferi i mbërtheu këmbët në vend gjithë kërcënim, e teksa askush s’foli më, m’u afrua i tronditur. Syri i majtë përsëri i hapej e i mbyllej me vrik, frap - frap! Dukej, ishte një tik i tij nervor.

- Si të veprojmë, mor jahu? - më pyeti. E kuptova se donte mendim për atë që i kish fyer gjakun.

- Lëre! - i thashë. - Një shakà ishte! S’vete t’i qepesh pas me gurë në trastë! - Dhe i përkëdhela sedrën: - Je kuadër!

- Keni shumë të drejtë, - ma ktheu, - kuadër jam, por edhe pa diciplinë, nuk bëhet, domethënë! Mungesa e diciplinës të çon në anarshi! - ka thënë shoku Enver, mor jahu!

- Ashtu, ashtu! - vazhdova. - Por i vetëm do ta kesh vështirë. Duhet të mbash afër shtabin dhe ta vësh në lëvizje! Ja, edhe për sonte, se ku do të flenë, të ketë një vendim shtabi!

Dhe ai thirri të rinjtë e shtabit. E ata u treguan të vendosur. Të gjithë thanë se nga ferma nuk ishin marrë masat. Kjo qe dukur qysh se kishin ardhur. Asnjë parrullë mirëseardhjeje! Asnjë përshëndetje! Madjé, asnjë pritës, veç kuzhinieri! Po edhe as bukë e as ujë! Dhe batanijet - të palara. Binin erë myk, si edhe dyshekët! Duheshin edhe tartabiqet, që të mos flinin dot! Por a mund të punohej pa gjumë!? Gjumi ishte kryesori! Pra, ç’ish ai mosinteresim!? Ç’ish ai indiferentizëm!? As tualete të veçanta për vajzat s’kishte! As banja! S’e dinin se do të vinin njerëz aty e jo bagëti!? Ç’bëhej ashtu!? Sabotohej aksioni!? Të thirreshin menjëherë drejtori i fermës e sekretari i partisë dhe të jepnin llogari! Përndryshe, do të largoheshin qysh atë natë!

- Po daleni! - ua ktheu Seferi. - Ç’janë gjithë këto!? Qysh porosit partia, domethënë? Të parët në sakrifica, të fundit në pretendime! Të sakrifikojmë pak, mor jahu!

- Jo, more, shoku komandant! Ata të flenë në shtëpitë e tyre rehat dhe ne, që na pret fusha me të zbardhur, ta gdhijmë jashtë!?

- Po partizanët në male, në dimër, në dëborë, në shi, domethënë…

- S’jemi në luftë këtu, po në aksion! - e ndërpreu një vajzë e shtabit. - Qysh tani t’i zgjojmë nga gjumi ata, që nuk e kanë vrarë mendjen për ne!

Seferi s’kishte se nga të lëvizte.

- Mirë, mor jahu! - tha. - Po dëgjoj zërin e masës, siç na edukon udhëheqësi ynë i dashur, domethënë, me mësimet e tij largpamëse!

Vajzat i lanë të flinin mbi tryezat e mensës, djemtë - nëpër bar, rrëzë pemëve, dhe ngritën kuzhinierin t’u tregonte shtëpinë e drejtorit.

- Ai rri në qytet! - ua ktheu.

- Na pri, pra, për te sekretari i partisë!

- Po ç’më ngatërroni mua! Pse më fusni në belà! Jua tregoj që këtu dhe e gjeni kollaj! Shkoni drejt e drejt dhe do të dilni te një si breg. Ka ca mullarë tek ai bregu. Lërini mullarët në të djathtë dhe...

- Mjaft! - i thanë. - Do të vish me ne! Mbaroi!

E vunë përpara.

... Trokitën te shtëpia e sekretarit. Doli. Ia numëruan të gjitha.

- Bre, bre! - ia bëri ai. - Po mua më raportuan se çdo gjë është në rregull! Nejse! Do të vij vetë nesër atje! Shkoni!

- Nuk shkojmë, jo! Aksionistët janë jashtë! Ju presin tani! Juve dhe drejtorin! Njoftojeni me telefon!

- Bre, bre! Po qenkeni barut, bre! Pritmëni pak! - Ai u kthye brenda. Jashtë arrinte zëri i tij: - Alo, merr makinën, bre, dhe hajde, se na presin ata, aksionistët! E, e, sonte! Sonte, po çë! Ika unë përpara!

Atë natë në qendrën e aksionit u bë zallamahi. Pyetjet e të rinjve për drejtorin e sekretarin e partisë ishin si gozhdë e i mbërthyen me shpatulla në mur. Veç kërkesave që ngriti shtabi, të tjerët shtuan edhe pse nuk qe bërë ndriçimi. Pse ishte lënë gjithçka e zhytur në terr! Mensa me aq pak drita dhe sheshi vetëm me një llampë - varur në shtyllën e shtrembër!

Pastaj thanë të tërhiqeshin menjëherë të gjithë dyshekët e të gjitha batanijet dhe të zëvendësoheshin me të lara. Të ngriheshin një orë e më parë tualete e banja për vajzat, depozitë uji me rubineta për larjen e fytyrës e të duarve, që të mos plaste ndonjë epidemi! Në qoftë se nuk pranonin t’i bënin këto, do ta linin aksionin, do të ktheheshin në çast më këmbë në Berat dhe ata t’i përgjigjeshin vetë komitetit të partisë të rrethit!

- Unë, për hesapin tim, bre, ju bëj lutje të na falni, se s’kemi eksperiencë në këtë drejtim! E para herë që na vijnë vullnetarë si ju këtu, bre! Po, nejse! Batanijet do t’jua këmbejmë qysh nesër në mëngjes me të lara në teknikum. Iku kjo, u bë! Dyshekët i nxjerrim në diell e u hedhim ca flit. Për disa orë, bre, tartabiqet asgjësohen. Iku dhe kjo, u bë! Ja, edhe ndriçimin e realizojmë! Blejmë ca llampa, bre, ca tel, ngulim ca shtylla aty - këtu, sjellim elektriçistin dhe... Iku edhe kjo! U bë! Po kështu, bre, depozitën e ujit e kemi në dorë. Marrim nja dy - tri fuçira, i ngrejmë mbi një si mur gjysmë metri, a tre çerek metri të lartë, i themi hidraulikut t’i lidhë me një sulinë, siç thatë ju, bre, t’i vëjë sulinës ca rubineta, siç thatë ju, dhe iku, u bë edhe kjo! Po për nevojtoret e për banjat e vajzave, bre, qysh do t’ia bëjmë? Hë, mo, shoku drejtor!

- Atë e kam zgjidhur. Nesër janë të përfunduara me eternit. Por, një herë në javë do t’ju sjellim edhe film këtu. Do t’ju vëmë edhe qendër zëri me radio! E siguroj te kinemaja e qytetit qendrën e zërit. Do t’ju sjellim edhe ca kutira shahu. Mirë?

Ishte ora tre pas mesnate. Më pesë e njëzet bëhej ditë. Me zotimet e sekretarit e të drejtorit, u duk se ajo mbledhje ia arriti qëllimit. Të gjithë u shtrinë përsëri të merrnin, së paku, një sy gjumë. Tani edhe unë isha jashtë me nxënësit. Do të flija ulur, mbështetur me shpinë pas trungut të një plepi. Kurse Seferi u fut rishtas te kasollja e vogël, që ishte e posaçme për ne. Vërtet atij, o s’i afroheshin tartabiqet, o ai s’i ndjente. Mjaft nga djemtë nuk i zuri gjumi si me çelës. Ata vazhduan të bisedonin ngadalë, madjé edhe duke hedhur romuze e duke u shkrirë së qeshuri. “Marrim ca tel, bre, ca llampa! Iku dhe kjo! U bë!” - thoshte njëri. “Pusho, mor jahu, se do flemë, domethënë!” - ia kthente tjetri. “Ç’të flesh, bre! Tani po zbardh! Çohu të luajmë, se kanë ardhur kutitë e shahut!” Dikush andej nga fundi këndonte lehtë: “O, ç’po vjen ky lumi me utrimë!...” “Pusho, or qyp! - e qortuan disa. - Prapë me këngë sazesh ti! Zër, ore, një nga ato me “urra”, se jemi në aksion këtu, s’jemi në dasmë!” Dikur, duket, se kush bëri shenjë nga unë. Isha symbyllur. “Po fle, po fle! - u dëgjua një zë i ulët nga ata që kisha afër. - Por mos kini merak nga ai! Është ndryshe fare! Është në krahun tonë!”

Nuk mora vesh se kur më zuri gjumi, e as se si ia mbërriti aq shpejt koha e zgjimit. Goditjet e Seferit mbi çangën, që lajmëronte të çoheshim, sikur më binin mbi kokën e rënduar. Ndihesha i këputur, por jo i mërzitur. Të rinjtë më kishin dhënë humor.

- Në rresht, në rresht, mor jahu! - bërtiste Seferi para autobotit, tek aksionistët u mblodhën të lanin sytë. - Në rresht, në rresht, domethënë! - bërtiste ai edhe më pas, para hyrjes në mensë.

Mëngjesi: një gotë çaj me një lugë sheqer, një fletë e hollë dhe e thatë djathi me domate te vogla, dy patate të ziera, bukë nja dyqind gramë dhe kripë. Kjo ishte e bollshme, veç e zezë dhe me baltë të gjelbër.

Jashtë mensës prisnin shoqëruesit e aksionistëve, që do të shpërndanin veglat e do të tregonin punën. Ishin shumica gra. Përgjithësisht të zbathura e me fytyrat të përzhitura nga dielli, me shami të bardha lidhur flokët, me pantallona doku të arnuara e fustane basmeje sipër. Kishte midis tyre edhe burra të parruar e të pakrehur, por këta qenë më të paktë. Si gratë, si burrat, do të bënin edhe matjen e punës së të rinjve aksionistë me ca këmbaleca dërrase në formë trekëndshash, që mbanin në dorë. Rruga do të ishte jo fort e shkurtër. Dhe puna - në diell. Do të shkuleshin rrënjë zarzavatesh të vjela e barishtesh të egra, ferra e gjembaçë nga kanalet kulluese dhe do të mblidheshin në pirgje të mëdha, tek do të shkonte t’i merrte zetori.

- Një kompani do të thellojë e zgjerojë kanalin e madh vaditës! - tha një brigadier.

Sa dëgjuan fjalën kanal, të rinjtë ia morën këngës:

“Ik e ik e s’ka të sosur ky kanali i Myzeqesë!...”

- Ashtu, mor jahu! Ashtu, më ju lumtë, domethënë! - thirri Seferi i entusiazmuar dhe dha komandën e nisjes.

Dita e parë nuk shkoi mirë. Flamuri i emulacionit nuk u ngul në asnjë kompani. Aksionistëve u merreshin mendt e mezì mbaheshin më këmbë. Nata e gdhirë pothuaj pa gjumë, dielli përvëlues, etja e ethshme për ujë, ua prenë gjunjët qysh pa afruar mesdita. Dhe kur ktheheshin në qendër, nuk flisnin, i hidhnin hapat zvarrë. Shëmbëllenin me ushtarë që vinin nga ndonjë front lufte, tek ishin shpartalluar. Megjithatë, u gjallëruan papritur dhe qeshën me të madhe, kur panë se para mensës qe vënë parrulla: “Mirë se erdhët, të dashur shokë aksionistë!” Ishte si çorba pas pilafit. “Bre, bre, - tha njëri, - iku dhe kjo, u bë!” “Hahaha!” - ia dhanë gjithë të tjerët. “O po, ujë, se u dogj lumi!” - thirri dikush. “Ku është depozita? Ku është autoboti?” - pyetën disa. Si s’vunë re asgjë nga këto, u sulën me rrëmujë drejt kuzhinës, të shuanin etjen. Por, komandanti i aksionit u preu rrugën:

- Prapësohuni! - ulëriti. - Prapësohuni, mor jahu! Ku janë komandantët e kompanive? Komandantët e togave ku janë?

Dhe urdhëroi rreshtimin e brigadës. Pastaj doli në krye dhe, i errët pus, tha me zë të lartë se nuk do të lejonte anarshi. Ai, si komandant, ishte shumë i pakënaqur nga ai fillim i dështuar.

- Dhe mos harroni! Shoku Enver ka thënë se dita e mirë duket që në mëngjes!

Të gjitha thëniet ai ia vishte o Enver Hoxhës, o Leninit!

Më pas tha se nuk do të arrinin kurrë suksese, nëse nuk do të kishin rregull e diciplinë. Dhe tregoi se Lenini i madh theksonte në veprat e veta të pavdekshme që aksioni, pa rregullin e diciplinën, është si mulliri pa ujë. Prandaj ai do ta mbante timonin shtrënguar mirë, që të mos bëheshin si këmbët e dhisë. Ta dinin se aty nuk kishin ardhur për t’u shullërë në diell, po për ta derdhur djersën çurg si revolucionarë të vërtetë! Kush nuk donte ta kuptonte këtë, le t’ua hypte opingave dhe le të vinte majat nga thembrat, se rrugën të hapur e kishte! S’e mbante njeri me zor.

Ai u zgjat e u zgjat. Përdori të tjera fjalë e shprehje të vrazhdta, duke u bashkëngjitur shumë mor jahu, shumë domethënë dhe shumë citate, gjoja, të Enverit e të Leninit. Aksionistët e dëgjonin të rreshtuar e të heshtur, të lodhur e të etur, me diellin mbi kokë. Dikur nuk duruan dot më. E ndërprenë me britma:

“Duam ujë!”

“Na dogji dielli!

“S’rrimë dot në këmbë!”

Seferi filloi të vështronte egër sa andej - këtej.

- Mua më prisni fjalën, domethënë!? Mua, komandantit, mor jahu!?

Brigada tashmë zhurmëronte. Gjendja po merrte pamjen e një greve. Iu afrova Seferit.

- Janë pa gjumë! Janë të lodhur shumë! S’kanë pirë ende ujë! U përvëluan në diell! - i thashë majë buzëve. - Lëri të lirë!

- Hajt, shpërndahuni, mor jahu! Të lirë, domethënë! - thirri ai. E ndërsa të rinjtë u sulën përsëri drejt mensës, u kthye nga unë e më çuçuriti:

- Më thotë mendja se këtu ka shumë djem e vajza nga familje të deklasuara. Me njollë në biografi, domethënë. Ata e shkaktojnë turbullirën. Pra, vepron dora e armikut, mor jahu, duket! Shoku Enver ka thënë të jemi vigjilentë në shtëpi, në rrugë, në punë e kudo, domethënë! Prandaj ta forcojmë vigjilencën, mor jahu! T’i zbulojmë armiqtë, domethënë, dhe t’ua vëmë këmbët në një këpucë, siç ka thënë shoku Lenin! Të ndezim luftën e klasave dhe ta mbajmë gjallë, mor jahu! Përndryshe, do të na bëhet aksioni lesh e li, domethënë!

U binda se kisha të bëja me një të pagdhendur, me një shpirtzi, me një hajvan, me një derr. Vetëm pse e kishin përkëdhelur me një kurs tremujor partie dhe pse e kishin vënë komandant aksioni, ngrifej asisoj. Dhe shtyhej ta kërkonte armikun e klasës në mes vajzave e djemve të pafaj. Po t’i jepnin një pozitë tjetër më të lartë, me siguri do të dilte shpatëzhveshur sheshit, të vriste e të priste. Ndonëse bir fshati, i nëpërkëmbur e i gënjyer si gjithë fshatarët, qenkësh si ai evgjiti që, kur u bë mbret, vrau babanë!

Unë heshtja. Seferi tundte kokën.

- Belà e madhe na gjeti, mor jahu! Belà shumë e madhe, domethënë!

E vendosa. Pak e nga pak, do të tërhiqesha mënjanë. Kurrsesi s’duhej ta trashja me të! Larg prej tij! Sa më larg!

Drekën mezì e shtyta. Le që ku hahej ajo! Përsëri fasule, po tani të trasha disi më shumë dhe makarona me vaj kikiriku, të qullta e të ngjitura, si një lloj llaçi që të pështirej. Ujë nëpër tavolina s’kishte, se mungonin gotat. Veç në kuzhinë. Në një tenxhere fusnin hundët njëri pas tjetrit dhjetë vetë. Se as depozita qe bërë e as auotoboti s’kishte ardhur prapë. Pas drekës aksionistët donin të shtriheshin, por batanijet i kishin marrë dhe të larat s’i kishin sjellë. As dyshekët s’i patën lëvizur vendit. Aty nga ora tetë e mbrëmjes erdhi me zetor edhe një thes me flit. Erdhi edhe sekretari i partisë.

- Nesër vlon fliti! - tha. - S’do të ketë më tartabiqe sikur një, bre, deri tek dysheku i fundit! Iku edhe kjo, u bë, bitisi! Ja, kështu! Veç zemrën mos e prishni! Të gjitha do të bëhen! Me radhë!

Të rinjtë e kishin vënë në mes.

- Po sonte ku do të flemë? S’kemi as batanije! Ku janë batanijet? Na thatë që do t’i merrnit qysh në mëngjes në teknikum!

- Ashtu, bre, ashtu, por na e drodhën ata të teknikumit! Na gënjyen, pizevengët! Demek, qenka me leje ai shejtani, magazinieri, na thanë. Po edhe ju, bre, në tërë këtë të nxehtë që po bën, ç’u jepni kaq rëndësi batanijeve! Çuditem, vallahi! Nuk shikoni që po pëllcet derri nga vapa, bre!?

Sa tha kështu, u bë gjullurdi. Aksionistët filluan të flisnin përzierë e me zë të lartë, se ai e drejtori po i mashtronin. Kishin thënë se atë ditë do të plotësonin gjithë ç’ishte mangut. Pse nuk e mbanin fjalën? Pse talleshin? Apo i kujtonin fëmijë? Si guxonin t’i linin natën në tokë!?

- Po daleni, bre, se nuk pritet lisi me një sëpatë! - ua ktheu sekretari. - Ja, sot vumë parrullën, prumë flitin... Nesër... Thashë, bre, me radhë do t’i bëjmë të gjitha! Njëherësh s’bëhen dot!

Atëherë, një tufë djemsh e vajzash iu qepën sekretarit. I thanë se do të shkonin të flinin te shtëpia e tij. Ai hodhi një hap prapa i tronditur e syhapur. Kasketa i ra në pluhur. Mbeti shtangur, por e nxori nga halli komandanti i aksionit.

- Ku shkoni ju, mor jahu!? Asnjë s’mund të largohet nga aksioni pa leje! Dhe lejen e kam vetë në dorë, domethënë!

Aksionistët e gdhinë edhe atë natë jashtë. Të nesërmen kërkuan t’u çoheshin dy bidona ujë të pijshëm në fushë nga ferma. Dhe puna vajti disi më mirë. Madjé, kompania e dytë meritoi flamurin e aksionit, se e realizoi planin gjashtëdhjetë e gjashtë përqind. Në sheshin para mensës atë ditë, në pritje të aksionistëve që ktheheshin nga fusha, qenë, veç drejtorit e sekretarit të partisë, edhe kryetari i bashkimeve profesionale, nja shtatë brigadiere e brigadierë, katërmbëdhjetë të rinj e të reja fshatare dhe tre arixhinj me mustaqe. I pari me def, i dyti me fizarmonikë dhe i treti me gërnetë. Të gjithëve u qeshte fytyra.

Sapo u dukën rreshtat e parë të djemve e vajzave, drejtori i fermës u bërtiti arixhinjve:

- Nisjani, more, ç’prisni!

Në çast defi, fizarmonika e gërneta buçitën në melodinë e valles “Qaj, Minushe, qaj Resulin!…” Të rinjtë e të rejat fshatare filluan të kërcenin duke tundur shamitë. Kryetarit të bashkimeve profesionale, një kokëtuli tullac, iu ndez gjaku.

- Hajde, o, ç’vete! Eh, or, eh! - thirri ai dhe hyri në valle.

Sekretari i partisë i doli përpara komandantit të aksionit dhe i tha:

- Sot kemi menduar, bre, të organizojmë atë pritjen që, për mungesë eksperience, s’e organizuam dot, kur erdhët séfte. Se partia kështu na mëson, bre, t’i korrigjojmë gabimet, apo jo? Kësisoj, edhe kjo iku, u bë, bitisi! Po le të lahen të rinjtë, le të lahen! Le të hanë edhe drekën! Pastaj do të mbajmë edhe një fjalim! Pa edhe do të këndojmë e do të heqim valle plot! Qejf - hesapi! Tymi le të dalë!

Dhe ndërsa aksionistët laheshin, grupi i fermës këndonte këngën:

“Kush punon në bujqësi, edhe moj...

e fshin djersën me shami, edhe moj...”

Atë drekë ishin hequr fasulet dhe qenë zëvendësuar me sallatë domatesh me pak vaj luledielli. Vërtet përsëri s’kishte gjellë me mish, por, ama, pas sallatës, nuk mungonin bishtajat e ziera, bile edhe një hallvë, paçka se ajo qe e paktë, jo fort e ëmbël dhe të ngjitej në qiellzë! Po edhe kërkesat e aksionistëve s’ishin lënë në harresë. Qenë ngulur nja dy trarë në sheshin para mensës me nga një llampë në krye, qenë bërë dyshekët me flit e ishin nxjerrë në diell. Qenë larë bataniet nga gratë e fermës në lumë, nderur në zall e bërë pishë. Qenë shtruar edhe nja tri metra katrorë me çimento, tek do të ngriheshin tualetet e vajzave. Po edhe afër autobotit dukej një grumbull gurësh, me të cilët do të ndërtohej bazamenti i fuçive. Pra, ishte arritur diçka.

Pas drekës, sekretari i partisë u tha aksionistëve të uleshin këmbëkryq në shesh, se ishin të lodhur, dhe nisi të mbante me gojë fjalimin e mirëseardhjes:

- Të dashur shokë aksionistë! Ju uroj nga zemra thellë, bre, në emrin tim personal dhe në emër të organizatës bazë, dhe në emër të drejtorisë së fermës, dhe në emër të klasës punëtore të fermës, që ju lumshin këmbët, bre, dhe mirë se na erdhët! Ja, kështu, iku dhe kjo, u tha, bitisi! Në mes nevet, në fushat tona, bre, ju do të keni fatin të kaliteni më shumë, të bëheni revolucionarë më shumë, që nesër t’i shërbeni më shumë partisë, bre, kudo që ka nevojë. Ja, kështu, iku dhe kjo, u tha, bitisi. Siç thekson udhëheqësi ynë i madh dhe i shtrenjtë, ju, bre, jeni e ardhmja e Shqipërisë! Ja, kështu, iku dhe kjo, u tha, bitisi! Sot ju jetoni të lumtur, se kemi partinë, bre, kemi shokun Enver sa malet.

Kur fliste ai, të gjithë heshtnin. Atij, duket, nuk i pëlqente kjo heshtje. U ndal papritur dhe thirri:

“Rroftë partia e punës!”

“Urraaa!” - ia dha i pari Seferi, duke bërtitur:

- Në këmbë, në këmbë, mor jahu!

Tërë sheshi u ngrit, duartrokiti dhe brohoriti.

Sekretari vazhdoi:

- Ja, kështu, iku dhe kjo! Ne, bre, do t’ju kemi si sytë e ballit, sa të rrini këtu, se jeni bijtë e popullit tonë të dashur heroik dhe se e keni me hakë, se fusha të lodh. Ne s’do të lejojmë që të dobësoheni! Ja, kështu, bre! Përkundrazi, do të marrim masa që të ngjalleni! Që të ktheheni në shtëpitë tuaja të shëndoshë si viça! Unë sot, bre, i autorizuar nga shokët komunistë dhe nga shoqet komuniste, ju bëj të ditur se organizata jonë e partisë ka vendosur që të hani gjellë me mish dy herë në javë. Po, po, bre, është e vërtetë, dy herë në javë! Të enjten në darkë dhe të dielën në drekë. Veç kësaj, ka vendosur, bre, që gjellë me mish të keni edhe në 10 korrik, me rastin e festës së ushtrisë! Atë ditë, bilez, do të keni prapë hallvë. Ja, kështu, bre! Iku edhe kjo! U tha, bitisi!

Seferi duartrokiti fort. Duartrokitën edhe aksionistët pas tij, por vakët dhe ulur.

- Në këmbë, mor jahu! - urdhëroi komandanti i aksionit, duke vazhduar duartrokitjen. - Në këmbë, domethënë!

Pas fjalimit, dalëngadalë çdo gjë u shua. Të rinjtë u shtrinë nëpër hije të çlodheshin. Sekretari i partisë e drejtori i fermës shumë të kënaqur, si zotër të një dasme që kishte mbaruar mirë, u sollën edhe ca në sheshin para mensës, duke shkëmbyer fjalë të ëmbla e buzëqeshje me Seferin, e u larguan.

Dhe koha tregoi se ishin burra e jo llafe. Të gjitha kërkesat e aksionistëve i plotësuan. Çesmat për larje - ditën e shtatë. Tualetet e vajzave - ditën e trembëdhjetë. Kutitë e shahut i sollën pas dy javësh. Tri kuti për dyqind e ca vetë, jo pak. Qendrën e zërit nuk e prunë dot, po se mos e kishin në dorë, e se mos prishte punë! Ndërsa për filmin s’mund të thuash se nuk bënë gjë. Vërtet u shfaq vetëm një film dhe pikërisht dy ditë përpara se të mbaronte aksioni, por, ama, ai qe tërheqës dhe la mbresa të thella. Ishte dokumentar, jo ëndrra në beze! Me pamje të ndryshme e të larmishme nga zhvillimi i bujqësisë në Republikën Popullore të Kinës. Kështu që, në marrëdhëniet fermë - aksionistë çdo gjë rrodhi qetë, se edhe me ushqimin punët nuk shkuan keq. Mishi nuk mungoi. U gatua tamam në ditët e caktuara. Paçkà se ishte i paktë, jo i majmë e me shumë kockë. Vetëm në një drekë ai mbante pak erë, po kjo nuk solli ndonjë dëm të madh. Një diaré, që nuk zgjati as dy - tri ditë. Megjithatë, të gjitha u shtynë si u shtynë. Veç urat e komandantit të aksionit, Seferit, dhe të rinjve s’u puqën që s’u puqën. Gjithçka shkoi thikë e brisk. Seferi e la shpejt shtabin nën hije. U bë vetë Ali, vetë kadi. Dhe ishte i prirur të vendoste në aksion me çdo mënyrë një diciplinë të rreptë ushtarake. Edhe hyrjen në mensë e bëri me rresht e me vrap. Dhe mbledhjet i ktheu në metodë pune. Një diçka e vogël t’i shkrepej - mbledhje! Para buke - mbledhje! Pas buke - mbledhje! Para gjumit - mbledhje! Edhe për syrin e mizës - mbledhje! I mërzitshëm e i paduruar!

“Shoku Enver na mëson, mor jahu, - thoshte nëpër mbledhjet, - që t’ia vëmë tjetrit festen sipas kokës! Edhe ju këtë feste doni, domethënë, se jeni allahu na ruajtë! Po jua lëshove një çikë litarin, të kafshoni këmbët! Posi, posi, mor jahu!”

Njëherë tjetër tha:

“Lenini porosiste: Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë! Por ju, mor jahu, s’merrni vesh nga kjo! S’hani pykë! Jeni dembelë, domethënë! S’e keni realizuar asnjëherë planin qindpërqind!”

Herë të tjera bëhej edhe më brutalë:

- Mos i përvishni buzët, kur ju flas, mor jahu! Dhe mos kujtoni se keni më tepër kulturë, domethënë, se kur i kam dhënë unë ujë gomarit, ju i binit maces me lugë, ose s’kishit dalë akoma nga veza! Po juve aq jua pret dhe aq bëni, mor jahu! S’ka thënë kot shoku Enver që qypi bosh tingëllon më shumë, domethënë!

Veç, aksionistët, o s’i vinin vesh dhe dukej sikur i thoshnin në heshtje “bjeri legenit ti, bjeri!”, o qeshnin të gjithë bashkë e me zë të lartë. Ai bërtiste:

- Mjaft! Futini dhëmbët brenda! Mos m’u zgërdhini si Qosja i Nastradinit, mor jahu! Mos më bëni ekstradë këtu, domethënë!

Rrallëherë ndonjëri edhe fërshëllente me dy gishtat nga pas kurrizit të shokut. E kjo ishte një gjendje vërtet e rëndë për Seferin. Ai tërbohej dhe shfaqej me tërë injorancën dhe egërsinë e vet:

- Jeni mushka, mor jahu! Jeni kokëgdhenj, domethënë! Po mos kujtoni se nuk e di unë që ka gisht armiku i klasës këtu! Do ta gjejmë armikun se s’bën dhe do të digjet ndonjëri patjetër! Do të shkojë i njomi me të thatin! Gjarpri nuk i tregon këmbët, ka thënë shoku Enver, mor jahu, por vigjilenca e proletariatit ia zbulon, si një e një që bëjnë dy, domethënë, dhe ia shtyp kokën!

Atëherë, dikush më i guximshëm andej nga fundi ia bëri si gjel. Seferi rrahu gjunjët me pëllëmbë dhe thirri duke kërcyer mbi njërën këmbë:

- Të dalë këtu përpara gjeli, ai që këndoi si gjel, domethënë! Menjëherë të dalë dhe do të shohë, mor jahu, po nuk i hodha prangat dhe po nuk e nisa në burg për sabotazh, domethënë! Ja, unë, unë që s’jua mbush syrin! Hajde, de, të dalë po them! Hë, pse nuk del? S’ia mban, hë? Por armiku gjendet, ka thënë Lenini, edhe në vrimën e miut të futet! Ja, kështu, mor jahu!

Midis aksionistëve ra heshtja. E ai vazhdoi triumfator:

- E shikoni që jeni frikacakë? Burracakë, domethënë!

E, pra, ai e kishte hallall drurin. Dhe unë, herë - herë, hahesha nga brenda se si nuk e shtronin në hu. Vërtet që shpesh arrinte puna në atë pikë, sa veç një shkëndijëz duhej. Vetëm një shenjë sado e vogël e imja, do t’i lëshonte të rinjtë mbi të si furtunë dhe do ta bënin pelte qyqarin. Por s’mund të arrija gjer atje, se e dija mirë që pastaj ata të sigurimit të shtetit do t’ia behnin aty me xhipsa e do të nxirrnin ujë të zi. I troshitur në këto mendime, ndihesha shumë i mërzitur. Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte ora që Seferi, me gjithë që jepte shpresa për kuadër në sektorët e partisë, do ta pësonte edhe më keq se sa të rrihej. Do të na bënte të shqyheshim gazit me lot me boshësinë e vet, me gomarllëkun e derrninë. Do të katandisej për t’i qarë hallin, i shkreti. Thesi i tij do të grisej dhe do të dukej se nuk kishte brenda përveçse krunde. Pra, me çfarë do të ndodhte, do të vetëhakmerrej për marrëzitë si jo më mirë. Do të ishte njësoj si ta shante veten para të gjithëve me zë të lartë: “Je gomar i tëri! Je një trung që s’merr vesh nga asgjë! Je një rrotë!” Po, po, kështu që ç’ke me atë punë! As më shumë e as më pak!

Dhe ja se si!

Roja i fermës, një plak i prapë e me gjysmë mendje, një pasdite na zë nja tre djem aksionistë, që paskëshin hyrë në parcelën e pjeshkëve, tek këpusnin dhe hanin kokrra të papjekura ende. U vë pushkën e u thotë të mos lëviznin, se i kishte kapur duke vjedhur, e do t’i çonte te komandanti i aksionit. Ai t’ua këndonte kulufruthin në sy të të gjithëve!

- Ecni përpara!

- Aman, na fal, se nuk e bëjmë më!

- Nuk fal kollaj unë, ecni!

- Mirë, po mos na ço kështu si bagëti te shokët, se na vjen turp! Na merr vetëm emrat!

Dhe ai teveqel e hëngri. Besoi se ata vërtet do t’i tregonin se si thirreshin. Nxori një bllok të fishkur nga xhepi dhe gjysmë lapsi kopjativ.

- Hajt, fol ti i pari, si ta thonë?

- Po lëre, lëre, falna kësaj radhe!

- Jo, nuk e lë hiç! Nuk ju fal hiç! Do të ma thuash emrin, apo do që të më kthehet mendja dhe t’ju vë si dhitë përpara, që të mos keni surrat të dilni në faqe të botës?

- Mirë, mirë, se ta them!

Plaku e lyejti majën e lapsit me pështymë dhe u bë gati të shkruante.

- Fol!

- Xhek e kam.

- Qysh Xhek!?

- E ja, kështu, Xhek! S’kam dal për të gënjyer këtu, se s’jam nga ata!

- Nuk të thashë që po më gënjen! - ia ktheu roja plak dhe shkruajti: - Xh… xh… ek! Xhek! Po llagapin?

- Lòndon!

- Llondòn, the!?

- Jo, Lòndon!

- Mos e ke gjë racën nga Llondòni i Inglitérës ti!?

- E, që andej e kam!

- Ashtu thuaj, de, se si allasojçe m’u duk ky llagap për një shqipo safi! Nejse! Llo...llo... jo! Lo... lo...lon... don! Domethënë, Xhek Londòni je ti?

- I tëri!

- Tjetri pas teje!

I dyti e paskësh TeodorDràjzer (po që plakut i erdhi për mbarë ta shënonte Theodhor Drajzéri! I treti qenkësh Hektor Malò!

Lë të lirë roja tre djemtë dhe vete gjen shpejt komandantin e aksionit. Kështu, kështu, i thotë. I dorëzon fletën e bllokut, ku kishte shënuar emrat e “hajdutëve” dhe kthehet në punë të vet. Xhindoset Seferi dhe sulet e i bie çangës me sa i ha krahu. “Mbledhje, mbledhje urgjente! - thërret. - Të gjithë në mbledhje!” Dhe kur sheshi para mensës mbushet plot, jep komandën për rreshtim e ia fillon:

- E dija unë, mor jahu, që do të na i nxinit faqen këtu. Në aksion, domethënë. Ja, sot tre nga radhët tuaja janë kapur duke vjedhur sheftelì të papjekura.

Ai shtoi se për vjedhësit, për dëmtuesit e pronës së përbashkët socialiste, siç thoshte shoku Enver, nuk ka mëshirë. Po ata të tre nuk qenkëshin vetëm vjedhës, mor jahu, por edhe armiq, domethënë, se donin t’i vinin aksionit njollën e zezë, ose vulën e turpit, siç theksonte Lenini në veprat e veta të pavdekshme. Prandaj, do t’u jepej dënimi i merituar. Si fillim, do t’u dorëzoheshin organeve kompetente për ndjekje të mëtejshme, se qenë sabotatorë dhe, me siguri, e kishin biografinë blozë.

- Dhe të mos kujtojnë se kësaj here do të na shpëtojnë! Iu zbuluan këmbët gjarprinjve, mor jahu! U zunë si hajduti në preshë! Dhe s’kishin nga t’ia mbanin! I dhanë emrat, se u gjendën para pushkës së vigjilencës së proletariatit.

Ai tundi sipër kokës atë copëz flete të fishkur blloku dhe e afroi para syve që i përshkënditnin, njëri prej të cilëve tanimë i lëvrinte frap - frap.

- Ja, ku i kam! - tha e u ngref. Pastaj thirri sakaq: - Të dalë shpejt këtu, përpara të gjithëve, Xhek Londòni!

Për një çast tërë brigada e aksionistëve mbeti syhapur. Ai vazhdoi:

- Dhe të na tregojë, mor jahu, se si vidhet prona shoqërore, domethënë!
Atëherë sheshi sikur u përmend. Shpërtheu në të qeshura të papërmbajtura.

- Pushoni! Xhek Londònin dua! Këtu përpara e dua! - bërtiti Seferi. - Edhe Theodhor Drajzérin tok me të! Edhe Hektor Màlon! Këtu, këtu përpara i dua të tre! Menjëherë, domethënë! Nuk bëj shakà!

Kush e ndalte dot atë gaz! Aksionistët qeshnin me lot. Përplasnin duart, qëllonin gjunjët, qëllonin tokën.

Seferit tanimë sa s’po i dilnin sytë. Ai asgjë s’po kuptonte. Ç’ishin ato të qeshura!

- Futini dhëmbët brenda, mor jahu! - sokëlliu. - Dhe Xhek Londònin, Theodhor Drajzérin e Hektor Màlon i dua këtu, domethënë! Këtu, tani, nuk bëj shaka, thashë! Dhe qetësi, po ju them! Qe - të - siii! O - aaa!

Ai nuk po thërriste, nuk po bërtiste. Ai po ulërinte me sy të dalë jashtë. Ai po çmendej. Vërtet po çmendej. Iu afrova dhe e tërhoqa mënjanë. I tregova se ata që kërkonte nuk ishin të gjallë, po të vdekur, shkrimtarë të huaj, të mëdhenj, më famë botërore. I iku fryma. U bë dyllë. Nuk foli, por eci si i përhumbur drejt kasolles së vogël, tek flinim të dy. Ndërkohë, të qeshurat ishin tulatur.

Seferi atë natë, që ishte nata e fundit e aksionit, nuk doli nga kasollja. Nuk erdhi në mensë për të ngrënë darkën. Kur shkova ta shihja, më tha se i dhimbte koka dhe më kërkoi një aspirinë. As të nesërmen në mëngjes nuk u pa në mes të aksionistëve. Ata u nisën në punë pa komandantin.

Pasdreke, në mbyllje, nuk u bënë konkluzione e nuk u mbajt ndonjë fjalë rasti. Kur erdhën autobusët, ai zuri vend në atë të mbrapmin, por pa u ndjerë, si me bisht ndër shalë, se ç’komandant ishte tani, kur aksioni kishte mbaruar! Ngjante mu si ndonjë tullumbace e plasur.

Në udhë e sipër nga dritaret e autobusëve shpërthenin nëpër hapësirë këngët popullore qytetare beratase. Ndërsa ai shtirej sikur nuk i dëgjonte, mbështetur symbyllur pas xhamit te dritares. Ai, komandanti spaletashkulur, që ishte gjetur me aftësi për kuadër partie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat