Nënshkruhet marrëveshja për krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë, hap rrugën e transformimit bibliotekar

Kultura

Nënshkruhet marrëveshja për krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë, hap rrugën e transformimit bibliotekar

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 15:48
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me rastin e 77-vjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shënuar të enjten 77-vjetorin e themelimit, me ç’rast është nënshkruar edhe marrëveshja për krijimin e rrjetit bibliotekar të Kosovës.

Ky memorandum bashkëpunimi në mbështetje të krijimit të këtij rrjeti është  nënshkruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës ,Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku tha se është lajm i mirë nënshkrimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit për krijimin e rrjetit të bibliotekave të Kosovës në 77-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Siç tha ai, ky projekt hap rrugën e transformimit thelbësor të bibliotekave të Kosovës.

“Është kjo mbështetje e fuqishme e ministrit Çeku, ministres Nagavci dhe ministrit Krasniqi për këtë projekt dhe dua t’i falënderoj për këtë përkrahje që e hap udhën e transformimit thelbësor të bibliotekave të Kosovës, pas 20 vjet përpjekjesh për ta bërë këtë. Pra, po flasim për përfshirjen e bibliotekave të Kosovës, bibliotekave universitare, bibliotekave speciale, përfshirë edhe bibliotekën kombëtare, që do të mundësonte krijimin e një rrjeti funksional të këtij rrjeti funksional të këtyre bibliotekave në vend. Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të shërbejë si udhëheqëse e projektit dhe do të mbikëqyr realizimin”, tha ai.

Gajraku foli edhe për nevojën për digjitalizim të bibliotekave, për çka tha se rëndësia e digjitalizimit është theksuar sidomos gjatë pandemisë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se do të angazhohen që të implementohen të gjitha obligimet që dalin nga ky memorandum. Ndërkohë që tha se si ministri janë të angazhuar që në Kosovë të ketë edhe biblioteka tjera.

“Do të punojmë shumë për të motivuar kulturën e leximit dhe për të shfrytëzuar këtë bibliotekë dhe bibliotekave tjera në vend… 13:18 Si MAShT jemi duke punuar edhe për biblioteka të veçanta për mësimdhënës, të cilat do t’u mundësojnë atyre më shumë resurse për të qenë të suksesshëm në mësimdhënien e tyre. Në këtë vijë, ne marrim obligimet tona dhe do të jemi bashkëpunues në zbatimin efikas të kësaj marrëveshjeje”, tha Nagavci.

Për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje foli edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, e cila tha se me futjen e bibliotekave të Kosovës në një platformë të përbashkët do të rritet cilësia e shërbimeve të të gjitha bibliotekave.

“Sot jemi të lumtur në veçanti, me rastin e shënimit të kësaj dite të rëndësishme që po nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet tri ministrive… Synimi i kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit është që të sigurojë futjen e bibliotekave të Kosovës në një platformë të përbashkët të shërbimeve bibliotekare, platformë e cila do të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave të vendit… Përmes këtij projekti do të përmirësohet ngritja e cilësisë së shërbimeve të bibliotekave në Kosovë, me automatizmin e shërbimeve, me krijimin e katalogut të përbashkët të bibliotekave në vend, aftësimin për përdorimin e teknologjisë si dhe me formate të reja dhe me njohje të praktikave të rajonit dhe të botës në fushën e bibliotekarisë”, tha ajo.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se kjo marrëveshje i mundëson edhe nivelit lokal të jetë pjesë e përfitimeve që ndodhin në kryeqytet.

Krasniqi tha se do të angazhohet që të gjitha të mirat e këtij memorandumi të shpërndahen në 38 komunat e Kosovës.

Në kuadër të shënimit të 77-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare, çmimi “Pjetër Bogdani” për kontributin dhënë në zhvillimin e Bibliotekës iu dha laureat Prof. Dr. Robert  Montoya-s. Ndërsa është hapur edhe ekspozita e librit “Kosova ‘My Home’, Libra të punuar nga bibliotekarët gjatë punëtorive në kuadër të projektit ‘Themelimi i  një programi kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor’”, e autorit Sean Pessin.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat