Tri anulime të shfaqjeve që ngrenë një problem shumë serioz

Kultura

Tri anulime të shfaqjeve që ngrenë një problem shumë serioz

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 11:39
Ilustrim

Këto ditë, Teatri Kombëtar i Tiranës anuloi tri shfaqje për shkak se aktorët janë infektuar me COVID, por edhe sepse njëri prej tyre është aksidentuar. Bëhet fjalë për shfaqjet “Ferma e kafshëve”, “Edmond” dhe shfaqjes së Teatrit “Skampa”, “Një Madam nga Argjentina”

Teatri Kombëtar i ftoi spektatorët t’ua rimbursojë biletat e shitura për shfaqjet që u anuluan! Ka mjaftuar ky informacion i pakëndshëm që në rrjetet sociale të shpërthejë një lumë kritikash, sharjesh e ofendimesh kundër menaxhuesve të Teatrit. Jemi qenie njerëzore dhe, jo gjithçka është në dorën tonë. Ka vdekje, ka sëmundje, ka aksidente dhe anulohet fluturimi, anulohet udhëtimi, dasma, vizita, pra, anulohet edhe shfaqja apo ndonjë event tjetër etj.

Megjithatë, institucionet serioze, ato që janë shtetërore-nacionale, korporatat serioze, gjithnjë kanë zgjidhje alternative që sado pak e zbusin irritimin e qytetarit, udhëtarit, spektatorit etj.

Në këtë drejtim shkonin të gjithë kritikat e publikut që u dëshpërua nga ky anulim! Thjesht, ata shtronin pyetjen që del si nevojë, për të cilën, dorën në zemër, as që jemi lodhur të mendojmë zgjidhjen e situatës së jashtëzakonshme. Opinioni pyet: pse të mos ketë aktorë-dublantë, të cilët do të “hidheshin në aksion” në raste të paparashikueshme!

Përgjigja e udhëheqësve të Teatrit Kombëtar ishte shumë nervoze, ofenduese dhe tepër oportuniste! Nuk mund të kemi dublantë, sepse kjo është praktikë e teatrove lindore, që kanë trupë teatrore prej 100-120 aktorësh! Ndërsa Teatri Kombëtar paska vetëm 28 aktorë!

Ky fakt tashmë bën problem shqetësues! Teatër, Institucion Kombëtar me vetëm 28 aktorë? Luksin e dublantëve ky Teatër e paska pasur deri në vitin 1990! Shtimin e numrit të aktorëve profesionistë, të cilët do të mund të ishin alternativë edhe për raste si ky i anulimit të shfaqjeve, dikush e konsideron luks?! Një menaxhues i tillë, për më tepër që del nga stafi i aktorëve, automatikisht do të duhej të shkarkohej dhe të lihej në harresë!

Në çdo teatër serioz dublantët nuk shihen si ngarkesë e teatrit, por si nxitje të arritjes së kualitetit. Konkurrenca në një rol është gjë e shëndetshme për shfaqjen, për aktrimin sa më të mirë, për vetë teatrin. Teatri Kombëtar, me këtë trupë teatrore, na del të jetë më tepër zyre administrative se sa shtëpi aktorësh! Pa mëtuar për të hedhur gjithë fajin mbi menaxhuesin e Teatrit, një kritikë e veçantë shkon edhe mbi “baballarët e kombit” si dhe mbi Ministrinë e Kulturës, e cila me aq lehtësi lejon degradimin e Institucionit Nacional, i cili, të vetmin arsyetim për anulimin e tri shfaqjeve e ka: “ne nuk jemi si teatrot e lindjes”! Pse, çka paskan ato teatro? Mos do të thonë se jemi “Teatër Perëndimor”! Kështu siç qenkemi katandisur, nuk jemi as T nga teatri! Kjo ngjarje e dhimbshme, duhet të shërbejë si rast për të gjitha teatrot tona që mos të bien në sprova të tilla. Dublimi i aktorëve për rolet bartëse brenda një shfaqje është qasje profesionale dhe jo “përafrim me teatrot lindor”! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat