MPMS premton mundësi punësimi për familjet që marrin asistencë sociale

Kosova

MPMS premton mundësi punësimi për familjet që marrin asistencë sociale

Më: 19 prill 2018 Në ora: 15:53
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica në komunën e Suharekës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica kanë premtuar punësim për të gjithë përfituesit e skemës së ndihmës sociale në komunën e Suharekës.

Limaj gjatë këtij takimi ka këshilluar përfituesit e skemës se ndihmës sociale që të marrin zanate te Qendra për Aftësim Profesional, me qëllim që të jenë të gatshëm për tregun e punës. Ai tha se prioritet i tyre vazhdon të mbetet që të punësojnë nga një anëtar të familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar.

Limaj: Përparësi do t’iu jepet atyre që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar

"Aktivitet, i cili ka qenë zotim i yni që t'iu drejtohemi dhe ta kemi prioritet kryesor që të gjitha ato familje që nuk kanë asnjë njeri të punësuar do t’i jepet përparësi për punësim", tha Limaj.

Ai po ashtu tha se rruga më e mirë për të zbutur papunësinë është të punojnë, sepse ndihma sociale nuk është e mjaftueshme për të mbijetuar një familje.

Limaj: Rruga më e mire është punësimi

"Me të gjitha përpjekjet që ka bërë Qeveria e Kosovës dhe ministria siç e dini ju dhe siç e tha edhe ministri ka bërë një rritje por ajo është një rritje e pamjaftueshme për t'i plotësuar nevojat tuaja, dhe cila është rruga, rruga është me i përvjel krahët ne dhe ju bashkë me punuar. Ndryshe është me marr një rrogë nga punësimi, ndryshe është me prit një ndihmë sociale nga ‘shallteri’", tha ai.

Tutje Limaj tha se në komunës e Suharekës javën e ardhme do të nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e parkut të biznesit në këtë komunë, investim ky i cili kap shifrën e rreth 2 milionë eurove dhe i cili do të gjenerojë vende të reja pune.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se në Suharekë kanë nisur projektin që ofron mundësi për punësimin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale.

Reçica: Jemi të përkushtuar të ofrojmë atë që meritoni

"Ky takim është pjesë e takimit tonë si ministri lidhur me punësimin e një anëtari të familjeve të cilat nuk kanë asnjë të punësuar dhe në rastin konkret që ndërlidhet me kategorinë e dytë të cilët janë përfitues të skemës së ndihmës sociale. Për këtë ne si ministri dhe më mbështetje të fortë të Qeverisë jemi shumë të përkushtuar që juve t'iu ofrojmë atë që meritoni që të fitoni të ardhurat tuaja dhe për familjen tuaj nga djersa juaj", tha ai.

Reçica ka ftuar të gjithë të ata që nuk kanë asnjë zanat që të shkojnë pranë qendrave për aftësim profesional dhe të përgatiten për tregun e punës. Ai po ashtu tha se me qëllim të zbutjes së papunësisë në vend janë duke shikuar mundësitë që me disa vende të BE-së të ofrojnë punësim sezonal për të papunët në Kosovë.

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se shumë shpejt 30 përfitues të asistencës sociale do të kenë mundësi punësimi me pagën 300 euro.

 

"Shumë shpejt do ta kemi një marrëveshje me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, shumë shpejt do të fillojnë të punojnë 30 veta ku paga do të jetë 250 euro  do të jetë nga ministria, ndërsa 50 euro do të jetë nga komuna dhe do ta keni pagën 300 euro. Arsyeja e krejt kësaj është që ngadalë do t’iu bëjmë vendin të gjithëve atyre që duan të punojnë", tha ai.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe 176 përfitues nga skema e ndihmës sociale në komunën e Suharekës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat