Fillojnë Javët e Frankofonisë në Kosovë

Kosova

Fillojnë Javët e Frankofonisë në Kosovë

Më: 7 mars 2018 Në ora: 14:48
Foto nga takimi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës së bashku me përfaqësitë diplomatikë të Francës, Belgjikës, Luksemburgut, Zvicrës dhe Aleanca franceze e Prishtinës, kanë filluar sot zyrtarisht të organizojnë Javën e Frankofonisë, e cila do të zgjasë deri më 31 mars.

Zëvendësministrja e Jashtme, Rejhane Vuniqi tha se MPJ është e përkushtuar të mbështetë aktivitetet e Javëve të Frankofonisë, dhe do të vazhdojë të jetë partner i fuqishëm në mbështetjen e projekteve që promovojnë vlerat, kulturën dhe gjuhët frankofone.

‘’Falënderoj Ambasadën e Francës, Zvicrës dhe Luksemburgut, Zyrën ndërlidhëse të Belgjikës, Komisionin Evropian dhe veçanërisht Aleancën franceze, që me kaq shumë përkushtim punojnë për t’i ofruar shoqërisë kosovare një program me filma, shfaqje teatrale, konferenca, takime letrare, koncerte të gjuhës frënge’’, tha Vuniqi.

Ndërsa ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, falënderoi të gjithë për kontributin në organizimin e Javës së Frankofonisë në Kosovë.

Ndryshe, gjatë këtij muaji do të ketë ngjarje të ndryshme artistike dhe kulturore që do t’i mundësojnë publikut të vlerësojë dinamizmin e rrjetit frankofon dhe pasurinë e gjuhës frënge dhe kulturës frankofone. Si dy ngjarje kryesore pritet të jenë ‘’Java e shijes’’ dhe ‘’Pranvera e Poetëve’’.

Kosova është anëtare e Organizatës Botërore të Frankofonisë nga viti 2014. Javët e Frankofonisë shënohen çdo vit në muajin mars, në më shumë se 70 vende të botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat