Hoxha: Miratimi i Kushtetutës vuri themelet e shtetit tonë

Kosova

Hoxha: Miratimi i Kushtetutës vuri themelet e shtetit tonë

Më: 7 prill 2017 Në ora: 17:46
Ministria e Drejtësisë, Dhurata Hoxha

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në nëntë vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka thënë se në këtë përvjetor assesi nuk duhet të harrohen ata që sakrifikuan gjithçka dhe kontribuuan që sot të gëzojmë Kushtetutën e vendit.

Hoxha po ashtu ka thënë se miratimi i Kushtetutës, përveç vuri themelet e shtetit të Kosovës, po ashtu vuri themelet e vlerave dhe parimeve demokratike të cilat populli ynë i përqafoi.

Më poshtë është fjalimi i plotë i ministres Hoxha: 

Në këtë përvjetor si çdo herë kujtojmë me krenari të gjithë ata që kontribuuan dhe dhanë shumë që ne të arrijmë të kemi një Kushtetutë moderne.

I kujtojmë me krenari studentët që ngritën ndër të parët zërin e rinisë për liri dhe pavarësi.

Kujtojmë minatorët që u vunë në ballë të kërkesave të popullit kundër rrënimit të rendit Kushtetues.

Kujtojmë mësuesit që për asnjë çast nuk u lëkundën nga besimi se arsimimi i brezave të rinj do ti shërbej një ditë Kosovës së pavarur.

Kujtojmë me krenari luftën e UÇK-së, dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë tonë.

Të gjitha këto përpjekje dhe lufta çlirimtare u kurorëzuan me pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kurorëzim ky i një lufte të gjatë dhe të dhimbshme, luftë për liritë dhe të drejtat e njeriut, luftë për krijimin e një shteti modern, evropian dhe demokratik ku sundon ligji.

Miratimi i Kushtetutës përveç që vuri themelet e shtetit tonë si akti më i lartë juridik, po ashtu vuri themelet e vlerave dhe parimeve demokratike të cilat populli ynë i përqafoi.

Respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sundimi i ligjit është obligim i të gjithë qytetarëve.

Të  gjithë ne duhet të besojmë në vlerat dhe parimet kushtetuese, duhet të besojmë fuqishëm në shtetin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat