Taktizimet për takimin eventual të liderëve

Maqedonia

Taktizimet për takimin eventual të liderëve

Më: 13 qershor 2016 Në ora: 22:46
Ilustrim

Nuk ka asnjë nismë për takim të ri liderësh. Këtë e ka konfirmuar, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili ka thënë se deri më sot nuk ka pasur asnjë nismë konkrete për rifillimin e negociatave politike. Ai shprehet i gatshëm të ulet në tavolinën e bisedimeve, por thotë se paraprakisht duhet të ketë plan dhe të arrihet marrëveshje për temën e takimit.

“Duhet ta shohim temën e takimit, pse kërkohet i njëjti dhe cili është qëllimi i tij dhe sa kohë është e nevojshme për tu përgatitur në atë temë. Për momentin nuk ka iniciativë dhe nuk e dijmë cila do të jetë tema nëse do të ketë nismë për takim liderësh”, deklaroi Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.

Negociatat mes partive për zgjidhjen e krizës mund të fillojë që sot, thonë nga LSDM-ja opozitare. Por sipas zëdhënësit të kësaj partie Petre Shilegov, VMRO-DPMNE-ja nuk eshte e gatshme të bisedojë për zgjedhje demokratike.
“Është e qartë se VMRO-DPMNE tenton ti shmanget plotësimit të kushteve për zgjedhje demokratike. Ato janë struktura e vetme politike të cilës nuk i konvenojnë zgjedhjet demokratike sepse në zgjedhje kriminale gjenden më mirë”, tha Petre Shilegov, LSDM.

Nga BDI, thonë se rrugëdalja e vetme nga kriza është dialogu dhe ftojnë partitë maqedonase të heqin dorë nga kushtet për rifillimin e bisedimeve.

“Rrugëdalje e vetme nga situate e krizës është dialogu dhe jo ultimatumet siç përmenden kërkesat e LSDM-së dhe ultimatumet e protestuesve. përsëri i bëjmë ftesë të gjithë atyre që janë të implikuar në këtë çështje të vazhdojnë dialogun, që të vijmë deri tek zgjidhjet përfundimtare dhe të pranueshme për të gjithë”, tha Talat Xhaferi, BDI.

Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi ka thënë se nuk beson se këtë javë do të mbahet takimi i liderëve që ishte paralajmëruar. Gjatë një iftari me gazetar në Tetovë, Thaçi ka thënë se takim i tillë do të ishte joserioz, pasi nuk ofrohet asgjë e re për dalje nga kriza, kurse palët prej katër muajsh nuk janë ulur në tavolinë për shkak të qëndrimeve të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat