KFOR-i ndihmoi dy qendra spitalore dhe një shkollë

Kosova

KFOR-i ndihmoi dy qendra spitalore dhe një shkollë

Më: 4 maj 2016 Në ora: 11:03

Grupi Luftarak Shumëkombësh Perëndim (GLSHP) i KFOR-it në rajonin e Pejës, që drejtohet nga forcat italiane, javën e fundit ka ndihmuar me disa donacione qendra spitalore dhe shkollë në zonën e tyre të përgjegjësisë.

Forcat italiane të KFOR-it, në bazën ushtarake “Villaggio Italia”, në Pejë, i kanë dhuruar pajisje mjekësore Qendrës së Mjekësisë Familjare në Istog dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Junik.

Siç thuhet në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i italian, materialet e dhuruara janë siguruar nga kompania spitalore italiane “Ospedali Riuniti Marche Nord di Fano – Pesaro”.

Një tjetër donacion me material shkollor i është dhuruar shkollës fillore “Fetah Sylejmani” në Komunën e Dragashit. Në këtë shkollë me paralelet e saj të ndara vijojnë mësimin rreth 700 nxënës shqiptarë, romë, ashkalinj, egjiptianë dhe goranë.

“Projektet e realizuara nga kontingjenti italian, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore, janë dëshmi se si GLSH-P e KFOR-i veprojnë në të mirë të të gjithë popullatës së Kosovës me neutralitet dhe paanshmëri, duke respektuar plotësisht të gjitha etnitë dhe besimet fetare”, thuhet në njoftimin e forcave italiane në Kosovë për aktivitetet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat