Haziri: Modeli austriak i banimit social shikon mundësinë për t’u përdorur edhe në Gjilan

Kosova

Haziri: Modeli austriak i banimit social shikon mundësinë për t’u përdorur edhe në Gjilan

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 15:53

I pari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune delegacionin austriak të përbërë nga Gunther Fehlinger, Wolfgan Amann dhe Agron Beka, ku i pranishëm në këtë takim ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Murat Hoxha, të cilët bashkërisht kanë bashkëbiseduar për modelin e Austrisë në fushën e banimit social, model që deri më tani është cilësuar i suksesshëm në shtetin mik të Kosovës.

Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë qëllim i takimit sot ishte banimi social, rezultatet e arritura dhe përvoja austriake. “Gjilani është njëra nga qytetet e Kosovës që po shikon mundësinë e përdorimit të modelit të Austrisë në politikat e banimin social dhe angazhimin e përmirësimit të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale të shumë familjeve që sot kanë problem kulmin mbi kokë. Jemi duke punuar vazhdimisht në përmirësim e gjendjes sa i përket banimit social, në këtë fazë po shohim mundësinë e përdorimit të modelit të Austrisë sa i përket kësaj fushe”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.

Ndryshe në këtë takim, pos tjerash, u tha që strehimi dhe kushtet për jetë, janë elementet bazë për jetën dhe zhvillimin e familjes dhe shoqërisë në përgjithësi dhe zgjidhja e problemit të banimit është hap përpara për të cilin jemi të vendosur të punojmë përherë./T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat