Llapjanët pa shtatore të dëshmorëve në qytet

Kosova

Llapjanët pa shtatore të dëshmorëve në qytet

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 10:19

​Tash e 16 vite pas luftës së fundit në Kosovë, komuna e Podujevës nuk e ka asnjë shtatore dëshmori në sheshin apo qendrën e qytetit. Ky vakum “mermeri” i ka lënë llapjanët pa as edhe një hapësirë në qytet që ju përkujton bashvendasit që dhanë jetën në luftën e fundit.

Qytetarët e Podujevës po kërkojnë që të paktën një përmendore apo shtatore e dëshmorëve të kombit të vendoset në qendër të qytetit. Disa prej tyre përmendin emrat ikonë të qytetit, si Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, të cilët llapjanët i quajnë simboli i lirisë.

Në ndër kohë, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu tha se deri tash ai nuk ka informata apo nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të tillë nga qytetarët. Por, Veliu përmendi rrugën kryesore të qytetit e cila mban emrin e heroit Zahir Pajaziti.

Veliu: Përmendore?! Një shesh dhe rruga kryesore e qytetit ka emrin e Zahir Pajazitit

“Përmendore? Përmendorja është vendos aty ku ka qenë kërkesa dhe dëshira e familjes, ndërsa ne e kemi emërtua një shesh dhe rruga kryesore e qytetit është emërtua me emrin e Zahir Pajazitit, po edhe një shesh t jetër i qytetit është me emrat e këtyre.

Unë nuk kam ndonjë kërkesë të tillë për përmendore. Nëse eventualisht ka kërkesa të tilla organet e komunës që janë kompetente për këtë çështje, sigurisht që do ta shqyrtojnë dhe do të vendosin”, tha i pari i komunës së Podujevës, Agim Veliu.

KP mëson se Podujeva e ka vetëm një të ashtuquajtur “SHESH”. Dhe ky shesh del të mbajë emrin e veprimtarit Ali Ajeti, e jo të Zahir Pajazitit.

Disa nga qytetarët e Podujevës i thanë KosovaPress-it se dëshirë e shuam prej tyre do të ishte nëse në qytet do të kishin shtatoren e dëshmorëve të njohur të komunës së tyre. Ndërsa për mos vendosjen e tyre deri tani, disa shprehen se nuk e dinë arsyet, e disa thanë se arsyet mund të jenë politike.

Qytetari Agron Hetemi tha se komuna do të ishte mirë të interesohej që përveç rregullimit të sheshit, të vendoste aty edhe shtatoret e dëshmorëve.

“Mendimi im është që me kanë shtatorja e Zahir Pajazitit në këtë shesh, ku është sheshi përballë komunës sepse sheshi në Podujevë është dëmtua shumë. Sa dëmtohet sheshi komuna është më mirë mu interesua edhe me pru Zahir Pajazitin, Edmondin dhe Hakifin. “Nuk po dihet arsyeja, për çka, çka është problemi nuk po dihet veç na kishim kërkua si qytetarë të Podujevës me pru edhe Zahir Pajazitin këtu, sepse ai ka dhënë jetën për këtë liri që jemi sot na. Kisha kërkua që sa ma shpejt me pru Zahir Pajazitin këtu në Podujevë.” – tha Agroni, qytetarë nga Podujeva.

Të një mendimi me Agronin janë edhe të tjerë bashkvendas të tij.

“Kryetari është fajtorë për këto sene se me pas kanë i angazhuar kryetari ish vendos përmendorja moti pas lufte menjëherë.”

“Është kanë deshtë me pas, por qe, fatkeqësisht nuk ka.”

“Po kërkesa është dhe qe ku është rregulluar krejt atje edhe e ka metë e zbrazët, e luajnë fëmija në të..... Normal, qe ku është, pse mos me vendos, ajo patjetër duhet, meritojnë njerëzit që kanë dhënë jetën për këtë vend.”, tha një tjetër qytetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat