​Mall e dhimbje për çdo festë të flamurit

Kosova

​Mall e dhimbje për çdo festë të flamurit

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 17:26

Sonte nuk ka se pse të dali për ta vendosë në shtizë flamurin kuq e zi. Atë e mbanë çdo herë aty, në hyrje të shtëpisë, dhe pranë më të dashurve të saj. Është e lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht me ngjyrat dhe simbolin që ka. Thotë se shumë dhanë jetën për këtë flamur.

Derisa të gjithë organizohen për të shënuar nesër Ditën e Flamurit, ajo mbyllet në shtëpi dhe duke e shikuar këtë flamur, gjoksi veç sa i ngushtohet më shumë. Këtë ditë e festonte çdo herë, e konsideronin festë të madhe. Sikur të kishte pranë bashkëshortin dhe katër djemtë, do të ndante me ta gëzimin edhe të këtij 28 nëntori. Me portretet e të njëjtëve po e ndanë hidhërimin sot, ngase ata e lanë të vetme.

Veç flamuri i mbeti. Fotografitë, rrobat, e të gjitha gjërat e më të dashurve të saj nuk po lëvizin tash e sa vite pas luftës. Nuk i prek dot askush, sepse ky është vendim i saj. Kështu, ka zgjedhur të jetojë me portretet e gjërat që ata lanë pas, duke e kthyer shtëpinë e saj në muze.

Kjo është një ndër nënat më të vuajtura, e quajnë Ferdane Qerkezi, të cilën lufta e la fillikat të vetme në shtëpinë e saj në Gjakovë.

Mosha e shtyrë dhe d himbja që mbanë tash e 16 vjet nuk e pengojnë të kthejë në mendime edhe detajet e jetës së saj me familjen që ia zhdukën forcat paramilitare serbe, në luftën e fundit në Kosovë.

“Vështirë është, se me portrete me jetu është vështirë, prej tetë anëtarëve me mbet vetëm, megjithatë nuk e kam mërzi, shpesh me pyesin, por kur i kam këto fotografi hiqen krejt. Kështu që çdo herë i kam para syve mendimet e tyre, të ecurit e tyre dhe bisedat që kam bërë me djemtë, bashkëshortin dhe nuset”, thotë ajo.

Kur afrohej 28 nëntori, bashkëshorti i Ferdanes e vendoste flamurin kuq e zi në dyqanin që e kishin afër shtëpisë së tyre.

Ajo e kujton mjaftë mirë atë kohë.

“E kemi pritë me gëzim si të gjithë shqiptarë t. Por, shumë kanë shku për flamur, neve na mori lufta e shkuan shumë njerëz për flamur që nuk kemi pas mundësi të bëjmë diçka”, thotë ajo.

Nuk përmbahet dot nga lotët. Ata ja morën katër djemtë dhe bashkëshortin, e disa vjet më vonë iu kthyen vetëm dy trupa të djemve, derisa burri dhe dy të tjerët vazhdojnë të mbetën të zhdukur.

“27 mars të 99’ës, kur jemi ndarë, policia kur na ka nda, ai ka qenë momenti i fundit. Policia i mori bashkëshortin dhe katër djemtë, mua me dy nuset më lanë...”, thotë ajo.

E mban mend mjaftë mirë që pasi iu rritën djemtë, e ruante djepin, me shpresë se në të do t’i përkunde nipat e mbesat.

“I kam ruajt djepat, sepse kam shpresuar që kur të martohen djemtë, lindin fëmijë , dhe në këta dj epa që janë rritë ata, t’i risin edhe fëmijët e tyre”, thotë ai.

Por i mbetën të zbrazët. E ajo nuk i largon dot, thotë se me të gjitha gjërat e më të dashure të saj ajo ndjehet më mirë, më afër tyre.

Sikur të mos mbetej e vetme, kjo shtëpi, për këtë festë, do të ishte e mbushur me fëmijë e gëzim. Në vend të portreteve të cilat tashmë kanë zënë vend në secilën pjesë të murit, ajo do të bisedonte me ta, do të gëzohej me ta.

Nëse nuk do të kishte kaq dhimbje, me siguri se do ta ndjente të ftohtit e nëntorit. Por është e mbushur me mërzi, e cila nuk po i lë vend për ndonjë ndjenjë tjetër. Mall e dhimbje, kaq ndjen ajo.

Fakti që çdo mëngjes kur hap sytë sheh se është e rrethuar vetëm me fotografi të mbetura nga më të dashurit e saj, e rëndon mjaftë atë. Por vetëm kështu po ndjehet më afër tyre. I duket se ende ka shpresë. Andaj dhe ka vendosur që shtëpia Qerkezi të bëhet shtëpi-muze, ku kujtimet për familjarët e saj e shoqërojnë gjatë gjithës kohës.

65 vjeçarja Ferdane Qerkezi thotë se deri në frymën e fundit dëshiron të jetë në mesin e portreteve të familjarëve të saj.

Në oborrin e shtëpisë së saj veç flamuri është ai që valëvitet. Sepse, ajo më nuk ka ndjenja gëzimi. Ato nuk i ndjeu më asnjëherë pasi forcat serbe ditën e 27 marsit të ’99-ës, ja morën bashkëshortin dhe katër djemtë.

Nga tetë anëtarë sa kishte familja Qerkezi, aty ka mbet vetëm e zonja e shtëpisë, e cila ende shpreson që do t’i kthehen edhe eshtrat e bashkëshortit dhe dy djemve tjerë, që t’i varrosë pranë trupave të më të dashurve të tyre.

Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi ishin gëzimi e shpresa e nënës Ferdane.

Me fanatizëm ruante gjitha gjërat që u përkisnin djemve të saj. Kështu i ndjen më afër, ani pse sa herë i sheh gjoksi i ngushtohet edhe më shumë nga pikëllim i, ajo dëshiron t’i ketë aty, pranë, në mënyrë që kujtimi për ta të mbetet çdo herë i gjallë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat