Këshilltari i Thaçit thotë se opozita po e sjellë shtetin buzë greminës

Kosova

Këshilltari i Thaçit thotë se opozita po e sjellë shtetin buzë greminës

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 13:33

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Thaçi, Ismail Syla, me veprimet e opozitës, ka thënë se shteti është duke shkuar buzë greminës. Në një postim të tij në Facebook, Syla ka thënë se trazirat e dhunshme të Vetëvendosjes mbrëmë në qendër të kryeqytetit, ia kanë rikujtuar edhe dy pamje tjera buzë humnerës, ngjarjet e marsit 2004 dhe migrimet e fundvitit 2014 dhe janarit 2015.

Për këshilltarin e Thaçit është e pabesueshme që dikush është kaq i interesuar dhe këmbëngulës që gurët e themelit të shtetit tonë të ri, ende të pa ngrirë sa duhet, siç thotë ai, duke iu referuar veprimeve të opozitës, t’i lëviz, t’i shkulë dhe t’i rrënojë.

“Fjalën ‘greminë’ për herë të parë e kam mësuar përmes romanit, që tashmë e kam harruar, ‘Gremina e dashurisë’ të Foqion Postolit. Por kjo fjalë në kontekst të ri, në Kosovën e pasluftës, si Kosovë buzë greminës m’u shfaq parasysh mbrëmë, nga trazirat e dhunshme të VV në qendër të kryeqytetit, duke m’i rikujtuar edhe dy pamje tjera buzë humnerës: ngjarjet e marsit 2004 si dhe migrimet e fundvitit 2014 dhe janarit 2015.

Përse dikush është kaq i interesuar dhe këmbëngulës që gurët e themelit të shtetit tonë të ri, ende të pa ngrirë sa duhet, t’i lëviz, t’i shkulë dhe t’i rrënojë?”, ka shkruar këshilltari i Thaçit, Ismail Syla, në llogarinë e tij në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat