Policia në Mitrovicë gati për tensionet e mundshme nga ndeshja e Elbasanit

Kosova

Policia në Mitrovicë gati për tensionet e mundshme nga ndeshja e Elbasanit

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 16:36

Edhe në veri, edhe në jug të Mitrovicës, policia ka plane operative për të parandaluar trazirat që mund të shkaktojë ndeshja Shqipëri-Serbi.

Rreth 120 policë të stacionit të Mitrovicës së Veriut do të jenë të gatshëm për parandalimin e ndonjë tensioni të mundshëm, para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Serbi e cila do të zhvillohet sonte në Elbasan.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, për KALLXO.com tregoi detajet e planit policor.

“Stacioni i Veriut sot është me plan operativ i cili do fokusohet më shumë përgjatë lumit Ibër, të ura kryesore e këtij lumi, Lagjja e Boshnjakëve, te tre rrokaqiejt dhe në Suhodoll, gjithashtu edhe në qytet,” shpjegoi Hoti.

Plan operativ kanë edhe kolegët e Hotit në jug të Mitrovicës. Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për Mitrovicën e Jugut thotë se ura e Ibrit do të jetë njëra nga zonat që policia do ta ketë nën vëzhgim.

“Lidhur më ngjarjen e sotme e kemi një plan operativ ku varësisht nga reflektimi i rrjedhës së lojës atje, ne në fokus kemi zonat e ndjeshme si ura e Ibrit e të ngjashme”, tha Zahiti.

Shqipëria e Serbia do ta zhvillojnë sonte ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Francë 2016”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat