Haliti: Për deputetët është e papranueshme të hedhin vezë

Kosova

Haliti: Për deputetët është e papranueshme të hedhin vezë

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 14:07

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti në emisionin InfoBox të TV Dukagjinit tha se aktivistë të partive politike mund të përdorin metoda më radikale për shprehjen e pakënaqësive, por për deputetët tha se është e papranueshme hedhja e vezëve në drejtim të kryeministrit.
Ai madje të papranueshme e quajti edhe hyrjen e deputetëve me vezë në Kuvend.

Haliti njoftoi për takimet e fundit të mbajtura në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të mesme me opozitën në mënyrë që të kthehen në Kuvend dhe të vazhdohet me punën.

Ai tha se nuk ka asnjë mundësi që deputetët të tërhiqen zvarrë në Kuvend në mënyrë që funksionalizohet legjislativi, pasi sipas tij, deputetët janë të zgjedhur të popullit.

Haliti tha se Kuvendi duhet të respektohet dhe Kuvendi është arenë e debatit, jo e hedhjes së vezëve.

“Aktivistët e partive politike është diçka tjetër dhe zgjedhin metoda ma të ndryshme, por një deputet nuk është mirë të hedh vezë”, tha Haliti.

Sipas tij, Kuvendi duhet të mbetet institucioni ku debatohet, ndërsa janë mekanizmat tjerë ata që e vlerësojnë të drejtën apo të padrejtën.

Ai më tutje shtoi se deputetët e kanë mocionin e votëbesimit, si mekanizëm të shprehjes së pakënaqësive.

Haliti mohoi se ka çarje në koalicionin PDK-LDK. Ai tha se mund të ketë pakënaqësi të ndryshme, por jo çarje, sepse në të kundërtën dikush duhet të dalë nga koalicioni.

Ai tha se i beson qëndrimit të LDK dhe kryetarit të kësaj partie lidhur me respektimin e marrëveshjes për zgjedhjen e Thaçit president.

Haliti ka folur edhe për demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se shumë persona pas Luftës së Dytë Botërore e kanë dorëzuar pronësinë për shkak të tatimit të lartë. Ai tha se në të kundërtën, kush ka argumente le t’i dorëzojë tek organet gjegjëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat